Albin Kurti i vetmi lider që kërkoi shërim në QKUK, s’pranoi as dhomën VIP

Aktuale

Albin Kurti i vetmi lider që kërkoi shërim në QKUK, s’pranoi as dhomën VIP

Më: 13 mars 2019 Në ora: 07:42
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është i vetmi lider politik që ka kërkuar shërim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Madje ai nuk kishte pranuar të trajtohej në një dhomë të veçantë në Mjekimin Intensiv Qendror.

Para rreth dy jave kreu i VV-së Albin Kurti u hospitalizua në Klinikën Infektive në QKUK, pasi dyshohej se ishte prekur nga virusi i rëndë. Mjekët i rekomanduan që të shtrihet në intensivën e kësaj klinike, ku pas analizave doli se Kurti ishte i prekur nga një infeksion në mushkëri, shkruan Shneta.

Mjekët e trajtuan me terapi dhe oksigjen dhe pas 24 orë qëndrimi në klinikë, Kurti u lirua për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi. Gazeta Shneta ka mësuar nga burime se mjekët e kishin sugjeruar që të kalonte natën në një dhomë të veçantë në Mjekimin Intensiv Qendror, por Kurti nuk kishte pranuar një gjë të tillë.

Pasi doli nga spitali, lideri më i votuar në Kosovë falënderoi personelin mjekësor dhe infermierët për kujdesin ndaj tij. Në një postim të tij në Facebook, Kurti përmendi emrat e të gjithë mjekëve dhe infermierëve që u kujdesën për të, ndërsa pacientëve me të cilët kishte kaluar natën, iu dëshiroi shërim të shpejtë. Ndonëse bashkëpunëtorët e tij ishin detyruar që të blinin barin “Tamiflu” në Shkup, Kurti nuk e kritikoi ministrin e Shëndetësisë nga PDK, Uran Ismaili për mungesë të barnave.

Kreu i VV-së është lideri i vetëm politik që ka kërkuar shërim në Qendrën Klinike Universitare. Këtë nuk e kishin bërë liderë tjerë sikurse Isa Mustafa kur u përball me një sëmundje. Mustafa fillimisht ishte paraqitur në një spital privat, pastaj për të udhëtuar në Gjermani ku u trajtua në një klinikë private për disa muaj.

Njëjtë pati vepruar edhe kryeministri aktual Ramush Haradinaj me familjarët e tij, të cilët i kishte dërguar për trajtim në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat