LDK dhe VV: Ligji për Dialogun është në kundërshtim në 8 nene të Kushtetutës së Kosovës - Bota Sot
LDK dhe VV: Ligji për Dialogun është në kundërshtim në 8 nene të Kushtetutës së Kosovës

Aktuale

LDK dhe VV: Ligji për Dialogun është në kundërshtim në 8 nene të Kushtetutës së Kosovës

Më: 15 mars 2019 Në ora: 13:53
Albulena Haxhiu dhe Driton Selmanaj

(E plotesuar) - Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po konsiderojnë që Ligji për Dialogun është në kundërshtim me së paku 8 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe për këtë arsye e kanë dërguar në Kushtetuese në mënyrë që kjo e fundit të rrëzojë këtë Ligj.

Deputetët nga radhët e këtyre dy partive politike, Driton Selmanaj dhe Albulena Haxhiu përmes një konference për media,  njëzëri  u shprehen se Projektligji për Dialogun është i dëmshëm dhe i vetmi që po përfiton nga ai është presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj fillimisht u shpreh se e kundërshtojnë në tërësi Projektligjin dhe pastaj i renditi nenet që sipas tij janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Selmanaj: E kundërshtojmë në tërësi këtë projektligj

“Po e kundërshtojmë në tërësi këtë Projektligj sepse po vlerësojmë se Projektligji i tillë është në kundërshtim me shumë nene  të Kushtetues. Fillimisht shkel nenin 2 të Kushtetues ku flet për sovranitetin, nenin 4 të Kushtetutës ku flet për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, nenin 7 të Kushtetutës ku flet për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Nenin 18 të Kushtetutës ku flet për marrëveshjet ose ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Nenin 20 të Kushtetutës  ku flet për bartjen e sovranitetit ose kalimin e kompetencave shtetërore. Nenin 65 të Kushtetutës ku flet për kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Nenin 93 të Kushtetutës ku flet për kompetencat e Qeverisë dhe nenin 94 të Kushtetutës ku flet për kompetencat e kryeministrit.”, tha ai.

Ai mes tjerash tha se në përmbajtje të kundërshtimit ndaj projektligjit koncentrohet në tri shtylla ku përmes tyre po pretendohet të ndryshohet hierarkia institucionale, kompetencat ligjore të delegacionit dhe e treta që ka të bëjë me përpjekjet për t’i dhënë këtij ligji karakter ‘Lek Speciales’, të mbivendoset mbi ligjet tjera.

Selmanaj: Ky projektligj të rrëzohet dhe mandati i Kushtetutës i institucioneve mos të cenohet

“Ne si grupe parlamentare, si deputetë të dy partive politike e kontestojmë në tërësi kushtetuetshmërinë e këtij ligji dhe po besojmë që përgjigja do të jetë dhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese që ky projektligj të rrëzohet dhe mandati kushtetues i institucioneve mos të cenohet, por përkundrazi të realizohet”,shtoi deputeti Selmanaj.

Kurse, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu tha se pa asnjë autorizim  nga Kuvendi i Kosovës dhe kundër Kushtetutës dialogun e ka marr presidenti, i cili siç thotë deputetja po e shfrytëzon projektligjin si masë mbrojtëse për të udhëhequr dialogun me Serbinë.

Haxhiu i renditi kritikat ndaj ekipit shtetëror  për dialog dhe ish bashkë partiakëve të saj nga PSD,  pasi sipas saj deri më tani ata nuk kanë pasur vullnet që përmes Kuvendit t’ia ndalojnë presidentit ndarjen Kosovës. 

Kurse, nga Gjykata Kushtetuese, Haxhiu bëri të ditur se kanë kërkuar që të vendos menjëherë masë të përkohshme për të ndaluar ekipin e dialogut të marr ndonjë veprim karshi dialogut me Serbinë.

Haxhiu: Kemi kërkuar dhe vendosjen e menjëhershme të masës së përkohshme

“Përveç shkeljeve kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese kemi kërkuar dhe vendosjen e menjëhershme të masës së përkohshme edhe pse projektligji në fjalë cenon formën e qeverisjes, ndarjen e pushtetit dhe vlerat në të cilat qëndron rendi kushtetues i Kosovës... kjo do të ndalonte këtë ekip në marrjen e çfarëdo veprimi në raport me dialogun me Serbinë. Po ashtu dhe gjitha argumentet tona si politike ashtu dhe juridike janë në anën tonë, ne kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese aprovimin për seancë dëgjimore dhe kjo do të ishte një vendim i drejt”, tha Haxhiu.

Mes tjerash, ajo konsideroi se për të ndaluar Hashim Thaçin do t’i ndërmarrin gjitha masat, përfshirë edhe protestat. Protestat nuk i hedh poshtë as  Selmanaj i LDK-së, i cili këtë e konsideroi si mjetin e fundit të kundërshtimit.

***

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Deputetët nga radhët e këtyre dy partive politike, njëzëri u shprehen se e kundërshtojnë në tërësi kushtutetshmërinë e këtij ligji.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se ky ligj shkel kushtetutën së paku në nëntë nene.

“Ne po e kontestojmë në tërësi këtë projekt ligj, ky projektligj shkel nenin 2, nenin 4, nenin 7, 18, 20, 90 dhe 94, dhe të gjitha këto shkelje antikushtetuese”, tha ai.

Sipas tij, përmes këtij ligji po krijohet një tendencë që të avancohet një trup, si ekipi i dialogut e që është anti kushtetues.

“Kjo përpjekje e cenon rëndë hierarkinë e institucioneve dhe synon që të deformohen pushtetet në Kosovë“, shtoi Selmanaj.

Kurse, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, tha se presidenti i vendit ka marrë përsipër çështjen e dialogut, pa asnjë autorizim nga Kuvendi, gjë që sipas saj është antikushtetuese.

 “Kuvendi deri më tani do të duhej që ndalonte Presidentin Hashim Thaçi të dialogojë për ndarje të Kosovës.”

Ajo konsideron se përmes këtij ligji po mundohen që t’ia përshtatin mënyrën e dialogun presidentit Thaçi.

Haxhiu bëri të ditur se kanë kërkuar që menjëherë të vendoset masë e përkohshme për të ndaluar këtë ekip të marrë ndonjë veprim për dialogun me Serbinë.

Ajo ka paralajmëruar se për të kundërshtuar këtë çështje do të organizojnë edhe protesta.

Protestat nuk i përjashtoi as deputeti Selmanaj, i cili tha se megjithatë i shohin si mjetin e fundit të kundërshtimit. 

***

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës bashkë me atë të Vetëvendosjes sot do të mbajnë një konferencë për gazetarë ku do të njoftojnë në lidhje me dërgimin në Kushtetuese të Ligjit për Dialogun.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...