Blanusha: E rëndësishme është të mundësohet puna e mëtejshme e RYCO-s: - Bota Sot
Blanusha: E rëndësishme është të mundësohet puna e mëtejshme e RYCO-s:

Aktuale

Blanusha: E rëndësishme është të mundësohet puna e mëtejshme e RYCO-s:

Më: 21 mars 2019 Në ora: 09:50
Djuro Blanusha

Serbia nuk lejon pjesëmarrjen e përfaqësueses serbe në Konferencën e RYCO-s në Kosovë. Lidhur me këtë vendim të qeverisë serbe flet për DW, Djuro Blanusha, Sekretar i Përgjithshëm i RYCO-s.

Milica Škiljevic, përfaqësuese e rinisë serbe në Zyrën Rajonale për Bashkëpunimin e Rinisë (RYCO), me efekt të menjëhershëm nuk merr më pjesë në konferencat e organizatës. Ky ishte një vendim i qeverisë së Serbisë, pasi Skiljevic donte të merrte pjesë në konferencën në Prishtinë, që do të zhvillohej në Parlamentin kosovar. Për Beogradin ky do të ishte një akt i njohjes së Kosovës nga ana e pjesëmarrëses serbe. Lidhur me këtë vendim të qeverisë serbe flet për DW Djuro Blanusa, Sekretar i Përgjithshëm i RYCO-s.

DW: Sa është në përputhje me rregullat e RYCO-s veprimi i Milica Shkiljeviçit?

Milica Shkiljeviç, si përfaqësuese e të rinjve nga Serbia në bordin drejtues të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO), është emëruar në këtë pozicion që në nëntorin e vitit 2016 dhe praktikisht ka hyrë në vitin e tretë të mandatit të saj. Ajo është një person, që ka dhënë kontribut shumë të madh qoftë si personalitet ashtu edhe si njohëse e fushës dhe ka qenë totalisht e përkushtuar për idenë e pajtimit dhe bashkëpunimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor. Milica Shkiljeviç e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në takimin, që do të duhej të mbahej me 13 mars në Prishtinë. Megjithatë me vendimin e qeverisë së Serbisë ajo është shkarkuar nga funksioni i përfaqësueses të të rinjve në këtë forum rajonal.

Qeveria e Serbisë ka emëruar Milica Shkiljeviç si përfaqësuese të të rinjve, por edhe ministrin e Rinisë dhe Sportit Vanja Udoviçiç, si përfaqësues zyrtarë në këtë forum, dhe kjo e gjitha në përputhje me statutin e RYCO-s. Ministri Udoviçiç është emëruar si përfaqësues i qeverisë, ndërsa Milica Shkiljeviç duhej të përfaqësonte „zërin e të rinjve". RYCO ka një mënyrë specifike, mund të them shumë avangardiste në marrjen e vendimeve – krahas gjashtë ministrave apo të personave të tjerë të ngarkuar për çështjet e të rinjve nga çdo palë kontraktuese, në proceset e vendimmarrjes në kushte të barabarta merr pjesë edhe një përfaqësues i të rinjve nga këto 6 palë kontraktuese. Milica e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e planifikuar në ndërtesën e parlamentit të Prishtinës, por Beogradi zyrtar vlerësoi se nga ana e organizatorëve dhe e Rycos si kryesues nuk janë respektuar rregullat për asnjanësinë e vendit të mbajtjes së takimit. Në lidhje me këtë është marrë vendimi se Milica Shkiljeviç me qëndrimin e saj i bie ndesh pozicionit zyrtar të Serbisë dhe me 12 mars ajo është shkarkuar formalisht nga ky funksion, vetëm një ditë para mbajtjes së këtij takimi.

DW: Përse ndodh kjo tani? A do të kishte qenë ky takimi i parë i RYCO-s në Prishtinë?

Sipas statutit të RYCO-s kemi gjashtë palë kontraktuese dhe presidenca kalon çdo vit me rotacion tek secili anëtar. Këtë vit sipas alfabetit Kosova ka marrë përsipër kryesimin e bordit drejtues. Takimet mbahen, pasi të jetë plotësuar kushti i sigurimit të një kuorumi, që nënkupton së paku dhjetë pjesëmarrës, ku të jetë i pranishëm së paku një përfaqësues i secilës nga palët kontraktuese. Nga Serbia në Prishtinë nuk erdhi asnjë pjesëmarrës, kështu që kuorumi nuk qe i nevojshëm dhe takimi nuk u mbajt. Të gjitha proceset, që kanë të bëjnë me vendimarrjet në RYCO, janë bllokuar ndërkohë, janë ndalur. Ky do të duhej të ishte takimi i parë në vitin 2019 në kuadrin e presidencës së Kosovës. Dihet se dy palë kontraktuese nënshkruese të marrëveshjes për themelimin e RYCO-s, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – këto janë Bosnja-Hercegovina dhe Serbia – me këtë kemi hyrë në një situatë, në të cilën marrëdhëniet aktuale politike dhe mosmarrëveshjet, kanë marrë përparësi mbi atë që ishte ideja dhe misioni i RYCO-s që nga fillimi: që të lidhë të rinjtë dhe të bëhet platformë e përbashkët dhe mekanizëm institucional për bashkëpunimin e të rinjve. Për fat të keq faktin që takimi nuk u mbajt, duhet ta shohim në radhë të parë në kontekstin e përkeqësimit të situatës politike në rajon dhe si pasojë e „ngjarjeve" të fundit në relacionin Beograd- Prishtinë. Nga ana tjetër dëshira dhe gatishmëria e të rinjve të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar me njeri-tjetrin duket se nuk ka qenë kurrë më e fortë.

DW: Si do të venë më tej punët? Ku e shikoni mundësinë për daljen nga kjo situatë?

Kjo nuk është as hera e parë e ndoshta as e fundit që ne si organizatë përplasemi me sfida të ndryshme. Ne jemi një mekanizëm dhe organizatë ndërqeveritare, e cila merret me lidhjen e të rinjve; jemi rezultat i iniciativës dhe i punës së përbashkët dhe angazhimit të qeverive tona në kuadër të të ashtuquajturit procesi i Berlinit; por jo vetëm të qeverive, por edhe mbështetjes së fortë të sektorit civil. Sidomos të organizatave rinore, të cilat prej dekadash kanë kërkuar krijimin e një platforme të tillë rinore, siç është RYCO. E para gjë, që mund të bëj si sekretar i përgjithshëm, është t‘u bëj thirrje qeverive të Ballkanit Perëndimor, për t‘u rikthyer tek bazat e marrëveshjes, që kryeministrat e WB6 kanë nëshkruar në vitin 2016 në Paris. Për t‘u kthyer te statuti, parimet dhe vlerat bazë, me të cilat është themeluar RYCO. Që të përpiqen ta lënë mënjanë politikën ditore dhe të përqëndrohen para së gjithash në interesin e të rinjve të Ballkanit Perëndimor. Dhe situata për të rinjtë në këto vende nuk është aspak e lehtë dhe e thjeshtë. Ballkani është një rajon, nga i cili largohen me mijëra e dhjetëra mijëra të rinj në kërkim të një jete më të mirë. RYCO ka qenë, dhe jam i bindur se kështu edhe do të mbetet, një mekanizëm që do të duhej t‘u ofronte së pari të rinjve mundësinë për t‘u njohur më mirë, për të udhëtuar nëpër rajon, për të lidhur miqësi të reja dhe për t‘u njohur me të gjithë ata, për të cilët kanë patur ndoshta mendim të gabuar, për të kapërcyer paragjykimet e stereotipet, që ndoshta ekzistojnë ende e për të punuar së bashku për ndërtimin e një Ballkani Perëndimor të ri, më të hapur e më të begatë.

Mesazhi ynë për Prishtinën dhe Beogradin dhe të gjitha qeveritë e tjera në rajon është që të rikthehen te arsyet thelbësore të formimit të Zyrës Rajonale dhe të mundësojnë vazhdimin e punës së bordit drejtues e në këtë mënyrë edhe vazhdimin e punës së Zyrës sonë.

Si një hap i parë për të dalë nga pika e  ngrirjes, do të ishte mundësimi që në mënyrë elektronike të merren vendimet, për të cilat nuk kemi mundur të diskutojmë në takimin, që siç dihet nuk u mbajt. Tani gjëja më e rëndësishme është të mundësohet puna e mëtejshme e RYCO-s, sepse kemi edhe detyrime ndaj donatorëve, partnerëve, me të cilët duhet të nisim projekte të përbashkëta dhe së fundi ndaj përdoruesve të projekteve tona, pra shkollave të  mesme dhe organizatave që i mbështesim financiarisht që nga viti i kaluar.

Djuro Blanusha është sekretar i përgjithshëm i RYCO-s me zyrë në Tiranë/DW/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...