Veseli paralajmëron masa të ashpra ndaj korrupsionit dhe nepotizmit

Aktuale

Veseli paralajmëron masa të ashpra ndaj korrupsionit dhe nepotizmit

Më: 20 mars 2019 Në ora: 19:46
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë sot se Agjencia Kundër Korrupsion po bën një punë të mirë dhe apolitike, prandaj edhe do të ketë përkrahjen e të gjitha institucioneve.

Gjatë një vizite në Agjencinë Kundër Korrupsionit, së bashku me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryeparlamentari Veseli ka paralajmëruar masa të ashpra ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Duke folur para mediave për luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, kryeparlamentari Veseli tha se këtyre dukurive do t’u shkohet deri në fund dhe nuk do të mbetet askush pa u ndëshkuar.

Kreu i Kuvendit tha se korrupsioni ka filluar të bëhet psikologjik brenda familjeve dhe duke i shkaktuar shtetit krizë të besimit.

“Prirjet e sëmura që nuk po ndalen dhe po duan ta vejnë në dyshim besimin në shtet, nuk do t’i tolerojmë dhe do t’u përgjigjemi siç duhet. Do të ndërmerren veprime dhe hapa për të ndërtuar politika dhe nxjerrë ligje të ashpra të cilat nuk janë parë asnjëherë në Kosovë”, theksoi Veseli.

Ai përsëriti që do ketë ndëshkime të ashpra edhe për rastet e fundit që kanë ndodhur me nepotizmin.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ndërkaq, i konsideroi pozitive ndryshimet në Ligjin për deklarimin e pasurisë, në bazë të të cilave është dyfishuar numri i zyrtarëve që do ta deklarojnë pasurinë.

“Dyfishimi i kësaj liste do ta rris transparencën dhe do ta forcojë llogaridhënien para qytetarëve”, tha ministri Tahiri.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kunër Korrupsionit, tha se Kuvendi i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë kanë dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e kësaj agjencie.

Ai tha se në takim u diskutua lidhur me rolin, punën dhe sfidat e agjencisë, arritjet gjatë këtij viti dhe zbatimin e Ligjit të ri antikorrupsion, por edhe të ligjeve të tjera që lidhen me këtë fushë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat