Zhiviq nuk përgjigjet në pyetjet e komisionit, tregon nga kush e mori detyrën

Aktuale

Zhiviq nuk përgjigjet në pyetjet e komisionit, tregon nga kush e mori detyrën

Më: 14 mars 2019 Në ora: 14:07
Zhiviq nuk përgjigjet në pyetjet e komisionit, tregon nga kush e mori detyrën

Ministrja e Bujqësisë, Dijana Zhiviq, në raportimin e saj të parë para Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural nuk ka folur rreth keqpërdorimeve të fondeve dhe mënyrës së ndarjes së granteve, për çka ishte ftuar të raportojë, me arsyetimin se ka marrë detyrën që 15 ditë dhe se shumica e pyetjeve të anëtarëve të komisionit kishin të bënin me periudhën kur detyrën në këtë ministri e mbante Nenad Rikallo.

Zhiviq ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në mënyrë transparente me Komisionin për Bujqësi në mënyrë që të ketë rezultate pozitive.

Zhiviq: Në shumicën e pyetjeve tuaja nuk mund të jap përgjigje

“Unë jam e gatshme të bashkëpunoj që të kemi rezultate sa më të mira. Më vjen keq që në shumicën e pyetjeve tuaja nuk mund të jap përgjigje, pasi nuk kam qenë ministre gjatë asaj periudhe dhe se shumica e pyetjeve kanë të bëjnë me atë periudhë, por pa dallime administrata e kabinetit do të japë përgjigje”, tha Zhiviq.

Ajo ka pranuar se ka vonesa në procedimin e ligjeve nga ana e kësaj ministrie në Kuvend, duke premtuar se ato do të dërgohen sa më shpejt që të jetë e mundur, por nuk ka dhënë ndonjë afat kohor. 

Zhiviq: Ka vonesa në ligje, por ato do të procedohen shpejt

“Më lejoni që gjatë kësaj periudhe prej kur jam ministre, të shfrytëzoj rastin që të njihem me punën e ministrisë. Aktualisht po punojmë në programin e zhvillimit rural 2019. Këtë vikend do të mbajmë tryezën e rrumbullakët me të gjithë ekspertët, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për të finalizuar këtë program. Mendoj se deri në fund të javës së ardhshme do të jemi në gjendje të publikojmë programin për zhvillim rural 2019. Po ashtu jam në dijeni se ka ardhur deri te vonesa e disa ligjeve dhe para deputetëve premtoj se këto ligje do të procedohen shpejt, si ligji për pyjet, ligji për ushqimin, gjuetinë dhe zhvillimin rural e bujqësor”, tha Zhiviq.

Sekretari i MPBZHR-së, Kapllan Halimi ka folur rreth menaxhimit të mjeteve financiare dhe granteve nga ana e kësaj ministrie, duke thënë se sipas të dhënave të vitit 2014, në Kosovë ekzistojnë 130 mijë ekonomi familjare bujqësore, ndërsa ata si ministri përkrahin në programe bujqësore 30-35 mijë ekonomi familjare bujqësore, ku mbi 76 për qind të këtyre ekonomive familjare bujqësore nuk përkrahen.

Halimi: Shumica e fermerëve të kenë përkrahje nga institucionet

“Për atë arsye pas një dekade të përkrahjes të fermerëve të mesëm dhe të mëdhenj kemi menduar të bëjmë një diversifikim, duke kyçur edhe fermerët e vegjël që është shumica e fermerëve që të kenë një përkrahje nga institucionet për t’iu mundësuar atyre të kalojnë nga një nivel vet ekzistues dhe nuk kanë kapacitete tregtare ta plasojnë në treg... Këtë vit e kemi menduar të jetë në gjithë territorin e Kosovës, pasi janë mbi 76 për qind të fermerëve të regjistruar që nuk marrin përkrahje shtetërore dhe këta e përbëjnë një konglomerat të tërë të punësimit dhe ne duhet t’i përkrahim që të mundohemi t’i ngritim një shkallë më lart  që ata të kenë mundësinë e shitjes së produktit të tyre”, tha ai. 

Halimi ka folur edhe rreth konkurrencës në treg ndërmjet prodhuesve vendorë dhe atyre të huaj, duke thënë se kanë vendosur të kenë një pilot-program për mbështetjen e bizneseve të mëdha, gjë e cila do të fuqizojë produktet vendore dhe bashkëpunimin e bizneseve të mëdha me ato të vogla, në mënyrë që këto të fundit të kenë një treg të sigurt.

Për më tepër, ai bëri të ditur se nga pesë auditime që kanë pasur i kanë tejkaluar si njësi e bujqësisë.

Liburn Aliu, nga Komisioni për Bujqësi, shprehu habinë se si ka mundur të dalë pozitiv auditimi për MPBZHR-në, ku sipas listës së fituesve të granteve në këtë ministri del se për projektin për infrastrukturë rurale janë katër konsorciume që kanë fituar nga dy milionë euro dhe tha se kjo çështje duhet të hetohet nga prokuroria.

Aliu: 8 milionë euro për katër konsorciume

“Nuk e di si i ka kaluar auditimit kjo. Secili prej këtyre konsorciumeve e ka gati të njëjtin pronar në pothuajse të gjitha kompanitë. Pra, një pronar kompanie me disa kompani paralele del e qet një konsorcium dhe fiton dy milionë euro. Ju po flisni për ata të vegjlit. Mos janë këta ata që kanë mbet pa bërë miliona dhe është dashur t’i shtojmë, apo si është puna... Problemi kryesor këtu janë tetë milionë euro të ndara për katër konsorciume në të cilat nuk janë shumë pronarë në ato katër konsorciume, por janë pak pronarë që marrin shumë”, tha Aliu.

Anëtarja tjetër e Komisionit për Bujqësi, Besa Gaxherri tha se MPBZHR asnjëherë nuk ka pasur një ministret të denjë sikurse duhej të ketë dhe porositi ministren Zhiviq se sukseset e saj janë të popullit të Kosovës.

Gaxherri: Mos u thirr në gjatë të shkeluravenuk kam qenë unë

“A e keni bërë prerjen nga puna e kaluar me dorëzim-pranimin e punës suaj, sepse ne kemi mjaft dyshime dhe argumente që në këtë ministri është keqpërdorur dhe abuzuar, andaj unë konsideroj që ju të keni sukses dhe mos me u thirr në atë se në të shkelurat nuk kam qenë unë, është një procedurë që duhet të bëni prerjen e dorëzim-pranimit të punës”, tha Gaxherri.

Anëtari tjetër i Komisionit parlamentar për Bujqësi Sali Zyba kërkoi sqarime të di se nga kush ministrja Zhiviq ka marrë detyrën kur ka shkuar në ministri dhe kjo e fundit tha se atë e ka marrë nga kryeministri Haradinaj.

Zhiviq: Detyrën e mora nga kryeministri

“Po, nga kryeministri”, tha Zhiviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat