Çelaj: Taksa s’ka ndikim në agjendën evropiane dhe liberalizimin e vizave

Aktuale

Çelaj: Taksa s’ka ndikim në agjendën evropiane dhe liberalizimin e vizave

Më: 13 mars 2019 Në ora: 08:20
Lirak Çelaj

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka thënë se stopimi i procesit të liberalizimit të vizave është çështje e Bashkimit Evropian dhe nuk pritet që të ketë ndonjë kriter shtesë. 

Ai ka theksuar se ekzistojnë gjasat që vendimi për heqjen e vizave të merret në qershor në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së. 

“Gjasat ekzistojnë, por meqë ky vendim nuk varet prej nesh, nuk jemi në pozicion që të garantojmë për këtë punë. Për vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të japin përgjigje institucionet relevante të BE-së. Është e vërtetë se në vazhdimësi na është thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ndërlidhet me zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Po ashtu, na është thënë tekstualisht se kriteret janë plotësuar nga ana e Kosovës, por Evropa ka disa probleme dhe liberalizimi mbase mund të mbetet në plan të dytë”, është shprehur Çelaj, duke shtuar se çështja e taksës nuk ka reflektuar në këtë proces dhe në asnjërën prej proceseve të agjendës evropiane.

“Deri më sot nuk është diskutuar për taksën në këtë aspekt. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, mirëpo deri më tani nuk na është thënë se do të ndikojë. Kështu që, nuk kam dëgjuar ndonjë zyrtar të BE-së që të ketë thënë se kjo çështje mund të ndikojë në liberalizimin e vizave. Prandaj çështja e taksës nuk do të duhej të ndikonte”, ka theksuar ai. 

Çelaj ka bërë me dije se agjenda evropiane e Kosovës është duke u realizuar pa pengesa. 

Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ftohje apo shkëputje të raporteve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Komunikimi është duke vazhduar dhe ne si qeveri po përpiqemi t’i plotësojmë të gjitha kriteret që çojnë deri tek anëtarësimi i Kosovës në BE. Kurse kjo çështja e taksës më shumë ndërlidhet me procesin e dialogut Kosovë – Serbi dhe nuk ka reflektuar në ndonjërën prej proceseve të agjendës evropiane”, ka thënë Çelaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat