Radha e NISMA-s në PTK: Shekip Fazliu e burri i Valdete Bajramit të punësuarit e fundit

Aktuale

Radha e NISMA-s në PTK: Shekip Fazliu e burri i Valdete Bajramit të punësuarit e fundit

Më: 21 mars 2019 Në ora: 22:15
PTK

Pas tre muajve përpjekje, Bordi i Telekomit ka arritur ta ndajë hisen e premtuar për Nismën Socialdemokrate të Kosovës brenda ndërmarrjes.

Në orët e paradites të së enjtes, Bordi, me unanimitet ka zgjedhur si sekretar të Telekomit njërin nga njerëzit kryesorë të Nismës në Skënderaj, Shekip Fazliu.

Ky është tentimi i dytë dhe i suksesshëm që Fazliu të vendoset në këtë pozitë.

Bordi e kishte anuluar në tërësi përzgjedhjen e tij gjatë konkursit të nëntorit. Atëkohë, në krye të Auditimit në Telekom qe vendosur bashkëshortja e Mërgim Lushtakut, Shehide Qerimi-Lushtaku dhe drejtor Financiar qe përzgjedhur Armend Osaj, ish-drejtor i Sinalcos, që është pronë e deputetit të AAK-së, Gani Dreshaj.

Derisa Shekip Fazliu, më 15 mars ka qenë në terren, duke punuar në shtrirjen e degëve të Nismës në Skënderaj.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, i ka thënë KTV-së se nuk ka qenë fare i njoftuar për konkursin për sekretar.

“Jo, për besë. Tash po dëgjoj për herë të parë që ka pasur konkurs për sekretar”, ka thënë shkurt, Limaj.

Një zotim të tij se do të ketë të punësuar për çdo familje, kreu i Nismës e ka mbajtur të paktën për njerëzit e rrethit të tij.

Ish-deputetja, Valdete Dushinca-Bajrami është shefe e kabinetit të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe njëkohësisht nga njerëzit më të besuar të tij.

Më 1 shkurt të 2019-s, bashkëshorti i saj, Ilir Bajrami, gjeti punë Telekomin e Kosovës.

Ai i është shtuar listës së gjatë të punësimeve që u bënë në shkurtin e këtij viti, numri i të cilëve është 121.

Pozita e tij figuron si shitës.

KTV ka kontaktuar edhe Valdete Dushinca-Bajramin, për të marrë qëndrimin e saj, por ajo nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Por, janë edhe dhjetëra emra të tjerë të militantëve të Nismës që ndodhen në listën e të punësuarve në Telekom gjatë muajve të fundit.

Më 18 shkurt të 2019-s, në Telekom, Orli Zhubi gjeti punë si shitës. Zhubi është një simpatizant i Nismës, bazuar në veprimtarinë e tij në rrjetet sociale.

Po në të njëjtën ditë, në Telekom, në pozitën e montatorit, është punësuar Jon Shala. Edhe Shala është pjesë e simpatizantëve të Nismës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat