Raporti i DASH: Në Kosovë problem korrupsioni dhe drejtësia

Aktuale

Raporti i DASH: Në Kosovë problem korrupsioni dhe drejtësia

Më: 14 mars 2019 Në ora: 11:45
Departamenti amerikan i Shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të Drejtat e Njeriut në botë, e në pjesën për Kosovën trajtohen një numër çështjesh, ndër më kryesoret që nënvizohen janë korrupsioni në strukturat qeveritare, kërcënimi e dhuna ndaj gazetarëve dhe kthimi i personave që përmbushin standardin e refugjatit në vendet e origjinës.

Duke përmendur rastet e krimeve të luftës, raporti thotë se nga gushti zyra e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës po hetonte 100 raste rreth gjysma e të cilëve u pezulluan për shkak se nuk dihet vendndodhja e të akuzuarve.

Raporti përmend miratimin e kërkesës së Sylejman Selimit nga ana e Gjykatës së Lartë për rigjykim në rastin e njohur si “Drenica I” duke e kthyer çështjen në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Sipas raportit, ka një tendencë viteve të fundit që gjykimet e personave me profil të lartë të mbyllen ose t’iu caktohen gjykatave më të ulëta.

Në këtë raport përmenden edhe të dënuarit në çështjen “Drenica II”, gjashtë prej të cilëve nuk kanë vuajtur dënimin me burgim.

Po ashtu, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit vëren shkelje të rregulloreve në vendimet e gjykatësve për t’u mohuar lirim me kusht të pandehurve, apo raste të mbajtjes për një periudhë të gjatë në paraburgim në pritje të gjykimit, për shkak të korrupsionit apo mungesës së profesionalizmit në radhët e punonjësve të gjyqësorit.

Tek problemet me drejtësinë përmenden edhe rastet e korrupsionit në radhët e forcave të rendit. Raporti thotë se janë arrestuar një numër policësh nën akuzat për korrupsion, ndër to raste për abuzim pushteti si dhe mitmarrje.

Për kushtet e burgjeve dhe qendrave të paraburgimit thuhet se ato përmbushin disa standarde por vërehen ende disa probleme si dhuna ndaj të burgosurve, korrupsioni, ekspozimin ndaj pikëpamjeve radikale fetare apo politike dhe kujdesin e duhur mjekësor.

Duke folur për mediat, raporti thotë se mediat kanë qenë aktive dhe përmes artikujve kanë shprehur llojshmëri temash, por megjithatë ka raporte se zyrtarë qeveritarë, parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare apo individë të pakënaqur kanë bërë presion ndaj pronarëve të medias, redaktorëve apo edhe gazetarëve për të mos publikuar lajme të caktuara. Tek mediat, në raport thuhet se vështirësitë financiare rrezikojnë pavarësinë editoriale të tyre.

Tek liria e lëvizjes, thuhet se vendi e respekton këtë të drejtë, ndërsa përmendet si problem kthimi në Kosovë i refugjatëve që vijnë nga radhët e komuniteteve pakicë.

Po ashtu, dëbimi i 6 shtetasve turq zë një vend në raportin e DASH si dhe qëndrimet e Avokatit të Popullit të cilët e ka quajtur shkelje të të drejtave të njeriut. Aty përmenden edhe vendimet e kryeministrit që shkarkoi drejtorin e AKI-së dhe ministrin e Drejtësisë.

Raporti nënvizon edhe ndikimin e qeverisë serbe përmes strukturave të paligjshme në komunat me shumicë serbe.

Sa i përket korrupsionit në qeveri, DASH thotë se ky fenomen mbetet shqetësues ndërsa thotë se këtu nuk i ndihmon as sistemi i drejtësisë që rastet e tilla nuk i trajton me seriozitetin e duhur.

Tek gjykimi i personave me profil të lartë në Kosovë, përmendet rasti “Pronto” dhe tërheqja e gjyqtarit Elez Blakaj dhe rasti i ish-kryetarit të Lipjanit, Shkuri Bujës . Aty përmendet se Agjencia kundër Korrupsionit ka dorëzuar 44 raste për korrupsion tek Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Tek dhuna e grave dhe rastet e lidhura me këtë fushë, përmendet rasti kur Pjeter Ndrecaj qëlloi për vdekje bashkëshorten dhe vajzën e tij. Në raport, thuhet se e ndjera e kishte njoftuar disa herë policinë për dhunën e bashkëshortit, por nuk kishte marrë mbrojtje.

Për të drejtat e fëmijëve, raporti thotë se mbetet problem regjistrimi dhe pajisja me dokumente e fëmijëve nga komunitetet pakicë si dhe martesa në moshë të hershme nga po këto komunitete, edhe pse ligji nuk e lejon martesën nën 16-vjeç. 

Për sigurinë e minoriteteve përmendet vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç, pastaj disa raste të natyrës etnike të raportuara dhe rekrutimi në FSK i pjesëtarëve serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat