Porosia e zyrtares nga Departamenti i Shtetit amerikan për liderët e Kosovës

Aktuale

Porosia e zyrtares nga Departamenti i Shtetit amerikan për liderët e Kosovës

Më: 18 mars 2019 Në ora: 14:46
Kirsten D. Madison

(E plotësuar) - Ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), Kirsten D. Madison, deklaroi sot se dështimi në adresimin e korrupsionit do të minojë përfundimisht edhe ligjet e shkruara më së miri, ndërsa shtoi se SHBA ka nevojë për partnerë dhe udhëheqje serioze për të pasur sukses.

Ajo këto komente i bëri me rastin e dhënies donacion të softuerit për identifikim të shenjave të gishtërinjve, i njohur si AFIS.

“AFIS është një sistem i bazës së të dhënave penale që përpunon, modifikon, kontrollon, gjen dhe ruan gjurmët e gishtërinjve dhe të pëllëmbëve për të identifikuar kryerësit e krimeve. Përdoret për përpunimin e informatave nga skenat e krimit, për të ndihmuar qendrat e ndalimit dhe kalimet kufitare dhe për të koordinuar shkëmbimin e informacionit me organet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit si INTERPOL. Ky donacion i SHBA-së përfaqëson një investim prej miliona dollarësh në Kosovë, si një partner i fuqishëm i zbatimit të ligjit që po forcon përkushtimin e vet për sundimin e ligjit”, tha ajo.

Madison theksoi se asistenca për AKF-në është vetëm një pjesë e vogël për sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë, ku janë përfshirë fonde për Policinë e Kosovës, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Inspektoratin Policor të Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe Ministritë e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme.

“SHBA i bën këto investime në Kosovë me shpresën se Kosova do të mbetet një partner për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në rajon. Krimi i organizuar transnacional ndikon në të gjitha vendet dhe të gjithë përfitojmë kur arrijnë të lehtësojmë bashkëpunimin dhe të përmirësojmë aftësitë e kombeve të tjera. Kosova ka arritur përparim të rëndësishëm në forcimin e institucioneve të veta të sundimit të ligjit, legjislacionit dhe të efikasitetit gjyqësor. Por besimi i publikut mbetet i ulët. Dështimi në adresimin e korrupsionit do të minojnë përfundimisht edhe ligjet e shkruara më së miri dhe institucionet më të reformuara dhe qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë. Ne duam t’ju ndihmojmë të bëni përparim dhe ne kemi nevojë për partnerë dhe udhëheqje serioze në qeveri, në gjyqësor, Kuvend, polici dhe në mesin e popullatës për të qenë të suksesshëm”, tha ajo.

Image

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se Kosova është ndër shtetet e pakta që ka një donacion të tillë.

“Ne do të falënderojmë partnerët dhe do të jemi përkrahë tyre derisa Kosova të ketë një standard të avancuar në forenzikë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat