Bllokimi i KQZ-së përplas ashpër PSD me Vetëvendosjen

Aktuale

Bllokimi i KQZ-së përplas ashpër PSD me Vetëvendosjen

Më: 13 mars 2019 Në ora: 14:43
Kuvendi i Kosovës

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e ftuar për t’u diskutuar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti Hashim Thaçi, nuk kaloi pa akuza dhe kundërakuza ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të PSD-së.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu akuzoi PSD se me presidentin e Kosovës po bëjnë pazare politike edhe për përfaqësuesin e tyre në KQZ.

Ajo tha se PSD përfaqësohet në KQZ nga PDK-ja pasi në kohën e zgjedhjeve kjo parti ka qenë në koalicion me PAN-in.

Haxhiu: PSD përfaqësohet në KQZ nga PDK

“Është komplet e papranueshme që këtë bllokimin tendencioz të Thaçit ta shohin si frikësim siç e tha zotëri Molliqaj, tha ndoshta edhe frikësohet, pra kjo është një tendencë e pastër për ta amnistuar Thaçin dhe a e dini se pse ky do ta amnistojë Hashim Thaçin, sepse ata po bëjnë pazare bashkë. Unë e përmenda jo rastësisht një ditë para se këta t’i japim mbështetje Hashim Thaçit në këtë idenë e rrezikshme për shkëmbim territoresh ai ka dërguar letër gjitha grupeve parlamentare për dërgim të emrave në KQZ, gjashtë grupeve parlamentare dhe ky është pazar i pastër siç kanë bërë edhe me ligjin për financimin e subjekteve politike, ku tentojnë t’i marrin buxhetin që i takon Lëvizjes Vetëvendosje bazuar në rezultatin e zgjedhjeve siç kanë bërë me nënkryetaren e Kuvendit që e mbajnë pa të drejtë atë pozicion për shkak të pazareve, siç po bëjnë edhe tani pikërisht me anëtarin në Komisionin Qendror, por ka edhe shumë pazare tjera që koha do t’i dëshmojë. Ky  e ka hall se nuk po përfaqësohen në KQZ, përfaqësoheni more në KQZ si nuk përfaqësoheni, po a keni qenë në koalicion me PAN-in, PSD ka qenë në koalicion me PAN-in në zgjedhjet e vitit 2017 , pra juve ju përfaqëson PDK-ja ”, ka thënë Haxhiu.

Deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj iu kundërpërgjigj ish-bashkëpartiakes së tij nga Vetëvendosje duke i thënë se ata nuk dinë të lexojnë asnjë dokument të shtetit, andaj për çfarëdo çështje që ngritin ata humbin.

Molliqaj: Më mirë të veprohet se të dilet me ankesa

“Nuk di çka me thënë më dikush që tanë kohën vetëm duke u ankua nuk di çka me i bë vallahi. Por po supozojmë që koka unë jam bukur i lumtur kur e dëgjoj Vetëvendosjen tash se i bie sikurse jemi duke e kontrolluar presidentin, kryeministrinë, parlamentin krejt institucionet, dhe jemi në faktori kryesor dhe po i shtyjmë agjendat në rregull qenka kjo farë pune. Më duket se është më mirë me vepruar, sepse votën e kemi marrë për të vepruar në Kuvend e jo vetëm për t’u ankuar, me bë me gisht me ‘the i thash’, pazare të tilla sesa me ndenjur aty dhe vetëm për të shikuar ‘seri’ ashtu siç dinë të shikojnë të tjerët. Problemi juaj është se nuk keni aftësi të lexoni as realitetin e as dokumentet e këtij vendi në vazhdimësi sa herë që keni ngritur çështje, i humbni sepse nuk dini”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat