Vendet e Ballkanit tregojnë shifrat e qytetarëve të tyre në zonat e luftës në Siri - Bota Sot
Vendet e Ballkanit tregojnë shifrat e qytetarëve të tyre në zonat e luftës në Siri

Aktuale

Vendet e Ballkanit tregojnë shifrat e qytetarëve të tyre në zonat e luftës në Siri

Më: 21 mars 2019 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Kreu i Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Denis Zvizdiq njoftoi se nga luftimet në Siri në Bosnje janë kthyer 46 persona prej të cilëve 42 janë të moshës madhore.

Sipas tij, 24 persona janë ndjekur penalisht nga ana e autoriteteve shtetërore.

Megjithatë ai njoftoi se në zonat e luftës në Siri ende janë edhe 102 persona nga Bosnje Hercegovina, 54 meshkuj dhe 48 femra.

“Në rast se Bosnje dhe Hercegovina do të duhet t’i pranojë ata, natyrisht se do të penalizohen në bazë të ligjeve tona. Këtë duhet ta them për shkak se nga rajoni vijnë informacioneve të ndryshme kinse mijëra qytetarë të Bosnjes janë duke luftuar në Siri. Kjo nuk është e vërtetë dhe përmes kësaj vetëm dëshirojnë të krijojnë hutim dhe të trembin qytetarët e Bosnjë Hercegovinës”, tha kryeministri i Bosnjës, Denis Zvizdiq.

Çështja e kthimit të personave nga rajoni i Ballkanit Perendimor që gjenden në zonat e luftës në Siri po paraqet sfidë për gjitha shtetet.

Në Kosovë, ditë më parë, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, nga zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj, kanë bërë të ditur se janë duke e ndjekur me shqetësim gjendjen e qytetarëve kosovarë atje, mirëpo nuk kanë dhënë përgjigje të qartë, nëse ka ndonjë veprim konkret për kthimin e këtyre qytetarëve në shtëpitë e tyre.

Në vatrat e luftës në Siri, ende janë më shumë se 150 burra, gra dhe fëmijë nga Kosova. Këtij numri i shtohen edhe 60 fëmijë të tjerë të cilët kanë lindur në vitet e fundit dhe të cilët së paku njërin nga prindërit e kanë me shtetësi të Kosovës.

Në Maqedoninë e Veriut ndërkaq bëhet e ditur, se 150 shtetasë kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak si pjesëtarë të grupeve militante ekstremiste. Deri më tani 80 prej tyre janë kthyer, bëjnë të ditur zyrtarë të policisë.

Pavle Trajanov, ish ministër punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut vlerëson se Shërbimet Sekrete duhet të ndjekin veprimet e personave të cilët kthehen nga luftërat e huaja, sepse siç thotë, ata vazhdojnë të paraqesin rrezik potencial për sigurinë në vend dhe rajon.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...