VV: Kosova humbi mbi 8 mijë hektarë tokë dhe liberalizimin e vizave - Bota Sot
VV: Kosova humbi mbi 8 mijë hektarë tokë dhe liberalizimin e vizave

Aktuale

VV: Kosova humbi mbi 8 mijë hektarë tokë dhe liberalizimin e vizave

Më: 21 mars 2019 Në ora: 14:23
VV: Kosova humbi mbi 8 mijë hektarë tokë dhe liberalizimin e vizave

Në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar i LVV Glauk Konjufca theksoi se janë bërë një vit që kur është miratuar Ligji për Demarkacionin me Malin e Zi, dhe nuk ka ndodhur rishikimi i marrëveshjes së bërë ndaj presidentit të Kosovës dhe të atij të Malit të Zi, si dhe nuk është përmbushur kushti për liberalizimin e vizave.

Deputeti Konjufca tha se letra e presidentëve shkruante që pas një kohe do të krijohet një Komision për rregullimin e vijës të demarkacionit mes Malit të Zi dhe të Kosovës, derisa kjo letër u bë edhe pjesë e ligjit.

Konjufca: Me letrën e presidentëve do të duhej bërë rregullimi i vijës së demarkacionit

“Më kujtohet si sot kur kryeministri Haradinaj mundohej t’i bindte deputetët për ta votuar këtë marrëveshje, arsyetimi kryesor i tij ka qenë ky: letra e nënshkruar në mes dy presidentëve, mes presidentit të Malit të Zi dhe presidentit Thaçi përbënte për të një siguri vendimtare që ky demarkacion do të ndryshonte. Me vet faktin që letra e presidentëve thoshte që pas një kohe do të krijohet një Komision për rregullimin e vijës të demarkacionit mes Malit të Zi dhe të Kosovës, kjo letër u bë edhe pjesë e ligjit”, tha Konjufca.

Konjufca theksoi se deklarata e kryeministrit para një jave që ishte mashtruar, i vërteton pretendimet e Vetëvendosjes se Kosova i ka humbur 8 mijë e 200 hektarë, ndërsa janë bërë 1 vit që kur është miratuar kjo marrëveshje dhe Komisioni Shtetëror i cili është themelua në bazë të letrave të presidentëve për ta përmirësuar  gabimin, nuk ka dalë fare në terren për me u marrë me demarkacionin.

Konjufca: Kryeministri Haradinaj po e pranon se është mashtruar

“Deklarata e kryeministrit para një jave në Deçan se e kanë bërë budalla, pra po e citoj dhe se nuk do të mund ta bëjnë më budalla, tregon që ai tash po pretendon se është i mashtruar prej Presidentit Thaçi sa i përket asaj letre. Me fjalë të tjera, ai veçse po e argumenton atë që e ka thënë Lëvizja Vetëvendosje atë ditë që është nënshkruar kjo letër mes dy presidentëve. Ne qysh atëherë kemi thënë që kjo është vetëm një copë letre për ta mashtruar kryeministrin Haradinaj si arsye që të votohet demarkacioni”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV ndër të tjera ka thënë se më 21 mars 2018 ka pasur edhe një propagandë të madhe për liberalizmin e vizave, duke i mashtruar qytetarët për të mos ndodhë ndonjë protestë e madhe.

Konjufca: Liberalizmi i vizave nuk ndodhi dhe as që pritet të ndodhë më 2019

“Presioni ndaj deputetëve, i cili është bërë edhe në mënyrë të propagandës që të pamundësohet edhe ndonjë protestë e madhe e qytetarëve, ka qenë që Kosova po e merr liberalizimin e vizave. Kjo është arseja pse nuk kanë protestuar qytetarët, sepse i kanë besuar atij premtimi të qeverisë. Jemi një vit prej asaj dite kur është miratuar demarkacioni dhe liberalizimi i vizave jo që nuk ndodhi për gjatë gjithë këtij viti, por po shihet që as në vitin 2019 nuk do të ketë proces të liberalizimit të vizave”, deklaroi Konjufca.

Edhe deputetja nga kjo parti, Arbërie Nagavci duke thënë se sot janë bëtë një vit pas mashtrimit të madh që i ndodhi qytetarëve për liberalizmin e vizave me miratimin e Ligjit për Demarkacionin me Malin e Zi, tha se kjo Qeveri keqpërdori me qindra milionë euro, stërmbushi kabinetin me ministra dhe zëvendës ministra si dhe po i shkatërron ndërmarrjet publike me punësimin e familjarëve dhe militantëve partiak.

Nagavci: Qeveria Haradinaj keqpërdori mbi 200 milionë euro

“Për një vit e gjysmë qeverisje, Qeveria Haradinaj, jo vetëm se humbi tashmë më shumë se 8 mijë hektarë tokë, më shumë se 200 milion euro të keqpërdorua nga buxheti i vendit, por po vazhdon degradimin e institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve publike, bordeve dhe agjencive. Pasi e stërmbushën kabinetin me ministra, zëvendës ministra, këshilltarë e asistent, tashmë ia kanë mësyrë ndërmarrjeve publike, bordeve e ministrive për të punësuar familjarë e militantë partiak”, theksoi Nagavci. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...