Prokuroria e Shtetit i quan të pasakta deklaratat e Albulena Haxhiut për pozitat e punës së Aleksandër Lumezit - Bota Sot
Prokuroria e Shtetit i quan të pasakta deklaratat e Albulena Haxhiut për pozitat e punës së Aleksandër Lumezit

Aktuale

Prokuroria e Shtetit i quan të pasakta deklaratat e Albulena Haxhiut për pozitat e punës së Aleksandër Lumezit

Më: 19 mars 2019 Në ora: 14:55
Albulena Haxhiu dhe Aleksandër Lumezi

Prokuroria e Shtetit ka reaguar pas deklaratave të dhëna një ditë më parë nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Zyra e Kryeprokurorit vlerëson se deklarimet e djeshme të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiut në lidhje me bartjen e pozitave të Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, janë të pasakta dhe të njëjtat kanë për qëllim cënimin e integritetit të Kryeprokurorit të Shtetit.

Për më shumë ja reagimi i plotë:

”Duke e respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes të secilit individ, përfshirë këtu edhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si një nga të drejtat më fondamentale të një shoqërie demokratike, kjo e drejtë duhet të shërbejë për ta thënë çdoherë të vërtetën, e assesi nuk duhet që të keqpërdoret për të dezinformuar opinionin.

Deklarimet e deputetes së Kuvendit të Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, të dhëna gjatë ditës së djeshme më 18 mars 2019, në një konferencë për shtyp në lidhje me bartjen e pozitave të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke thënë ndër të tjera se ”si bartës i institucioneve të drejtësisë nuk po e zbaton ligjin”, duke iu referuar ushtrimit të funksioneve publike të Kryeprokurorit të Shtetit, konsiderojmë se janë deklarata të paqëndrueshme, të pasakta dhe të njëjtat kanë për qëllim cenimin e integritetit të Kryeprokurorit të Shtetit.

Ia kujtomë deputetes së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, por edhe publikut, opinionin juridik të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), të dhënë më 09.07.2018 në lidhje me kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për ushtrimin e funksioneve publike, ku thuhet se; “Nuk ka konflikt interesi në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe funksioneve; Anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Anëtar/ Kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, Anëtar i Bordit Drejtues të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Anëtar i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe nuk ka konflikt interesi të qenurit Kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës”.

Prandaj, Agjencia Kundër Korrupsionit ka konsideruar se të gjitha angazhimet shtesë të Kryeprokurorit të Shtetit, nuk janë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e konfliktit të interesit.

Ushtrimi i këtyre funksioneve nga ana e Kryeprokurorit të Shtetit është në harmoni me ligjet të cilat i kanë miratuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe nëse mendoni që Kryeprokurori i Shtetit nuk duhet t’i ushtrojë këto funksione, atëherë ju si deputet duhet t’i ndryshoni këto ligje. Si deputete e Kuvendit të Kosovës duhet të jeni shembull i mirë i respektimit të ligjeve dhe duhet t’i lexoni mirë vendimet e institucioneve dhe agjencive të tjera ligj-zbatuese, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lëshoheni në deklarata të tilla të cilat kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Prokurori i Shtetit është institucion kushtetues, unik dhe i ndërtuar mbi parime kushtetuese dhe ligjore si i pavarur dhe i paanshëm. Mbi këto parime kam punuar edhe unë si Kryeprokuror i Shtetit që nga momenti kur kam marrë detyrën. Andaj, të gjitha përpjekjet nga kushdo qoftë, përfshirë edhe ato politike për të bërë presion të çfarëdo lloji në punën e Prokurorit të Shtetit janë të pa pranueshme dhe ju garantoj se këto përpjekje do të dështojnë”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...