Reagime në Kosovë për raportin e DASH-it mbi të drejtat e njeriut

Aktuale

Reagime në Kosovë për raportin e DASH-it mbi të drejtat e njeriut

Më: 14 mars 2019 Në ora: 15:53
Ilustrim

Udhëheqës të institucioneve në Kosovë thanë të enjten se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që nëpërmjet reformave, të përmirësojnë sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër dukurive negative.

Komentet e tyre pasuan raportin e Departamentit amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut i cili në kapitullin për Kosovën veçon si probleme korrupsionin në strukturat qeveritare, kërcënimet e dhunën ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të pakicave nga forcat e rendit, si dhe kthimin e personave që përmbushin standardin e refugjatit në vendet e origjinës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në rrjetet sociale bëri thirrje që institucionet e Kosovës t’i marrin seriozisht të gjitha ngecjet që janë publikuar në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit. “Ne duhet ta vazhdojmë luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe t’i garantojmë të drejtat e qytetarëve të të gjitha komuniteteve tona, si vlera mbi të cilat e kemi ndërtuar shtetin tone”, shkroi presidenti Thaçi.

Image

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett i bëri jehonë raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, ndërsa e cilësoi si hap përpara miratimin e Kodit Penal në Kosovë. Por, ambasadori Kosnett shkroi në twitter, se përparimi i Kosovës “vazhdon të frenohet nga korrupsioni, sulmet ndaj gazetarëve, dëbimi i shtetasve të huaj pa proces të rregullt dhe dhuna kundër pakicave”.

Image

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit nxjerr në pah se “strukturat e gjyqësorit mbeten pre e ndikimeve politike dhe se sistemi është i mbingarkuar, gjë që ndikon negativisht tek të drejtat e të pandehurve për një gjykim të shpejtë.

Ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, u tha medieve se vendi është duke hartuar politika të vazhdueshme për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ai tha se çdo herë u bën thirrje prokurorëve dhe gjykatëse që të mos bien pre e ndikimeve politike.

“Kemi pasur edhe deklarata të ndryshme nga individë të ndryshëm të papërgjegjshëm që janë pjesë e politikës që e godasin prokurorinë dhe gjyqësorin dhe mendoj se në një formë të tillë, një luftë e tillë politike ndikon në heqjen e motivimit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, për këtë arsye kam kërkuar edhe nga prokurorët dhe gjyqtarët që të mos bien pre apo viktimë e këtyre sulmeve politike që mund të bëhen nga kushdo qoftë”, tha ministri Tahiri.

Sipas raportit, në muajin korrik mbeteshin për shqyrtim 280 mijë lëndë civile dhe penale. Përveç këtyre prisnin zgjidhje edhe 150 mijë raste të tjera për shkelje të vogla.

Problemet me drejtësinë ndërlikohen edhe më shumë nga rastet e korrupsionit në radhët e forcave të rendit. Raporti sjell shembullin e një numri policësh të arrestuar vjet nën akuzat për korrupsion, ndër to raste për abuzim pushteti si dhe mitmarrje.

Një raport i publikuar këtë javë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vë në pah se gjatë tri viteve të fundit nuk është shënuar asnjë rast i dënimit të zyrtarëve të profilit të lartë për përfshirje në korrupsion. Sipas raportit, shkalla e mos ndëshkimit të korrupsionit, është shqetësuese, ndërsa mungon vullneti i duhur politik për ta luftuar atë. Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë thonë se kjo gjendje paraqet rrezik jo vetëm për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat