Ish-ushtari i UÇK-së thyen rekord: Njeh tri gjuhë, ka fakultet, aplikoi mbi 100 herë dhe nuk u punësua

Aktuale

Ish-ushtari i UÇK-së thyen rekord: Njeh tri gjuhë, ka fakultet, aplikoi mbi 100 herë dhe nuk u punësua

Më: 18 mars 2019 Në ora: 16:38
Foto ilustrim

Një ish- ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të ketë arritur rekord.

Ai këtë “arritje” e ka realizuar me numrin e madh të aplikimeve që ka bërë nëpër institucione të ndryshme për të fituar një vend pune, por deri tani pa sukses.

Bëhet fjalë për Bekim Morinën , i cili ka të mbaruar shkollimin e lartë, fakultetin, i njeh tri gjuhë të huaja dhe ende nuk ka arritur të gjejë një vend pune.

Se ka aplikuar mbi 100 herë në konkurse ka treguar vetë Morina, i cili këtë e ka bërë pasi ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell gjatë ditës së sotme përmendi një person që shtatë herë ka dalë më i miri dhe nuk është pranuar në punë.

Image
Bekim Morina

“Unë ju them se kam aplikuar me qindra herë e ende nuk jam pranuar askund. Kam të kryer fakultetin, flas tri gjuhë, e njoh mirë kompjuterin/rrjetet, por nuk më kanë ndihmuar të gjejë punë. Kam aplikuar nëpër konkurse aq shumë sa tashmë më njohin krejt fotokopjet në Prishtinë, zyrtarët e ministrive dhe institucioneve tjera”, ka thënë Morina.

Ish- ushtari i UÇK-së vlerëson se është për keqardhje që vetëm njerëz të afërt me pushtetin e politikën po gjejnë punë.

Ai thotë se është bërë njeri i njohur për gjithë fotokopjet në Prishtinë, pasi me qindra herë ka bërë gati dokumentet për konkurse.

“Besoni njerëz se kohën e fundit po ju vjen keq (marre) prej meje sa që nuk më marrin as pare për fotokopje të dokumenteve. Edhe me i pa si më shikojnë si për gjynah, se jam bërë për gjynah që aplikoj me qindra herë e plotësoj dokumentet dhe asgjë. Sa po më vjen keq prej vetes. Për mjerim jemi”, është shprehur Morina për fakteplus.

Ishte ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Conell, i cili tha hapur të hënën se Kuvendi dhe Qeveria si dy institucionet udhëheqëse janë përgjegjëse për punësimin e njerëzve pa kritere nëpër pozita të ndryshme shtetërore.

Raporte të ndryshme hulumtuese kanë theksuar shpesh herë se institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë dështuar të garantojnë qasje të barabartë dhe meritokraci në punësim. Madje është thënë se drejtuesit e institucioneve kanë ndikuar të bëhen punësimet me të njofshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat