Krasniqi: Ahmeti i gatshëm t’ia lëshojë drejtimin e dialogut LDK-së ose VV-së

Aktuale

Krasniqi: Ahmeti i gatshëm t’ia lëshojë drejtimin e dialogut LDK-së ose VV-së

Më: 13 mars 2019 Në ora: 08:20
Frashër Krasniqi

Deputeti i PSD-së në Kuvendin e Kosovës, Frashër Krasniqi ka thënë se LDK ka pasur qëndrime të ndryshme për drejtimin e dialogut në të kaluarën.

Krasniqi, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se në marrëveshjen e VLAN, kryeministër ishte planifikuar të bëhej Ramush Haradinaj ndërsa në të njëjtën marrëveshje shkruhej se drejtimin e dialogut e merr Lëvizja Vetëvendosje.

“Këtë marrëveshje e ka nënshkruar vetë zoti Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Visar Ymeri apo Albin Kurti kush ka qenë drejtues i Lëvizjes Vetëvendosje…Pra vetë LDK ka pranuar që dialogun ta drejtojë një subjekt tjetër e jo kryeministri”, tha Krasniqi.

Deputeti i PSD-së ka thënë se dialogu është proces i rëndësishëm dhe duhet të përfshihen të gjithë faktorët politikë e jo vetëm Qeveria.

Krasniqi ka thënë se nëse opozitës e sidomos LDK-së nuk i pëlqen përbërja e ekipit negociator dhe drejtuesit e saj, PSD janë të gatshëm të tërhiqen.

“Kosova ka nevojë për një trupë që unifikon skenën politike. Nëse nuk iu pëlqen trupa, krejt në rregull, ne tërhiqemi dhe ejani ju dhe drejtojeni, kushdo qoftë LDK apo Vetëvendosje. Vetëm të kemi unitet. Ne nuk po insistojmë me çdo kusht të kemi rolin kryesorë në dialog”, tha ndër të tjera Frashër Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat