Bllokimi i KQZ-së përplas ashpër PSD me Vetëvendosjen, nuk votohet rezoluta - Bota Sot
Bllokimi i KQZ-së përplas ashpër PSD me Vetëvendosjen, nuk votohet rezoluta

Aktuale

Bllokimi i KQZ-së përplas ashpër PSD me Vetëvendosjen, nuk votohet rezoluta

Më: 13 mars 2019 Në ora: 10:34

(E plotësuar) - Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e ftuar për t’u diskutuar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti Hashim Thaçi, nuk kaloi pa akuza dhe kundërakuza ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të PSD-së.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu akuzoi PSD se me presidentin e Kosovës po bëjnë pazare politike edhe për përfaqësuesin e tyre në KQZ.

Ajo tha se PSD përfaqësohet në KQZ nga PDK-ja pasi në kohën e zgjedhjeve kjo parti ka qenë në koalicion me PAN-in.

Haxhiu: PSD përfaqësohet në KQZ nga PDK

“Është komplet e papranueshme që këtë bllokimin tendencioz të Thaçit ta shohin si frikësim siç e tha zotëri Molliqaj, tha ndoshta edhe frikësohet, pra kjo është një tendencë e pastër për ta amnistuar Thaçin dhe a e dini se pse ky do ta amnistojë Hashim Thaçin, sepse ata po bëjnë pazare bashkë. Unë e përmenda jo rastësisht një ditë para se këta t’i japim mbështetje Hashim Thaçit në këtë idenë e rrezikshme për shkëmbim territoresh ai ka dërguar letër gjitha grupeve parlamentare për dërgim të emrave në KQZ, gjashtë grupeve parlamentare dhe ky është pazar i pastër siç kanë bërë edhe me ligjin për financimin e subjekteve politike, ku tentojnë t’i marrin buxhetin që i takon Lëvizjes Vetëvendosje bazuar në rezultatin e zgjedhjeve siç kanë bërë me nënkryetaren e Kuvendit që e mbajnë pa të drejtë atë pozicion për shkak të pazareve, siç po bëjnë edhe tani pikërisht me anëtarin në Komisionin Qendror, por ka edhe shumë pazare tjera që koha do t’i dëshmojë. Ky  e ka hall se nuk po përfaqësohen në KQZ, përfaqësoheni more në KQZ si nuk përfaqësoheni, po a keni qenë në koalicion me PAN-in, PSD ka qenë në koalicion me PAN-in në zgjedhjet e vitit 2017 , pra juve ju përfaqëson PDK-ja ”, ka thënë Haxhiu.

Deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj iu kundërpërgjigj ish-bashkëpartiakes së tij nga Vetëvendosje duke i thënë se ata nuk dinë të lexojnë asnjë dokument të shtetit, andaj për çfarëdo çështje që ngritin ata humbin.

Molliqaj: Më mirë të veprohet se të dilet me ankesa

“Nuk di çka me thënë më dikush që tanë kohën vetëm duke u ankua nuk di çka me i bë vallahi. Por po supozojmë që koka unë jam bukur i lumtur kur e dëgjoj Vetëvendosjen tash se i bie sikurse jemi duke e kontrolluar presidentin, kryeministrinë, parlamentin krejt institucionet, dhe jemi në faktori kryesor dhe po i shtyjmë agjendat në rregull qenka kjo farë pune. Më duket se është më mirë me vepruar, sepse votën e kemi marrë për të vepruar në Kuvend e jo vetëm për t’u ankuar, me bë me gisht me ‘the i thash’, pazare të tilla sesa me ndenjur aty dhe vetëm për të shikuar ‘seri’ ashtu siç dinë të shikojnë të tjerët. Problemi juaj është se nuk keni aftësi të lexoni as realitetin e as dokumentet e këtij vendi në vazhdimësi sa herë që keni ngritur çështje, i humbni sepse nuk dini”, tha ai.

Në mungese kuorumi, nuk votohet rezoluta për KQZ-në

Ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës lidhur me bllokadën në KQZ.

Gjatë kësaj seance nuk u arrit të votohet rezoluta e propozuar nga Vetëvendosje, për shkak të mungesës së kuorumit.

Rezoluta është përkrahur nga LDK dhe PSD, por jo edhe partitë e koalicionit PAN.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, ka njoftuar se kjo rezolutë do të dalë në votim kur të plotësohen kushtet.

Sherifi: Secila parti ka nga një vend të rezervuar në KQZ sipas Kushtetutës

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se përfaqësimi i grupeve parlamentare me nga një vend të rezervuar në KQZ ua garanton Kushtetutesja.

Ai këto komente i bëri gjatë seancës së sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku tha se gjashtë grupet parlamentare kanë nga një vend të rezervuar në KQZ

Sherifi: Secili grup parlamentar e ka nga një vend të rezervuar në KQZ

“Meqë këtu përpos që u kërkua që sa më shpejt të emërohet KQZ-ja u tregua edhe se si të emërohet KQZ-ja, pra këtu dolën nga mandati i deputetit, prandaj dola edhe unë këtu thash për të dalë edhe unë nga mandati i deputetit, jo për të ndenjur brenda mandatit të deputetit. Në rastin tonë jemi gjashtë grupe parlamentare i bie nga një, interpretimi juaj, jemi tre grupe parlamentare na takojnë nga dy, sikurse të ishin dy grupe parlamentare sipas Kushtetutës do t’iu takonin nga tre. Pra, nuk i keni nga dy me Kushtetutë të rezervuara, por secili grup parlamentar e ka nga një”, tha ai.

Sherifi ka bërë thirrje që sa më shpejt të zgjidhet kjo çështje, me qëllim të hapen rrugët që palët e pakënaqura t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese./B.Ibishi/

Krasniqi: LDK e VV ta dërgojnë nga një emër për anëtar në KQZ

Shefi i GP të PDK-së Memli Krasniqi, tha se inatet personale që mund të ketë VV-ja me PSD-në, ose LDK-ja me këdo tjetër, do të ishte mirë të ndaleshin.

Ai ka kërkuar nga këto dy parti që ta dërgojnë nga një emër për anëtar të KQZ-së dhe të presin vendimin e gjykatës.

 “Edhe LDK edhe VV ta dërgojnë nga një emër, siç është kërkuar, nëse kjo është rrugëdalje, pastaj ta sfidojmë vendimin e gjykatës”, tha Krasniqi.

***

PDK nuk e mbështet rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për dekretim sa më të shpejtë të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, ndërsa konsideron se seanca e sotme e Kuvendit është e panevojshme.

Kështu ka thënë sot deputeti i PDK-së Elmi Reçica, ku ka kërkuar që Kuvendi të mos ndërhyjë në kompetencat e presidentit.

Ai tha se si grup parlamentar janë dëmtuar më së shumti nga gjendja aktuale, pasi që kanë një deputet që pret në radhë për t’u emëruar.

Reçica: E papranueshme ndërhyrja në kompetencat e presidentit

“Seanca e sotme është e panevojshme dhe është e panevojshme dhe e papranueshme rezoluta e propozuar. Ne si Kuvend e kemi të qartë se cilat janë detyrat tona të përcaktuara. Dhe, është e papranueshme ndërhyrja në kompetencat e presidentit, ashtu siç është e papranueshme ndërhyrja e presidentit në punët e Kuvendit. Ne si grup parlamentar kërkojmë që presidenti sa më parë t’i emërojë anëtarët e KQZ-së në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, çdo vonesë e emërimit të anëtarëve të KQZ-së është e dëmshme dhe për këtë thekson se sa më parë duhet të bëhet zhbllokimi i këtij institucioni.

Reçica: E papranueshme ndërprerja e punës të KQZ-së

“Ne si grup parlamentar jemi dëmtuar më së shumti nga kjo gjendje, pasi kemi një deputet që pret në radhë për tu zëvendësuar. Të gjithë e dimë sesa është me rëndësi që të kesh një deputet më tepër, sidomos në rrethanat çfarë jemi ne tash. Është e papranueshme ndërprerja e punës të KQZ-së. Mendoj se ka qenë politike dhe e qëllimshme bllokimi i KQZ-së nga anëtarë të caktuar të partive politike, përkundër që kanë vazhduar të marrin rroga, por nuk kanë marrë pjesë në takimet e KQZ-së. Kjo bllokadë ka qenë e qëllimshme për faktin se në këtë mënyrë është tentuar të bllokohet puna e këtij Kuvendi, kur dihet se edhe një votë e një deputeti është e rëndësishme për këtë institucion”, u shpreh ai. 

***

Edhe deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka hedhur akuza në drejtim të presidentit të vendit, Hashim Thaçi lidhur me mos emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

Ai, përveç kritikave që pati për të, ka kritikuar edhe dy parti të cilat sipas tij janë duke e mbajtur peng këtë proces.

“Këtë proces e ka mbajt për më shumë se një vit peng presidenti, Hashim Thaçi. Të 6 grupeve më të mëdha në Kuvend u ka bërë (Gjykata Kushtetuese) ftesë ta dërgojnë ka një përfaqësues. Nga ky vendim i Gjykatës janë dy parti që janë duke e bllokuar procesin. Cili do të jetë vendimi i presidentit, të sigurtë e keni se ai do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë apsekt është gabim logjik mos dërgimi i përfaqësuesve. Kjo çështje gjithqysh do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë aspekt jeni tu e pengu procesin” tha ai.

Image

“Sikurse Thaçi që po tutet nga vendimi i Kushtetueses edhe ju jeni ka tuteni nga ai vendim. Po aq fajtor sikurse Thaçi jeni edhe ju” tha mes tjerash Molliqaj.

Por e menjëhershme ka qenë replika e deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu. Tha se PSD është duke bërë pazare me Thaçin.

“Këta po bëjnë pazare bashkë. Ai u ka dërguar letër 6 grupeve parlamentare. Dhe ky është pazari i parë ku tentojnë ta marrin buixhetin e VV-së. Por ka edhe shumë pazare tjera që koha do t’i dëshmojë”, u shpreh Haxhiu.

Image

E Molliqaj ia ktheu menjëherë Haxhiut ku tha se kjo parti gjatë tërë kohës po ankohet dhe nuk po vepron.

“Nuk di çfarë të them për dikë që tërë kohën ankohet. Kur e ngon VV-në i bjen që ne jemi tu e kontrollu krejt faktorin politik. në rregull është kjo far pune dhe më duket që më mirë është të dërgojmë procese përpara” përfundoi Molliqaj.

Haxhiu thotë se e di pse Presidenti po e mban KQZ-në të bllokuar

Kuvendi i Kosovës po debaton për mosemërimin e anëtarëve të KQZ’së nga Presidenti Hashim Thaçi në seancën e jashtëzakonshme që është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Derisa deputetët po flasin për qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje,  në një moment, kryesuesi i Seancës, Xhavit Haliti është nervozuar duke i thënë njërit nga deputetët (që nuk dihet ende cilit): o ti djalë leje atë telefon.

“O ti djalë, dëgjo, leje atë telefon ose dil jashtë, dëgjo, ulu aty, ose leje atë telefon ose dil jashtë”, ka thënë Haliti.

Edhe AAK kërkon nga presidenti emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së

Njëjtë si Grupi Parlamentar i LDK’së, edhe ai i AAK-së ka kërkuar përgjegjësi se pse deri tani nuk janë emëruar anëtarët e rinj të KQZ-së.

Në emër të GPA-së, Ahmet Isufi ka thënë partia e tij kërkon nga Presidenti që sa më parë të emëroj anëtarët që janë propozuar për KQZ-në.

“Kërkojmë nga Presidenti që sa më parë të emëroj anëtarët që janë propozuar për KQZ-në duke marrë parasysh pasojat që kemi pasur deri tani, sidomos asambletë komunale, duke qenë se janë të ndërlidhura”, ka thënë ai.

Haxhiu thotë se e di pse Presidenti po e mban KQZ-në të bllokuar

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, tha se presidenti ka disa arsye pse po e mban për 1 vjet KQZ-në e bllokuar.

“Është në interes që ka PDK, së dyti tek logjika tregtuese e presidentit Thaçi, ai po keqpërdorë gjithçka që të sigurojë përkrahje në aventurat e rrezikshme për shkëmbim territorial. Ai po bën pazare. Një president pa legjitimitet po synon të devalvojë gjithçka. Ai është ende i tronditur nga rezultati i zgjedhjeve të vitit 2017, sepse qytetarët i dhanë mbështetje të madhe Lëvizjes Vetëvendosje. Si pasojë e këtij bllokimi rreth 40 asamblistë presin të marrin detyrën, shumë projekte e aktivitete kanë dështuar. Ftoj të gjitha ata asamblistë dhe deputetë, që po u cenohen të drejtat nga presidenti, t’i drejtohen gjykatave. LVV nuk do të lejojë shkeljen e vullnetit të qytetarëve dhe as përdhosjen e Kushtetutës dhe ligjit. I kërkojmë presidentit të bëjë dekretimin sa më parë.

Deputetja Haxhiu ka paralajmëruar se këtë çështje do ta dërgojnë në kushtetuese, pavarësisht dekretimit ose jo të anëtarëve të KQZ-së nga Presidenti.

“Pavarësisht nëse ai i dekreton ose jo jemi duke e menduar që çështjen ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese sepse ai po bën shkelje kushtetuese. Javën e ardhshme besoj do ta kemi të finalizuar lëndën për ta dërguar në kushtetuese”, tha Haxhiu.

***

Partia Vetëvendosje ka propozuar rezolutë që dekretimi i anëtarëve të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve në Kosovë të bëhet sa më shpejt.

Sami Kurteshi nga kjo parti, që është e propozues i seancës së jashtëzakonshme për këtë çështje, ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka bllokuar këtë institucion.    

Sipas tij, presidenti po vepron kundërligjshëm dhe kështu po dëmtohet vullneti i qytetarëve e edhe procesi demokratik.

KQZ vazhdon të mbetët e bllokuar dhe jo funksionale. Janë bërë mbi 90 ditë që kur subjektet parlamentare kanë dorëzuar për herë të dytë nominimet (emrat për anëtarë të KQZ-së) dhe presidenti nuk i ka konfirmuar.

Kurteshi: Këtë muaj përfundon mandati i kryeshefit të KQZ-së

“Me këtë veprim kundërligjor, përveç shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit, është dëmtuar drejtpërdrejt edhe vullneti i qytetarëve dhe procesi demokratik. Me këto veprime janë pamundësuar shumë projekte të KQZ-së, kanë dështuar iniciativa të mbështetura nga organizata të ndryshme, si dhe janë bllokuar shumë detyrime të tjera ligjore të KQZ-së, nga ky bllokim I KQZ-së nga presidenti. Sipas informatave, në fund të këtij muaji pushon edhe mandati i kryeshefit të KQZ-së, me këtë rast përveç bllokimit politik, KQZ bllokohet edhe në aspektin funksional, administrativ e teknik”, ka thënë Kurteshi.

Në seancën me rreth 40 deputetët të pranishëm, Kurteshi ka kërkuar që në fund të seancës, të votohet një rezolutë e cila ka vetëm një pikë, kërkon dekretimin e anëtarëve të KQZ-së pa asnjë vonesë.

Kurteshi: Rezolutë për dekretimin e anëtarëve të KQZ-së, pa asnjë vonesë

“Kuvendi i Kosovës kërkon që dekretimi i anëtarëve të KQZ-së të bëhet pa asnjë vonesë, sipas Kushtetutës, Ligjit për zgjedhje dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014. Ju ftoj që në fund të kësaj seance të votoni këtë rezolutë, që do të mundësonte funksionalizmin e KQZ-së”, ka thënë Kurteshi.

Deputeti i PDK-së: Seanca e sotme është ndërhyrje në punën e Presidentit

Deputeti i PDK-së Elmi Reçica, tha se kjo seancë është e panevojshme, dhe se nuk e përkrahin rezolutën e propozuar nga Sami Kurteshi.

"Jemi që sa më parë të emërohen anëtarët e KQZ-së, jemi të gatshëm të japim kontributin tonë. Kjo seancë është ndërhyrje në punën e presidentit që është e përcaktuar me kushtetutë. Si grup parlamentar jemi dëmtuar më së shumti nga kjo gjendje, sepse kemi një deputet që pret në radhë. Është e pakuptimtë ndërprerja e punës së KQZ-së. Bllokada ka qenë e qëllimshme nga disa anëtarë të partive politike, që kanë marrë paga por nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e KQZ-së. Seanca e sotme është e panevojshme, dhe e papranueshme është rezoluta e propozuar. Është pe papranueshme ndërhyrja në punën e presidentit. Kërkojmë që presidenti sa më parë t’i emërojë anëtarët e KQZ-së në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës”, tha Reçica.

Haxhiu e quan pështjellës Sherifin, ky ia kthen: Unë nuk foli qysh t’më thotë Baba

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu e ka quajtur ‘pështjellës’ Bilall Sherifin e NISMA’s, pas fjalës së këitj të fundit në Kuvend, ku po diskutohet për mosemërimin e anëtarëve të KQZ’së nga ana e Presidentit Thaçi.

“Nëse don me pështjellë diçka, atëherë gjithë leja Bilallit”, ka thënë Haxhiu në fjalën e saj.

I menjëhershëm ka qenë në reagim Bilall Sherifi i NISMA’s, i cili ka thënë se ‘ai nuk është mësuar të flasë qysh i pëlqen Babës (duke aluduar në atë që ‘Baba njihet Albin Kurti në VV, v.j).

Sherifi në fjalën e tij ka thënë se nuk ia përmendi fare emrin Haxhiut, por që ‘gjithmonë mendimet e tij i thotë ashtu qysh i ka e jo qysh i pëlqen dikujt”.

“Unë nuk flas, nuk ia përmenda emrin Albulenës, unë jam i shliruar nga kompleksi i babës, cka thotë baba me dalë me folë, nëse unë i flas e ato nuk të pëlqejnë, ai është problem yt. Unë nuk mund të të shëroj ty nga kompleksi që ke, unë gjithmonë kam thënë bindjet e mia ashtu qysh i kam”, ka thënë Sherifi.

Haxhiu paralajmëron Thaçin: Do të dërgojmë në Kushtetuese

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se partia e saj do të dërgojë në Kushtetuese presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ky i fundit ka bllokuar në mënyrë të qëllimshme Komisionin Qendror Zgjedhor.

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga partia e saj për paralizimin e KQZ-së, Haxhiu ka thënë se në javën e ardhshme do ta dërgojnë lëndën e tyre kundër Thaçit.

“Javën e ardhshme do të bëjmë lëndën gati për në Gjykatën Kushtetuese e cila tregon që Presidenti ka bllokuar qëllimisht KQZ-në, duke mos emëruar anëtarët e rinj. Është detyrë e tij Kushtetuese të garantoj funksionimin e institucioneve Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Për këtë çështje janë duke vazhduar diskutimet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Bllokimi i KQZ-së: Hoti e paralajmëron Thaçin

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti gjatë seancës së jashtëzakonshme për KQZ-në, ka kritikuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi për mos emërimin e anëtarëve të këtij komisioni.

“Presidenti nuk po i kryen obligimet e tij Kushtetuese duke mos emëruar anëtarët e KQZ-së”, tha Hoti.

Sipas tij, nga mos funksionalizimi i KQZ-së, tashmë e tre muaj zyrtarë të partive politike kanë mbetur pa paga.

“Mos funksionimi i KQZ-së ka pamundësuar shumë aktivitete. Zyrtarë të partive politike kanë tre muaj që nuk marin paga për shkak se |KQZ nuk është funksionale”, tha ai.

Image

Shtoi se “shkelje e Kushtetutës është edhe mos veprimi një vjeqar i Presidentit”

Tha se “presim që sa më shpejt presidenti të emërojë anëtarët e KQZ-së, në të kundërtën nëse do të ketë vonesa atëherë ne presidentin do ta dërgojmë edhe në Gjykatë Kushtetuese.

***

Deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi ka propozuar një rezolutë në lidhje me funksionalizimin e KQZ-së.

“Kuvendi I Kosovës kërkon që dekretimi anëtarëve të KQZ-së të bëhet pa asnjë vonesë, sipas Kushtetutës, ligjit për zgjedhje, dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014. Ju ftoj që në fund të kësaj seance të votoni këtë rezolutë, që do të mundësonte funksionalizmin e KQZ-së”. ka thënë Kurteshi.

Image

Propozuesi Sami Kurteshi tha se që rreth 1 vit KQZ ka mbetur e bllokuar nga presidenti i vendit. Ai  ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se po vepron kundërligjshëm, dhe kështu po dëmtohet vullneti i qytetarëve dhe procesi demokratik.

“Ne 44 deputetë, më 28 shkurt 2019 kemi bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me bllokimin e KQZ-së nga presidenti. Kushtetuta, neni 139 e definon KQZ-në si organ të përhershëm që verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e referendumet. Mandati duhet të fillojë jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve për kuvend. Përbërja e KQZ-së duhej të ndryshonte më së largu deri në shtator 2017. Nga data 27 mars 2018, KQZ është bllokuar. Si institucion i pavarur dhe i përhershëm nuk funksionon. KQZ vazhdon të mbetët i bllokuar dhe jo funksional. Janë bërë mbi 90 ditë që kur subjektet parlamentare kanë dorëzuar për herë të dytë nominimet(emrat për anëtarë të KQZ-së dhe presidenti nuk i ka konfirmuar. Me këtë veprim kundërligjor, është dëmtuar edhe vullneti I qytetarëve dhe procesi demokratik. Me këto veprime janë pamundësuar shumë projekte të KQZ-së, kan ë dështuar iniciativa të mbështetura nga organizata të ndryshme, nga ky bllokim i KQZ-së nga presidenti. Në fund të këtij muaji pushon edhe mandati i kryeshefit të KQZ-së, ka thënë Kurteshi.

***

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet në seancën e jashtëzakonshme që është ftuar për t’u diskutuar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti.

Përfaqësuesit e qeverisë nuk janë të pranishëm në seancë.

Dje gjithashtu është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për shpenzimin e buxhetit të paplanifikuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

***

Po mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë të vetmen pikë të rendit të ditës e ka debatin parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti.

Dje është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për shpenzimin e buxhetit të paplanifikuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...