Rasti i Donjeta Pajazitajt, dëshmon vajza e të dyshuarit kryesor Naserit, thotë se nuk i kujtohet asgjë

Aktuale

Rasti i Donjeta Pajazitajt, dëshmon vajza e të dyshuarit kryesor Naserit, thotë se nuk i kujtohet asgjë

Më: 18 mars 2019 Në ora: 18:15
Donjeta Pajazitaj

Pikërisht për shkak të deklaratave të saj kontradiktore, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt në rigjykim. Kur ajo e kishte kuptuar se babai i saj, Naser Pajazitaj, dyshohej për vrasjen e një vajze, ishte revoltuar ndaj tij dhe i kishte thënë në prezencë të prokurores “kqyr babë me cilën çikë je kon”. Por, sot, në dhënien e dëshmisë së saj, ajo nuk mbanë mend pothuajse asgjë. Në rigjykimin e sotëm u dëgjuan vajza e Naser Pajazitajt dhe shoku i tij Zeqir Zeqaj. Naseri para një viti ishte liruar nga akuzat për vrasje nga Gjykata Themelore në Pejë vitin e kaluar, por ishte dënuar për armëmbajtje pa leje.

Rigjykimi për rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt, po vazhdon të mbahet në Gjykatën Themelore të Pejës. Për shkak të deklaratave të vajzës së të akuzuarit, Arjeta Ukaj, rasti i vrasjes së Donjeta Pajazitajt ishte kthyer në rigjykim.

Sipas vlerësimit të Apelit, Gjykata Themelore e Pejës nuk kishte arritur që ta vërtetojë në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, sepse gjeti se ka kundërthënie në deklaratat e dëshmitares Arjeta Ukaj, e cila pas presionit familjar i ka ndryshuar deklaratat.

Donjeta Pajazitaj, një vajzë e moshës 24-vjeçare nga Strellci i Poshtëm i Komunës së Deçanit ishte zhdukur për 39 ditë. Familjarët atë e panë për herë të fundit duke shkuar në punë.

Sot në Gjykatën Themelore të Pejës, kanë dëshmuar shumë dëshmitarë, dhe tani po dëgjohen dëshmitarët e dërguar nga mbrojtja.

Media sjell dëshmitë e dy dëshmitarëve, Arjeta Ukaj dhe shoku i të akuzuarit Zeqir Zeqaj, me të cilin pretendohet se e kishte kaluar ditën Naseri, pikërisht ditën kur ishte zhdukur Donjeta.

Trupi i saj, u gjet më 9 nëntor të 2015 në bjeshkët e Strellcit. Nga dorasi Donjeta ishte qëlluar me dy plumba në kokë.

Arjeta Ukaj tani jeton në Francë, por në kohën kur ka ndodhur krimi, në vitin 2015, ajo jetonte në Kosovë dhe ishte në procedurë të rregullimit të dokumenteve të kurorëzimit.

Ditën kur dyshohet se u zhduk Donjeta Pajazitaj, në fshatin Strellc i Poshtëm, familja Zeqaj kishte hapur të pame pasi kishte vdekur Shefqet Zeqaj.

Pikërisht për këtë ditë, ishin pyetjet që iu parashtruan Arjeta Ukajt, pasi thuhej se ajo e kaloi ditën më babanë e saj, që akuzohet për vrasje, Naserin.

Kur Arjeta Ukaj në gjykatë u pyet se a i kujtohet a ka dhënë deklaratë më herët në polici dhe në prokurori dhe çfarë ka thënë, ajo e pranoi se ka dhënë deklaratë, por nuk iu kujtua se çka ka thënë pasi ishte shumë e stresuar.

Ajo, në Strellc, ka jetuar me babanë e saj, Naserin, nënën, motrat dhe vëllezërit, para se të shkonte për të jetuar në Francë.

Më datën 11 nëntor 2015, ajo ishte kurorëzuar, dhe para kësaj datë ajo ishte marrë me rregullimin e dokumenteve për kurorëzim. Por, ajo nuk mbajti në mend se me kë ka shkuar të rregullojë dokumentet dhe kur ka shkuar saktësisht.

Në ditën e varrimit të Shefqet Zeqajt, që sipas saj ishte bërë më datën 9 nëntor, ajo tha se ishte duke paluar dru.

“Kam qenë duke palu dru, më duket se kam shku në Strellc me babain sa më kujtohet me caktu një termin për flokë por nuk më kujtohet saktësisht”, dëshmoi vajza e të akuzuarit Naser Pajazitaj.

Në seancën gjyqësore të kaluar, që u mbajt me 29 janar të 2019, kishte dhënë dëshmi për këtë ditë edhe bashkëshortja e Naserit, Dushja.

Express ka raportuar për dëshmitë e saj dhënë në gjykatë atë ditë, ku ajo kishte thënë se para se Naseri të shkojë në varrim të Shefqet Zeqajt, paraditen e asaj dite, kishte shkuar me Arjetën (vajzën e tyre) për disa dokumente për fejesë.

“Naseri ka qenë në shtëpi, paradite ka shku me Arjetën me shiku me i ndreq disa dokumente se e kam feju, nuk më kujtohet sa ka qenë ora. Kanë ardhë në shtëpi, pastaj ka qenë varrimi i Shefqetit, me vëllezër të vetë ka dalë me shku në varrim. Ka dalë me xhip, nuk më kujtohet në sa ora, por më ka thanë që po shkojnë në varrim të Shefqetit”, ka deklaruar Dushe Pajazitaj, bashkëshortja e Naser Pajazitajt.

Por, kështu sot nuk tha Arjeta, kur ajo u pyet se a ka shkuar atë ditë në zyrën e gjendjes civile në Strellc. Arjeta u përgjigj “nuk më kujtohet”, derisa mbante në mend se atë ditë kishte shkuar për të caktuar një termin për rregullimin e flokëve.

“Ka qenë e mbyllur dhe nuk jam taku me askënd prej punëtorëve”, tha ajo, kur u pyet se a e ka caktuar terminin atë ditë.

Pas kësaj, Arjeta Ukaj tha se kishte shkuar në shtëpi dhe babai i saj (Naseri), kishte shkuar në varrimin e Shefqetit.

“Atë ditë kemi dalë më xhip, unë nuk e di kur është kthy babi, unë kam vazhdu me punë të shtëpisë më kujtohet se atë ditë nuk e di në sa ora babi me nënën kanë shku në Pejë te motra ime”, ka thënë vajza e Naser Pajazitajt, Arjeta Ukaj.

Më 9 nëntor, dëshmitarja tha se babai i saj dhe nëna e saj, kishin shkuar bashkë me Zeqir Zeqën në Pejë. E të nesërmen, më 10 nëntor, ajo tha se bashkë me babanë e saj, Naserin, kanë shkuar në Bjeshkë bashkë me Zeqir Zeqajn.

“Me datën 10 kam shku me babin në Bjeshkë me marr llamperi, ka qenë edhe Zeqir Zeqaj, kam shku paradite, nuk më kujtohet ora. Kemi shku në stan të Zeqirit kemi marr llamperi, babi për shkaqe shëndetësore nuk ka mujt me i mar vetë, e unë kam shku me i ndihmu”, ka thënë dëshmitarja, vajza e të akuzuarit.

Arjetës, prokurorja e rastit, deshi t’ia kujtonte një moment të ballafaqimit të saj me babanë e saj. Kur Arjeta e kishte parë një shenjë të arushës në xhamin e pasmë të xhipit të babait të saj; kur Arjeta ia kishte drejtuar gishtin Naserit duke i thënë se “kur është varrosë Shefqeti, babë nuk kam dalë prej dere dhe kqyr babë me cilën qike je kon”.

Pyetja e prokurores, Valbona Haxhosaj:

“A ju kujtohet juve momenti kur unë ne polici ju kam ballafaqu me babanë tuaj dhe atë, pasi që paraprakisht ju kam njoftuar se babai juaj ka deklaruar se ditën e varrimit të Shefqet Zeqaj, unë kam qenë me Arjetën për dokumente në Strellc, dhe jam ndalë afër shtëpisë së Nedisë për me përshëndetë Selim Jusajn dhe pasi juve ju kam njoftu për këtë pjesë të deklaratës dhe ju lam syzu me babain tuaj në zyrë, ju keni kërkuar me pa incizimin ku e keni parë veturën Xhip dhe babait tuaj i keni thënë se në xhamin e pasëm ka qenë një shenjë e arushës dhe i keni thënë çka u bë babë me këtë shenjë, e atëherë ju keni drejtu babait tuaj duke ia drejtuar gishtin dhe i keni thënë kur “kur është varrosë Shefqeti babë nuk kam dalë prej dere dhe kqyr babë me cilën qikë je kon”, dhe keni dalë nga dera… a është e vërtetë”?

Tash, Arjeta u përgjigj, se nuk i kujtohet asgjë se çfarë ka thënë në prokurori dhe në polici dhe se potencoi disa herë, se atë ditë kur ka dhënë dëshmi, ka qenë shumë e stresuar.

“Atë ditë kam qenë shumë e stresuar e një person kur është i stresuar nuk e dinë se çfarë bën dhe çfarë thotë e sidomos kur bëhet fjalë për babain tënd”, tha Arjeta Ukaj.

Në këtë seancë, dha dëshmi për herë të dytë Zeqir Zeqaj. Ai kishte dëshmuar edhe në seancën e kaluar, të dhënë më 28 janar 2019.

Pyetjet që iu parashtruan Zeqir Zeqajt, ishin kryesisht nga ana e trupit gjykues të këtij rasti. Çështja kryesore ishte se a kishte folur Zeqir Zeqaj me Naser Pajazitajn në telefon ditën e varrimit të Shefqet Zeqajt.

“Jo nuk kam folë në telefon me Naserin, vetëm sy më sy, çdo ditë rrimë e pimë kafe, pse me folë në telefon”, ka thënë dëshmitari sot.

Nga të dhënat e PTK’së, trupi gjykues tha se me datë 9 nëntor në orën 12:11, Zeqir Zeqaj ka folur në telefon me Naserin 55 sekonda, dhe po në të njëjtën ditë në orën 15:19, të njëjtit kanë pasur një bisedë 28 sekonda.

Për të dyja këto telefonata, Zeqir Zeqaj, e mohoi se ka biseduar me Naser Pajazitajn.

“Për sytë e ballit, nuk kam pas komunikim me telefon me Naserin”, tha dëshmitari.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Pejës, thotë se Donjeta derisa ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty ka kaluar Naser Pajazitaj me veturën e tij, e ka marrë të ndjerën dhe e ka dërguar në bjeshkët e Strellcit, aty ku edhe e ka vrarë.

Në vendin e quajtur “Drum”, bashkëfshatarët ishin mbledhur për të shkuar tek varrimi i Shefqet Zeqës, i cili kishte vdekur në ditën kur ishte zhdukur Donjeta Pajazitaj. Dëshmitarët, në seancat e gjykimit të parë, patën thënë se e kanë parë Donjetën tek sa kalonte andej, dhe ka vazhduar rrugën për të lagjja e “Jusajve”.

Sipas aktakuzës, derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokën e saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Trupi i të ndjerës gjendet pas më shumë se një muaji.

Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur Naser Pajazitajn të pafajshëm në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015 ndërsa e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër për armëmbajtje pa leje. Pas kësaj vëllai i Donjetës së ndjerë e kishte goditur në Gjykatë Naser Pajazitiajn, për cka ishte arrestuar.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Aktakuza ndaj Naser Pajazitajt thotë se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë prokuroria në njërën nga seancat gjyqësore.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, Naser Pajazitaj akuzohet edhe për dy vepra tjera të armëmbajtjes pa leje.

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta Pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për vrasje, Naser Pajazitaj, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat