Dhëndri i Thaçit dhe nipi i Zonjës së Parë, punësohen në pozita të rëndësishme në BQK - Bota Sot
Dhëndri i Thaçit dhe nipi i Zonjës së Parë, punësohen në pozita të rëndësishme në BQK

Aktuale

Dhëndri i Thaçit dhe nipi i Zonjës së Parë, punësohen në pozita të rëndësishme në BQK

Më: 18 mars 2019 Në ora: 20:28
Foto ilustruese

Më 25 tetor të vitit 2018, Lulëzim Dragusha mori kontratë të rregullt punësimi nga Banka Qendrore e Kosovës.

Dragusha, i cili është bashkëshorti i deputetes Evgjeni Thaçi, vajzës së vëllait të madh të presidentit, Ganiut, në këtë institucion është zyrtar i lartë për Koordinim me Rregullatorët e Institucioneve Financiare.

Medie ka pyetur Bankën Qendrore për këtë punësim dhe nëse presidenti ka përdorur autoritetin e tij.

Por, ky institucion është arsyetuar se dy herë ka shpallur konkurs për këtë pozitë, dhe në të dy konkurset kushtet i ka plotësuar vetëm Dragusha, e i cili, sipas BQK-së, ka shkollim adekuat për këtë pozitë.

“Konkursi i parë i shpallur me datë 28 shtator 2018 është anuluar nga ana e BQK-së, për shkak se vetëm një kandidat i ka plotësuar kërkesat e përcaktuara. Në konkursin e dytë të rishpallur me datë 25 tetor 2018, në mesin e kandidatëve që kanë plotësuar kërkesat e konkursit, pas testimit me shkrim dhe intervistave me gojë, komisioni profesional ka vlerësuar se kandidati Lulëzim Dragusha ka qenë kandidati më i suksesshëm në procesin e rekrutimit. I punësuari, ka edukim të fushës relevante, si dhe përvojë të punës në nivel vendor dhe ndërkombëtar, duke filluar nga të qenët asistent profesor në Universitetin ‘North Eastern Illionis’ (North Istërn Illinoi), SHBA, në korporata të ndryshme në SHBA dhe institucione tjera vendore”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e BQK-së.

Pos Dragushës, edhe një familjare e presidentit është e punësuar në BQK.

Bëhet fjalë për Albana Thaçin nga fshati Burojë, një kushërirë e afërt e presidentit. Ajo në fundvitin e 2018-s u punësua aty si zyrtare e Pranimit.

Edhe për këtë Banka Qendrore thotë se u ndoqën procedurat e rregullta të punësimit.

Jo vetëm presidenti ka punësuar familjarë në BQK, edhe bashkëshortja e tij Lumnije Thaçi ka të punësuar nipin, Alban Gërxhaliu, në këtë institucion financiar.

Vite më parë, ai u emërua zyrtar për Integrime Evropiane, në BQK.

Burime  kanë bërë të ditur, se Zonja e Parë i kishte shkuar personalisht në zyrë, ish-guvernatorit të BQK-së, tash ministër i Financave, Bedri Hamzës, për takim.

“Kohavisioni” ka provuar të vë kontakte me ministrin e Financave, Hamza, por ky i fundit nuk është përgjigjur në telefon, pasi ndodhet jashtë shtetit.

Ndërkaq, Banka Qendrore ka bërë të ditur se Gërxhaliu u punësua në fundin e vitit 2015. Edhe në rastin e nipit të Zonjës së Parë , BQK-ja thotë se ai ishte më i miri.

“Alban Gërxhaliu ka plotësuar kërkesat e konkursit të datës 22.12.2015 dhe i është nënshtruar procesit të rekrutimit, pra testit me shkrim dhe intervistës para komisionit për vlerësim. Komisioni për vlerësim, pas përfundimit të procesit për rekrutim, ka vlerësuar se kandidati Alban Gërxhaliu, ka arritur numrin më të lartë të pikëve nga testi me shkrim dhe intervista, prandaj edhe është përzgjedhur si kandidati më i suksesshëm në procesin e rekrutimit”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Në fund, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se në të tri proceset e rekrutimit të sipërpërmendura, BQK-ja nuk ka pranuar asnjë ankesë nga kandidatët që kanë qenë të përfshirë në proceset e konkurseve për të tri pozitat në fjalë.

Banka Qendrore është përdorur edhe nga parti të tjera në pushtet e opozitë për poste të rëndësishme, për të cilat KTV-ja do të raportojë gjatë javës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...