Ka urdhërarrest, por Radojicic sillet lirshëm në Kosovë

Aktuale

Ka urdhërarrest, por Radojicic sillet lirshëm në Kosovë

Më: 12 mars 2019 Në ora: 17:07
Haradinaj, Radojicic dhe Thaçi

Njeriu që po përplas presidentin Hashim Thaçi me kryeministrin Ramush Haradinaj, serbi Milan Radojicic, lëviz nëpër veri ‘si në bahçe të babës’.

Media merr vesh nga burime brenda Policisë së Kosovës se Milan Radojicic, ndaj të cilit ka urdhërarrest, po qëndron në Kosovë.

Siç mësohet, lëvizjet e tij nuk janë ndalur asnjëherë dhe ato bëhen në rrugë alternative përmes maleve, nga ku kryhet edhe kontrabanda.

Lëvizjet e Radojicic nuk janë të paditura nga të gjithë. Autoritetet lokale e përkrahin për shkak të afërsisë politike, e Policia po ashtu. Popullsia e veriut është e vetëdijshme për lëvizjet e “të fortit”, por askush nuk e ka lajmëruar deri tani.

Reporteri ka kontaktuar Policinë lidhur me këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur. Të pyetur se a po kërkohet akoma Radojicici dhe a ka të dhëna nëse është futur në territory të Kosovës, Policia ka heshtur.

Sidoqoftë, Radojicic në kohën kur u lëshua urdhërarresti kishte dalur në Serbi, duke i shpëtuar kështu arrestimit bashkë me disa persona të tjerë të dyshuar.

Mbi Radojicicin rëndon dyshimi rreth vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanovic, mirëpo për këtë gjë ai nuk u mor asnjëherë në pyetje.

Ndërkohë, presidenti Hashim Thaçi e ka akuzuar kryeministrin Ramush Haradinajn për miqësi me Milan Radojicicin, mirëpo edhe kryeministri ia ktheu, duke i bërë të ditur se i njëjti person ka qëndruar në zyrën e tij për dy orë.

Ndryshe, Radojicic është i angazhuar politikisht në Kosovë, duke udhëhequr si nënkryetar me Listën Serbe. Ai konsiderohet si “baba i veriut” dhe kontrabandës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat