Kunata e kryeministrit punësohet si zv/drejtoreshë e Financave në Telekom - Bota Sot
Kunata e kryeministrit punësohet si zv/drejtoreshë e Financave në Telekom

Aktuale

Kunata e kryeministrit punësohet si zv/drejtoreshë e Financave në Telekom

Më: 15 mars 2019 Në ora: 19:29
Ramush Haradinaj

Pozitë shumë të rëndësishme brenda Telekomit, ka marrë muajin e kaluar Vesmira Haxhaj – Haradinaj.

Zëvendësdrejtoresha e re e Financave në ndërmarrjen publike, është kunata e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj – gruaja e vëllait të tij, Frashër Haradinaj.

Ka disa javë që ajo është parë në punën e saj të re, por KTV-ja ka mundur të vërtetojë se ajo e ka marrë kontratën nga 22 shkurti, kurse në sistem ka hyrë vetëm brenda kësaj jave.

Ani pse rroga e saj prej rreth 2,200 eurosh, është pak më e vogël se e kunatit-kryeministër dhe e barasvlershme me atë të kunatit tjetër, deputetit Daut Haradinaj, ajo është vënë në këtë pozitë pa u shpallur fare konkurs.

Në qershor të vitit të kaluar, Haradinaj kishte thënë se njerëzit e Aleancës nuk kishin guxuar as të konkurrojnë për vende pune në kohën që kjo parti ishte në opozitë.

Kohavisioni ka dërguar pyetje edhe te Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nëse ai ka përdorur autoritetin e tij për ta punësuar kunatën në Telekom, por Kryeministria nuk ka kthyer përgjigje.

Përgjigje për këtë emërim apo punësim nuk ka dhënë as menaxhmenti i Telekomit, pavarësisht që televizioni ka pritur dy ditë për përgjigje.

Kontakti me Haxhaj-Haradinajn, zëvendësdrejtoreshën e re të Financave, ka qenë i pamundur.

Punësimi i saj e shton listën e gjatë të të punësuarve me nepotizëm, në valën e madhe të punësimeve në Telekom, të nisur nga shkurti i vitit 2018, pak muaj pasi që AAK-ja e mori pushtetin.

Pikërisht pas raportimeve të vazhdueshme, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet për këto punësime.

Prokuroria, gjithashtu, ka konfirmuar se tashmë janë marrë dokumentacione nga zyrat e Telekomit, në shërbim të këtyre hetimeve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...