Propozohet aktivizimi i Grupit të Kontaktit për të zgjidhur problemin Kosovë-Serbi

Aktuale

Propozohet aktivizimi i Grupit të Kontaktit për të zgjidhur problemin Kosovë-Serbi

Më: 16 mars 2019 Në ora: 11:56
Ilustrim

Çelësi për zgjidhjen e nyjës së Kosovës është organizimi i një konference nga fuqitë e mëdha. Kjo mund të arrihet përmes aktivizimit të ish-anëtarëve të Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit.

Rruga për përfshirjen e Amerikës, Rusisë, Kinës dhe fuqive tjera në procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të jetë një konferencë ndërkombëtare mbi Ballkanin.

Diplomatët që janë ekspert të raporteve ndërkombëtare, të cilët e mirëpresin qëndrimin e Përfaqësueses së Lartë të B E-së, që ajo është e gatshme të flas me anëtarët e Këshillit të Sigurimit për të gjetur një zgjidhjes për nyjën e Kosovës, po ashtu edhe mesazhin e raportuesit për Serbinë në Parlamentin Evropian, David McAllister që “ është e kapshme që fuqitë e mëdha si Këshilli i Sigurimit, Rusia dhe Amerika, të involvohen në debatin politik se si duhet të vazhdohet më tutje me dialogun”.

Sipas ish-ministrit të Jashtëm të ish-republikës federale të Jugosllavisë, Zivadin Jovanoviq, hapi i parë drejt kësaj mund të jetë një takim i drejtorëve për politik të jashtme të pesë shteteve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit (SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Kina dhe Rusia), dhe Gjermania dhe Italia. Jovanoviq thotë se kjo mund të jetë një ‘format përgatitor”, që mund të përfshijë ish-anëtarët e Grupit të Kontaktit në çështjen  e Kosovës, të cilët kanë pasur një rol aktiv në procesin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës përpara se NATO-ja të ndërhyjë ushtarakisht në fund të viteve të 90-ta. Këtë takim ai thotë se mund ta pasojë një raport, që më pas do të mund të diskutohej nga ministrat e Punëve të Jashtme të të gjitha vendeve, shkruan “Novosti”.

Në fazën tjetër, ai thotë se duhet të përfshihen diplomatët e Beogradit dhe të Prishtinës të ndërmjetësuar nga një palë e tretë, dhe në momentin kur do të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dy palët, ajo duhet të dërgohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Për të gjithë kjo mund të duket që do të marrë shumë kohë, por ngutja nuk është aleat në këtë proces”, thotë Jovanoviq.

Sipas tij Rusia dhe Kina nuk janë forca dytësore të cilët vetëm mund të thonë atë se çfarë mendojnë, por duhet që të jenë vendimtare në zgjidhje.

“Nëse Brukseli e sjell në Këshill të Sigurimit një marrëveshje, në të cilën Rusia dhe Kina nuk participojnë, atëherë është e qartë që ajo do të jetë në një linjë me interesat gjeo-politike të Perëndimit”, konkludon diplomati serb.

Ndërsa në anën tjetër Profesori për çështje ndërkombëtare, Bojan Milosavjeviq, mendon që një marrëveshje direkt ndërmjet dy palëve nuk është e mundur, prandaj duhet një konferencë ndërkombëtare, që duhet përgatitur mjaft mirë, në mënyrë të drejtë që të arrihet një zgjidhje, e cila garanton një paqe afatgjate.

“Në situata të tilla, puna e parë që duhet të bëhet është hulumtimit , që nënkupton se lojtarët e fortë, si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe BE, do të diskutojnë mes vete nëse është e mundur të arrihet një zgjidhje. Më pas ata duhet të përcaktojnë parimet e negocimit duke përcaktuar disa pika”, thotë ai .

Ai gjithashtu beson se nëse një konferencë e tillë do të mblidhet, në të duhet trajtuar rajoni i Ballkanit Perëndimor, në veçanti marrëveshjen e Dejtonit për Bosnjën, e cila ka  treguar se nuk ka rezultuar efektive për komunitetin.

Për shtetet e Bashkimit Evropian është e qartë që absolutisht nuk duhet të ketë ndryshim të formatit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogardit, ka thënë kreu i delegacionit të BE-së në Beograd, Sam Fabrizi, teksa ka komentuar qëndrimin e David McAllister. Fabrizi ka rikujtuar se BE-ja është aty për të mbështetur dialogun, bazuar në mandatin që i ka thënë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme, ligjërisht të detyrueshme, dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Idenë për organizimin e një konference ndërkombëtare e ka hedhur në publik edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka mjaft shumë kritika për mënyrën se si Federica Mogherini ka udhëhequr bisedimet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë një ide e tillë ka hasur në kundërshtim të fortë nga presidenti Thaçi i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet lejuar të ndodh, pasi aty i mundësohet edhe Rusisë që të përfshihet.

Grupi i Kontaktit një grup informal i disa shteteve me interesa në Ballkan. Shtetet përbërëse janë ShBA, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia.Për herë të parë ky grup u mbledh në fillim të viteve të 90-ta në lidhje me luftën në Bosnjë. Pas mbarimit të luftës në Kosovë ky grup ka pasur takime shumë herë ku është diskutuar Kosova. Në takimet e viteve të fundit në qendër ka qëndruar zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës. Më 26 janar 2007 ky grup ishin të parët që u njoftuan nga përfaqësuesi i OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisaari, me përmbajtjen e dokumentit që propozon pavarësi për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat