Ymeri komenton raportin e DASH: Republika e kapur dhe e korruptuar - Bota Sot
Ymeri komenton raportin e DASH: Republika e kapur dhe e korruptuar

Aktuale

Ymeri komenton raportin e DASH: Republika e kapur dhe e korruptuar

Më: 14 mars 2019 Në ora: 19:40
Visar Ymeri

Deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri duke komentuar raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, ka thënë se ndër problemet më shqetësuese të raportit është korrupsioni dhe se për këtë Kosova po shndërrohet “në Republikë të kapur dhe korruptive që po prodhon vetëm oligarki, zhvatje”.

Në një shkrim në Facebook, deputeti Ymeri shtoi se rritja e korrupsionit është drejtpërdrejt e lidhur me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut.

“Ky lloj shteti është shtet i kapur, meqë korrupsioni është mekanizëm që, duke i përjashtuar procedurat demokratike e orientimin e politikave kah e mira e përgjithshme, e privatizon aparatin shtetëror për ta vënë atë në funksion të interesit të pakicës sunduese. Kur kësaj i shtohet edhe identifikimi etnik politik, atëherë formula është e gatshme. Tjetri, përherë i reduktuar në numër, shihet me dyshim dhe si rrezik”, tha Ymeri. 

Ky është  komenti i tij i plotë  në  facebook:

REPUBLIKA E KAPUR DHE E KORRUPTUAR, SHKAK I SHKELJEVE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit që vlerëson respektimin e të drejtave nëpër vende të ndryshme të botës ravijëzon disa probleme që janë shfaqur në Kosovë për periudhën raportuese.

Ndër më shqetësueset mbeten korrupsioni, ekstradimi i shtetasve të huaj pa proces paraprak ligjor, si dhe pozita e pakicave etnike e shoqërore në Republikën e Kosovës.

Natyrisht që rritja e korrupsionit është drejtpërdrejt e lidhur me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut.

Në mënyrë implicite, korrupsioni nënkupton cungim të mundësive për shumicën duke e përqendruar pasurinë/pushtetin në duart e pakicës.

Ky lloj shteti është shtet i kapur, meqë korrupsioni është mekanizëm që, duke i përjashtuar procedurat demokratike e orientimin e politikave kah e mira e përgjithshme, e privatizon aparatin shtetëror për ta vënë atë në funksion të interesit të pakicës sunduese. Kur kësaj i shtohet edhe identifikimi etnik politik, atëherë formula është e gatshme. Tjetri, përherë i reduktuar në numër, shihet me dyshim dhe si rrezik.

Kështu Republika e kapur dhe e korruptuar shndërrohet në të kundërtën e vet – në vend se demokraci gjithëpërfshirëse, prodhon oligarki sunduese; në vend rishpërndarje për mirëqenien e përgjithshme, prodhon zhvatje për pasurim të sunduesve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...