Veseli: Së shpejti hapet ambasada japoneze në Prishtinë

Aktuale

Veseli: Së shpejti hapet ambasada japoneze në Prishtinë

Më: 13 mars 2019 Në ora: 13:22
Pamje nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën e parë të vizitës së tij në Tokio, u prit në takim nga Oshima Tadamori, kryetar i Parlamentit të Japonisë, ku temë kryesore e takimit ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e ekonomisë.

Veseli bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit në Kosovë, me theks të veçantë në mundësitë që ofron ekonomia kosovare për projekte investive nga kompanitë japoneze, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit. 

"Vendi juaj, me modelin e zhvillimit që përfaqëson, është model frymëzues për të rinjtë tanë që duan ti përkushtohen inovacionit e ndërrmarrësisë", tha kryeprlamentari Veseli.  

Ai po ashtu theksoi se Kosova si shtet i ri dhe demokraci e re, ndihet mirë që  një vend mik si Japonia është në mbështetje të synimeve të saj.

Kryetari i Parlamentit të Japonisë, Tadamori, nga ana e tij theksoi se shteti japonez vazhdon të jetë i përkushtuar në thellimin e marrëdhënieve me Kosovën, në të gjitha fushat ku ekzistojnë mundësitë, sidomos në investimet ekonomike. 

Duke u ndalur te vlerat e përbashkëta që kanë dy popujt tanë, Tadamori u shpreh se gjithmonë e impresionon figura e humanistes shqiptare Nënë Tereza, ndërsa  përmendi suksesin kosovar në sportin e xhudos.

“Jeni bërë të pa konkurrencë në xhudo. Pres të triumfoni edhe në lojërat olimpike Tokio 2020”, tha kreu i Parlamentit të Japonisë. 

Pas takimit me homologun japonez, kryeparlamentari Veseli do të zhvillojë takime me ministra të qeverisë japoneze, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, por po ashtu do të ketë edhe takime tjera me deputetë e zyrtarë të lartë të shtetit japonez, njofton Zyra e informacionit pranë kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat