Shala: Së pari njohja e pastaj demarkacioni me Serbinë

Aktuale

Shala: Së pari njohja e pastaj demarkacioni me Serbinë

Më: 20 mars 2019 Në ora: 22:01
Blerim Shala

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala, ka thënë se së pari duhet të ndodhë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë e pastaj të ndodhë demarkacioni.

Ai tutje ka shtuar se Kosova nuk ka çfarë të bisedoj me Serbinë nëse në marrëveshje nuk shkruan njohje reciproke.

“Unë mendoj që së pari duhet të ndodhë njohja reciproke e pastaj demarkacioni me Serbinë. Ne nuk kemi çfarë të bisedojmë asgjë nëse në marrëveshjen me Serbinë nuk shkruan njohja reciproke. Unë mendoj që nëse rifillon procesi i bisedimeve ne Bruksel do të ketë unitet mes krerëve shtetërorë”, ka thënë Shala në Rubikon.

“Çmimi më i mirë i dialogut është nëse Serbia na njeh pa asnjë kusht, por ky çmimi është joreal. Varianti më i keq është Asociacioni i cili mundëson krijimin e një pushteti të Serbisë në Kosovë. Ne akoma nuk e dimë se cili është çmimi i Serbisë për njohje të Kosovës, a është territori që me gjasë duhet të jetë. Mendoj që ndarja e Kosovës nuk është opsion për t’u arritur marrëveshje me Serbinë”, ka thënë ai.

Shala ka shtuar lidershipi në Serbi e ka pranuar që ka humbur Kosovën.

“Lidershipi i sotëm i Serbisë kanë arritur në përfundim se Kosova është humbur dhe duhet njëherë e përgjithmonë të krijohen raporte dhe marrëveshje. Është motiv i qartë i lidershipit serb që Serbia të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe ata e dinë që kjo nuk mund të ndodhë pa një marrëveshje me Kosovën. Serbia ka bërë në Kosovë krim në përpjekje për gjenocid dhe ky proces është dashur të përfundoj siç ka përfunduar. E jona është të këmbëngulim në njohjen mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Shala.

Ai tutje ka thënë se ka rrezik që veriu i vendit të përballet me incidente e që si pasojë e kësaj të vështirësohet arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ka rrezik që të ketë tensione sepse jemi në një situatë të tensionuar. Nuk arrihet marrëveshja përmes incidenteve. Ne jemi të bindur se do të ketë inskenime e incidente. Nëse ndodh diçka e tillë nuk ka gjasa të ndodhë një marrëveshje Kosovë-Serbi”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat