Krerët e shtetit e pranojnë se në Kosovë ka nepotizëm

Aktuale

Krerët e shtetit e pranojnë se në Kosovë ka nepotizëm

Më: 18 mars 2019 Në ora: 11:55
Krerët e shtetit e pranojnë se në Kosovë ka nepotizëm

Në pozita të larta drejtuese në Kosovë vazhdojnë të emërohen persona të cilët kanë lidhje me politikën, ani pse ata nuk përmbushin kriteret për atë pozitë në të cilën emërohen.

Kështu është thënë në konferencën e organizuar për fazën e dytë të projektit të Rekrutimit të financuar nga Ambasada Britanike "Forcimi i Qeverisjes së Mirë, Transparencës dhe Përgjegjshmërisë së Institucioneve të Kosovës", për pozitat e larta drejtuese brenda shërbimit civil dhe institucioneve të pavarura.

Përveç nga ambasada, edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës e kanë pranuar se po vazhdojnë emërimet në baza partiake.

Në një vjetorin e këtij projekti, eksperti i rekrutimit të lartë dhe vlerësimit në BDO, Charlie Eyre, ka treguar rezultatet që kanë arritur brenda këtij viti. Ai ka potencuar se ka raste kur një kandidat merr vlerësimin se nuk është i përshtatshëm për atë pozitë dhe pikërisht ai përzgjidhet, e kjo sipas tij është shqetësuese.

Eyre: Ka pasur kandidat të cilët i kemi konsideruar që nuk mund të emërohen dhe ata janë përzgjedhur

“E kemi një problem kur rekomandimet dhe rezultatet në bazë të vlerësimit bazuar në meritë nuk po pasqyrohen, nuk po reflektohen në vendimet përfundimtare... Kemi pasur raste kur ka pasur dakordim të plotë mes komisionit dhe neve si partnerë zbatues për kandidatët më të përformuar, por prapë në këtë rast ka pasur kandidatë të tjerë që janë emëruar dhe kjo është kundër parimeve tona. Sa i përket detajeve specifike ne kemi pasur procese ku rezultati ka qenë i qartë, nga këto 9 nga 30 kanë rezultuar ku kandidati jonë më i vlerësuari është emëruar në pozitë. Pastaj ka pasur raste kur kandidati që është emëruar nuk ka qenë kandidati më i vlerësuari tek ne, por megjithatë ne kemi vlerësuar edhe atë kandidat si kandidat që mund të emërohet... Janë 5 procese që kemi zhvilluar kur ka pasur kandidat të cilët i kemi konsideruar që nuk mund të emërohen dhe ata janë përzgjedhur dhe kjo është një shqetësim”, tha ai.

I zhgënjyer me rezultatet e punësimit për këtë vit ka thënë të jetë ambasadori i Britanisë së Madhe Ruairi O’Connell, i cili ka thënë se  vitin e kaluar projekti ka shkuar më mirë sesa e kanë pritur, por këtë vit ai thotë  se fatkeqësisht nuk mund ta thotë një gjë të tillë, madje sipas tij, ka kthim mbrapa.

Ai tha se në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese ka raportime shqetësuese për interferimin në proces, falsifikim të dokumenteve për të përmbushur kriteret formale, konflikt interesi mes panelit dhe kandidatëve të intervistuar dhe anime në favor të një kandidati.

Ambasadori O’Connell tha se suksesi i këtij projekti është sukses i Kosovës, siç edhe në rast dështimi është i Kosovës. O’Connell ka përmendur rastin e një personi, i cili ka plotësuar kriteret në shumë pozita ku ka aplikuar, por nuk është zgjedhur pasi nuk ka pasur lidhje me politikën.

O’Connell: Për fat të keq edhe sivjet kemi emërime të kandidatëve të pakualifikuar

“Për fat të keq edhe sivjet kemi emërime të kandidatëve të pakualifikuar, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e meritokracisë. Rasti i emërimit të drejtorit të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës  është shembull konkret, përzgjedhja e tij në dëm të kandidates së vetme të pavarur dhe profesionale që kishte përmbushur kriteret për këtë pozitë u bë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata e dinin shumë mirë që procesi fer dhe transparent dhe meritokratik e kishte vlerësuar të përzgjedhurin e tyre si jo të kualifikuar... Enis Berisha i cili deri më tani ka aplikuar dhe është vlerësuar mirë në 7 procese, madje në disa e kanë kualifikuar edhe si kandidatin me më së shumti pikë, por i cili kurrë nuk është emëruar, as nga Kuvendi as nga Qeveria. Rasti i Enisit nuk është rasti i vetëm, e meta e tyre është që nuk kanë lidhje politike, duhet t ë jetë e rëndë të jesh profesionist dhe të mos vlerësohesh nga shteti yt. Një qasje e tillë që penalizon profesionalizmin në favor të nepotizmit po shkatërron institucionet, siç po shohim të gjithë në rastin e Postës”, tha ai.

Ambasadori britanik shtoi se nuk kanë hequr dorë nga Kosova, sepse besojnë në qytetari aktive e cila do të kërkojë llogari nga të përzgjedhurit e saj.

Se në Kosovë ka emërime në baza partiake e ka pranuar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili ka thënë se nga emërime të tilla po humbet besimi i qytetarëve e të cilët pastaj po largohen nga Kosova.

Veseli u shpreh se  projekti me Ambasadën Britanike ka ecur dhe ka pasur disa rezultate, por potencoi se në cdo matje të besimit qytetar ka ulje të tij edhe në agjencionet e pavarura, në ndërmarrjet publike, por edhe brenda vet institucioneve të Kosovës.

Veseli: Duhet ndalur kjo praktikë që kush e ka më së afërmi pushtetin të i punësojë njerëzit e vet

“Ajo që duhet të bëjmë më shumë, duhet ta bëjmë ne vet kosovarët, duhet të jemi më përgjegjës para ligjit, para etikës, para qytetarëve, për vet faktin se ne mund ta ndërtojmë këtë shtet, ne mund ta krijojmë besimin tek qytetarët tanë. Por, në të njëjtën kohë ne mund edhe ta humbim besimin e tyre. Unë jam edhe vetëkritik, partia ima ka disa vite që është në pushtet, por duhet ndalur kjo praktikë që kush e ka më së afërmi pushtetin me i punësua njerëzit e vet, nga PDK e cdo parti tjetër. Pastaj nuk po lodhën disa, për vet faktin hiç nuk po mërzitën edhe ka 3 e 4 veta. Këta njerëz duhet të ndalen dhe këta njerëz do t’i ndalim”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit ka thënë se inkurajon shoqërinë civile dhe mediat, që të tregohen të guximshëm dhe të zëshëm për të ndalur njerëzit e tillë, për siç ka thënë se do ta shkatërrojnë perspektiven e shtetit.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ambasada Britanike ka ndihmuar në kthimin e besimit në organet publike, por edhe rekrutimin në pozita të larta të shërbimit civil duke e parandaluar nepotizmin dhe duke e konsoliduar transparencën, meritokracinë dhe qeverisjen  e mirë.

Megjithatë, kreu i Qeverisë, thotë se ka pasur edhe lëshime dhe dëme me të cilat duhet të përballen.

Haradinaj: Zhvillimi e konsolidimi i një vendi duhet të burojë nga ne dhe ende kemi punë për të bërë

“Deri tani janë gjithsej 44 pozita të larta drejtuese të realizuara përmes partneritetit me Ambasadën Britanike për dy ditët e fundit dhe jemi dakorduar edhe për pozita të cilat do të realizohen në periudhën që kemi para nesh. Kuptohet, demokracia dhe qeverisja e mirë janë më shumë se qëllime në vete, janë procese. Zhvillimi e konsolidimi i një vendi duhet të burojë nga ne, nga vetëdija jonë dhe ende kemi punë për të bërë. Jemi me fat që ekspertizën shumë vjeçare britanike e kemi dhuratë dhe këtë duhet ta çmojmë por edhe nderojmë më punë të mirë dhe të ndershme. Vetëm në këtë mënyrë ne vërtet e avancojmë edhe vetëdijen tonë dhe dashurinë ndaj atdheut, por edhe respektin për mikun e çmuar të Kosovës, Britaninë e Madhe”, tha kryeministri Haradinaj.

Përveç Ambasadës së Britanisë dhe partneri zbatues i projektit firma BDO, një monitorim të proceseve të pozitave të larta e ka bërë edhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, ku edhe në raportin e tyre thuhet se institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë dështuar të garantojnë qasje të barabartë dhe meritokraci në punësim.

Projekti i Ambasadës Britanike për rekrutimet në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil dhe institucionet e pavarura ka filluar fazën e parë në tetor të vitit 2016, ndërsa, faza e dytë është nga shtatori 2018 dhe do të zgjasë deri në mars 2020, ku ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me Kuvendin e Kosovës, Qeverisë dhe Komunën e Prishtinës dhe të Pejës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat