Kërkohet që kompensimi i orëve të nisë nga java e ardhshme, SBASHK-u kundërshton

Aktuale

Kërkohet që kompensimi i orëve të nisë nga java e ardhshme, SBASHK-u kundërshton

Më: 15 mars 2019 Në ora: 12:56
SBASHK

Përkundër diskutimeve të shumta në Komisionin Parlamentar për Arsim, nuk është gjetur një zgjidhje mes SBASHK-ut dhe MASHT-it për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mbajtur të mësimdhënësve.

Komisioni kërkoi që pavarësisht gjitha shpjegimeve orët duhet të kompensohen dhe përmes një  propozimi i është dhënë 1 javë kohë kryetarit të SBASHK-ut që të thërret Këshillin Drejtues dhe prej të shtunës së ardhshme të merret vendimi në mënyrë që  të filloi kompensimi i orëve

 Përkundër kësaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ishte këmbëngulës në vendimin e tij për kompensim të orëve dhe se në rast të mos respektimit do të merren gjitha masat përkatëse. Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut kërkoi që ministri të tërheq vendimin e tij dhe vet mësimdhënësit të pajtohen, apo jo që të kompensohen orët në aspektin moral.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi duke përmendur grevën në arsim tha se humbja e orëve, pavarësisht kompensimeve që mund të ndodhin do të jetë jo e mirë për cilësinë e mësimit.

Përkundër kësaj, ai u shpreh i vendosur se si komision ata kanë konsideruar se ky kompensim  duhet të ndodhë pavarësisht shpjegimeve që mund të gjendën.

Për këto arsye, Kurteshi dha një propozim që t’i jepet 1 javë kohë sindikatës, që kjo e fundit të ulet me Këshillin Drejtues dhe për arsye morale të merret vendimi prej të shtunës së ardhshme të filloi mësimi.

Kurteshi: T’i jepet kohë 1 javë sindikatës, prej të shtunës së ardhshme të filloj mësimi

“ Qëndrimi jonë është publik, si komision që kërkojmë mirëkuptim dhe kërkojmë që fëmijët të mos e pësojnë nga vendimet edhe pse siç e thash në fillim se e kanë pësuar me humbjen e mësimit të rregullt. Për këtë dikush duhet me bart përgjegjësi.. Të jepet kohë sindikatës 1 javë, nesër mos të mbahet mësimi që të ulet me këshillin e vet dhe të merr vendim për vazhdimin e mësimit, ose mos të pengohet mësimi dhe që pastaj prej të shtunës së ardhshme ashtu siç tha dhe kryetari të fillojë mësimi në gjithë territorin e Kosovës pa bërë laramani herë andej, e herë këndej. Kërkojë nga Ministria që të jetë tolerante për ditën e nesërme të mos vlej vendimi i ministrisë, por mësimi të fillojë të zëvendësohet prej javës së ardhshme”, tha Kurteshi.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Shyqyri Bytyqi u shpreh se vendimi për kompensim të orëve ka qenë më i mirë që kanë mundur të gjejnë.

 Sipas tij, mbas diskutimeve me gjithë palët dhe drejtorët e DKA, kanë arritur të gjejnë modalitete që të kompensohen orët e humbura në formën që e kanë paraqitur në publik.

Kurse për gjithë ata që e kundërshtojnë këtë, ai tha se do të merren masa ndëshkuese.

Bytyqi: Individët që do ta pengojnë procesin mësimor ne do të marrim masat

“Nga takimi i përbashkët ka dal që kjo forma me e shpërnda 5 ditë në vikende, 5 ditë në pushimin pranveror, pasi është stërzgjatur pushimi dimëror dhe 5 ditë në fundit e vitit shkollor do të ishte forma më e mirë që do të kompensohej dhe do të minimizonte atë dëmin e madh që ka ndodhur...ne në përgjithësi kemi marr përgjigje pozitive nga të gjitha komunat, të cilat tash do të fillojnë të zbatojnë këtë vendim, vetëm kanë përcaktuar programet e tyre. Besoj që vendimi do të respektohet ashtu siç është, pasi është në të mirën e nxënësve ton...nuk mund të tolerohet që një nxënës i klasës së parë të humb 15 ditë mësim, të cilat mund të jenë shtatë shkronja minimumi se mund të jetë dhe më shumë, dhe të themi se s’ka rëndësi dhe të vazhdohet tutje...ky vendim ka obligim të zbatohet, tashmë ne jemi në terren, inspektorati ka marr vendim që të jetë në terren dhe individët që do ta pengojnë procesi n mësimor ne do të marrim masat tjera. SBASHK-u në mënyrë vullnetare të deklarohet të kompensohen orët, ose jo kaq duhet jetë një deklarim, nuk mundet SBASHK-u të merr vendime, nuk është SBASHK-u organ vendimmarrës, SBASHK-u vendim moralisht duhet të reagoj”, deklaroi ministri Bytyqi.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, fillimisht pati kritika ndaj anëtarëve të komisionit, pasi që sipas tij me  anë të asaj që po kërkohet po mundohen me zbeh rolin e grevave. Ndërsa, më pas kërkoi që ministri të tërheq vendimin e tij, dhe pas diskutimeve të merret vendimi nga ana e mësimdhënësve që të kompensohen orët, apo jo.

Jasharaj: Ministri e tërheq Ligjin, ne mbajmë mbledhjen

“Të nderuar deputetë në të ardhmen ju po doni që në të ardhmen të zbehet vlera dhe fuqia e grevës, pse do të bënin njerëzit grevë në të ardhmen, kur paraprakisht do t’i detyrojmë dhunshëm të zëvendësojmë orët. Kjo është shkelje e thjeshtë dhe e rëndë që të shprehin një pakënaqësi të tyre..  do ta thërras Këshillin Drejtues të shtunën do t’i them që ministri bëri hapin pozitiv e tërhoqi vendimin dhe nuk e kanë obligim ligjor arsimtarët që të kompensojnë orët. Do t’i lus arsimtarët pavarësisht sa do të më kushtojë si personalitet, do të kalojmë tek elementi human dhe njerëzor dhe ata do t’i zëvendësojnë orët duke u organizuar secila shkollë sipas natyrës së punës së vet dhe orët besoj që arsimtarët do t’i zëvendësojnë. Mos u mundoni me bind opinionin se shumica po dëshiron me i zëvendësuar. Me qenë shumica, kush është Rrahman Jashari që po mundet me i ndal dhe me çka, mos më paraqi tni ata që nuk jam...ministri e tërheq ligjin, ne mbajmë mbledhjen.”, tha Jasharaj.

Deputeti nga radhët e PSD-së, Driton Çaushi u shpreh me akuza  ndaj kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharajt,  sipas tij  deklaratat e tij janë  të padrejta dhe përjashtuese ku thotë se nuk e kanë ndërmend të kompensohen orët e humbura.

 Ai pati një kërkesë ndaj tij, që të merret një vendim që si obligim moral të kompensohen orët.

Çaushi: Deklaratat e juaja janë komplet përjashtuese

“Unë i kam pa qëndrimet e juaja, mundem me thënë janë zhgënjyese në mënyrën se si ju e ndjeni mënyrën dhe obligimin e institucionit të punëtorëve që ju përfaqësoni. Pra, pranoni që ka obligim moral të paktën. Në anën tjetër deklaratat e juaja janë komplet përjashtuese,  thuani nuk është rritje e plotë kompensimi që pajtohem që nuk është plotësisht, por  kur thuani nuk e keni ndërmend kjo është mbyllje e rrugëve”, u shpreh deputeti i PSD-së.

Për deputeten e AAK-së, Teuta Haxhiu gjithë përfaqësuesit e Këshillit të Mësimdhënësve të Kosovës i kanë mbështetur vendimin që të kompensohen orët e humbura gjatë grevës.

Haxhiu: Gjithë u deklaruan se janë pro mbajtjes së mësimit

“Përfaqësuesit e mësimdhënësve me kryetarin me të gjithë sa ishin 5-6 veta. Me emra nuk i di që të gjithë u deklaruan se janë pro mbajtjes së mësimit. U deklaruan e keni në procesverbal”, tha Haxhiu.

Zgjidhje për zëvendësim të orëve kërkoi dhe deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj e cila kërkoi të një emërues të përbashkët në mënyrë që nxënësit mos të humbin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat