Klinaku thotë se Kosova duhet ta dëgjojë Amerikën

Aktuale

Klinaku thotë se Kosova duhet ta dëgjojë Amerikën

Më: 12 mars 2019 Në ora: 18:59
Avni Klinaku

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka thënë se Kosova duhet ta dëgjojë Amerikën.

Avni Klinaku, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, ka kërkuar nga udhëheqësit shtetëror që ta dëgjojnë Amerikën në lidhje me taksën dhe dialogun pasi që sipas tij, ky është një moment historik për Kosovën.

Sipas Klinakut, nëse Kosova nuk e dëgjon Amerikën dhe nuk e shfrytëzon këtë moment për arritjen e marrëveshjes historike me Serbinë atëherë,  siç theksoi ai, rreziku është shumë i madh që SHBA-të, në përputhje me strategjinë e tyre të bëjnë hapa tjerë taktikë dhe Serbisë t’ia gjejnë “një derë” tjetër për në BE.

Postimi i plotë i Klinakut pa ndërhyrje:

Çfarë rreziku e pret Kosovën nëse nuk e shfrytëzon momentin historik

Është e padyshimtë se SHBA-të kanë pasur e kanë një rol vendimtar në raportet Kosovë-Serbi. Deri në vitin e kaluar (për dy dekada të plota) SHBA-të kanë ndjekur strategjinë e detyrimit të Serbisë për ta njohur Kosovën në kufijtë aktual, në mënyrë që Serbia të mund të inkuadrohet në BE e në NATO dhe të shkëputet nga ndikimi i Lindjes, përkatësisht Rusisë.

Në këto dy dekada i janë bërë shumë lëshime Serbisë në kurriz të Kosovës (pa e dëmtuar krejtësisht pavarësinë, por në kurriz të sovranitetit dhe funksionalitetit), por që kanë rezultuar pa një sukses në drejtimin strategjik amerikan – njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Çdo lëshim (edhe pse ne na kanë kushtuar shumë) nuk ka bindur Serbinë dhe nuk ka dhënë rezultat!

Tani SHBA-të, në funksion të strategjisë së tyre e kanë ndërruar taktikën. Edhe ndryshimin e kufijve e shohin si mundësi të zgjidhjes përfundimtare të problemit shqiptaro-serb, përkatësisht Kosovë-Serbi.

Ky është një moment “unik historik”, siç thotë në Letrën e tij Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Nëse Kosova e lëshon këtë rast për një marrëveshje historike, kur edhe SHBA e edhe BE e Serbi kanë nevojë, rreziku është shumë i madh që SHBA-të, në përputhje me strategjinë e tyre të bëjnë hapa tjerë taktikë dhe Serbisë t’ia gjejnë “një derë” tjetër për në BE. Kështu Serbinë e bëjnë të pa interesuar për çfarëdo marrëveshje të re me shqiptarët e me Kosovën.

Në këtë mundësi (shumë të mundshme) të zhvillimit të situatës, Kosova do t’i kishte këto pasoja të rënda:

– Do të mbetej e bllokuar e jofunksionale me privilegjet e serbëve;

– Duke qenë serbët të manipuluar (e nuk pritet që të lirohen shpejt) Kosova do të varej shumë nga Serbia;

– Veriu i Kosovës do të vazhdonte të serbizohej;

– Kosova Lindore (Lugina) do të vazhdonte të zbrazej nga shqiptarët;

– Mundësia e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit do të ishte shumë e vogël për shkak të nacionalizmit e populizmit, që do të ushqehej vazhdimisht nga moszgjidhja e çështjes ndëretnike.

Ka momente historike në zhvillimet historike që edhe nëse ikin ato (pas dekadave) mund të kthehen, por ky rasti ynë, në zhvillimet aktuale nuk kthehet më (nuk është rasti për këtë analizë)!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat