Kuvendi rrit shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit

Aktuale

Kuvendi rrit shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit

Më: 22 mars 2019 Në ora: 13:28
KDI

Në vitin 2018, Kuvendin e Kosovës e ka karakterizuar mungesa e kuorumit gjë e cila e ka bllokuar vendimmarrjen në shumicën e seancave plenare.

Fillimisht problemet e shkaktuar në vitin 2018 kanë qenë largimi i Listës Serbe nga Koalicioni Qeverisës, dhe ndarja e VV-së.

Kështu është thënë sot gjatë publikimit të raportit të monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI).

Agnesa Haxhiu nga KDI theksoi se gjatë vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka shënuar ngritje në performancë në krahasim me vitet e kaluara, ku sipas saj, 42 seanca të Kuvendit dhe 437 mbledhje të komisioneve parlamentare i kanë mundësuar organit më të lartë ligjvënës përmbushjen e agjendës legjislative në masë prej 42 përqind, që është një rritje prej 6 përqind në krahasim me vitet 2015 dhe 2016.

Kuvendi këtë vit sipas KDI-së nuk e ka kursyer as buxhetin e shtetit, ku ka realizuar gjithsej 310 udhëtime e që buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 240 mijë euro. Vetëm për periudhën prill-qershor 2018, shpenzimet e deputetëve në udhëtime jashtë vendit janë rritur për 86 përqind në krahasim me tremujorin e parë të vitit.

Haxhiu: Asnjë seancë e mbajtur nuk ka përfunduar në ditën të cilën është përcaktuar

“Vendimi i partive opozitare për të bojkotuar për një periudhë disa mujore punën e kuvendit i ka kontribuar edhe më tej kësaj bllokade ku pothuajse asnjë seancë e cila është mbajtur  nuk ka përfunduar në ditën të cilën është përcaktuar. Për rrjedhojë kemi pasur shumë pika të pa përfunduara të rendit të ditës, agjenda të stërngarkuara dhe pa mundësi për vendimmarrje në secilën seancë të mbajtur”, theksoi Haxhiu.

Ndërsa, deputeti i LDK-së Armend Zemaj theksoi se LDK është angazhuar që ta ushtroj mandatin e tyre edhe përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës.

Zemaj: Ne kemi qasje të ndryshme në raportin tonë pozitë opozitë

“Ne kemi qasje të ndryshme në raportin tonë pozitë opozitë, kështu edhe shohim, kështu është edhe e ndërtuar demokracia parlamentare në vend, por nga aspekti i punës dhe përditshmërisë nuk shoh diçka më tepër pjesën përmbajtjesore të këtij raporti për një vit kalendarik 2018. Pjesa tjetër politike dhe përgjegjësia jonë politike dallon edhe në raport me këtë çka keni paraqitur ju, duke marrë për bazë se LDK është angazhuar që ta ushtroj mandatin e tyre edhe përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës”, tha Zemaj.

Ndërsa, deputeti nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica deklaroi se në shikim të parë kjo legjislaturë duket më e dobëta, por në raportin e statistikave dhe punës dëshmohet se kjo legjislaturë ka qenë  e suksesshme.

Reçica: Kjo legjislaturë del të jetë më e suksesshmja

“Nëse marrim për bazë çfarë shkruhet, çfarë thuhet dhe çfarë është perceptimi për këtë legjislaturë vërtet do të duhej të dukej se është një legjislaturë vërtet më e dobëta dhe më pak kompetente. Por, nëse e shohim raportin nuk del ashtu, sepse megjithatë çdo gjë përfundon në numër dhe në angazhime konkrete, nga hulumtimet dhe diskutimi sotëm për këtë raport do të dëshmohet se kjo legjislaturë që ka qenë mjaft e suksesshme”, deklaroi Reçica. 

Sipas deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu, mungesa e pozitës lidhet me aventurën e Hashim Thaçit për seancat për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim territoresh.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas saj, konsiderohet si grupi më aktiv në Kuvend të Kosovës.

Haxhiu ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës nuk e ka në prioritet punën e kuvendit të Kosovës.

Haxhiu: Kryetari i kuvendit nuk e ka prioritet punën e kuvendit

“Aktualisht janë duke pritur edhe 63 pika për shqyrtim dhe nuk mund të ketë organizim të punës së Kuvendit kur kryetari i kuvendit nuk e ka prioritet punën e kuvendit. I ka prioritet çështje të tjera, por jo kuvendin e Republikës së Kosovës. Rregullorja e parasheh që të paktën dy herë në muaj që të kemi seanca parlamentare, natyrisht se janë mbajtur edhe më shumë për shkak edhe të seancave të jashtëzakonshme, mirëpo, me sa më kujtohet mua kur ka qenë Jakup Krasniqi kryetar kuvendit janë mbajtur seancat të enjten, kanë vazhduar të premten, ndërsa tash mbahen të hënën, të premten, të mërkurën, ndaj kjo i prish komplet mbledhjet e komisioneve parlamentare”, tha Haxhiu.

Miratimi i ligjeve është përcjellë shpesh herë me shkelje të rregullores së punës së Kuvendit, edhepse rregullorja përcakton se amendamentet votohen si të veçanta në raste të shpeshta ato janë votuar në grup siç është rasti me Ligjin për Shoqëritë Tregtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat