Ganimete Musliu përplaset për ministren serbe, Dijana Zhiviq

Aktuale

Ganimete Musliu përplaset për ministren serbe, Dijana Zhiviq

Më: 14 mars 2019 Në ora: 14:21

Takimi i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural nuk ka kaluar pa debate të ashpra dhe ‘mollë sherri’ është bërë ministrja e re e Bujqësisë Dijana Zhiviq.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Bujqësi, Muharrem Nitaj, ka kërkuar mirëkuptimin e  anëtarëve të komisionit për shkak se ministrja Zhiviq ka obligime tjera dhe se duhej të largohet para kohe nga takimi.

Kjo ka shkaktuar reagimin e anëtares së Komisionit nga radhët e PDK-së Ganimete Musliu, e cila ka theksuar se anëtarët e komisionit është dashur të informohen një ditë më herët, pasi kryetari i komisionit ishte në dijeni për një gjë të tillë.

Musliu: A po flet ti a unë?

“E ke takuar dje, keni mundur të na raportoni dhe me na treguar se për këto çështje, por jo sot, të lutem unë po flas. Derisa e kam fjalën kisha pasur qejf për të më respektuar fjalën time, përndryshe nuk e shoh të arsyeshme të qëndroj në komision përderisa nuk kemi të drejtë të shprehim mendimin tonë. Ministren e kuptoj plotësisht...A po flet tash ti a unë? A mund të vazhdoj. Faleminderit shumë”, tha Musliu.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Bujqësi Muharrem Nitaj tha se beson që do të ftojnë serish ministren Zhviqi në takim me komisionin, pas vërejtjeve të anëtarëve të këtij komisioni.

Nitaj: Zhiviq do t’i ketë përgjigjet në takimin e radhës

“Ministrja, besoj, se në takimin e radhës do t’i ketë të gjitha përgjigjet që kërkohen nga komisioni”, tha Nitaj.

Megjithatë, anëtarja e Komisionit Ganimete Musliu kërkoi që të mos ftohen ministrat në raportime të tilla, kur ata nuk kanë kohë për të dhënë përgjigje dhe të duken aty sa për ‘syret’.

Musliu: Nuk kemi nevojë të shohim një ministër si syret

“Unë mendoj që mos të na ndodhë më që të na ftojnë për një ministre dhe me thënë vetëm shikojani ‘syretin’, se nuk ka kohë ministrja dhe le të ecë. Kemi vuajtur si komision dhe legjislaturë. Ministria e Bujqësisë ka nevojë për të pasur përgjegjësi. Qytetarët donë përgjigje për shumë pyetje që i kemi grumbulluar me muaj të tërë që s’kemi qenë në gjendje t’iu përgjigjemi as në pyetje parlamentare, as përmes këtij komisioni, andaj edhe një herë po them nuk kemi nevojë të shohim një ministër si syret”, tha Musliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat