Operacioni policor, mbyllen 35 lokale të lojërave të fatit

Aktuale

Operacioni policor, mbyllen 35 lokale të lojërave të fatit

Më: 22 mars 2019 Në ora: 17:59
Pamje nga konferenca

(E plotësuar) - Në aksionin e së premtes të Policisë së Kosovës, janë mbyllur 35 lokale, që veprimtari kanë lojërat e fatit, ndërsa Dogana e Kosovës deri më tani ka konfiskuar 118 aparate të lojërave të fatit.

Zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës pohojnë se kazinot në Kosovë po ushtrojnë  veprimtarinë e tyre, në mënyrë të paligjshme.

Drejtori i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, Agron Nezaj ka deklaruar se në këtë operacion policor, janë përshirë mbi 1000 zyrtarëve policorë, të Doganës dhe të ATK-së.

Nezaj:  Në këtë operacion janë përfshirë mbi 1000 zyrtarë

“Ky operacion policor përveç përfshirjes së gjerë institucioneve të ndryshme policore, kanë përfshirë edhe inkuadrimin e mbi 1000 zyrtarëve të ndryshme, qoftë Policisë së Kosovës, Doganës dhe ATK-së. Konkretisht 950 zyrtarë policorë, 106 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës si dhe 77 zyrtarë të Doganës së Kosovës”, tha Nezaj.

Ai po ashtu në konferencën e jashtëzakonshme, e dyta e mbajtur gjatë ditës së sotme, ka deklaruar se operacioni sotëm është kryer në 33 qytete të Kosovës.

Nezaj: Janë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit

“Regjioni i Prishtinës 65 lokacione, Mitrovica e Jugut 22 lokacione, Mitrovica e Veriut 21 lokacione, regjioni i Pejës 25 lokacione, regjioni i Gjakovës 13 lokacione, regjioni i Ferizajt 34 lokacione, regjioni i Gjilanit 27 lokacione. Në total janë kontrolluar dhe bastisur 235 lokacione të ndryshme në 33 qytete të ndryshme në Republikën e Kosovës. Operacioni është në vazhdim e sipër, pothuajse kemi mbërri me një fazë të këtij operacioni. Deri më tani në këto momente kemi këto rezultate të këtij operacioni. Nga ATK janë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit, si dhe Dogana e Kosovës deri më tani ka konfiskuar 118 aparate të lojërave të fatit”, ka thënë ai.

Se kazinot në Kosovë janë duke ushtruar veprimtarinë e tyre në mënyrë ilegale, e tha edhe sot në seancën e jashtëzakonshme, shefi i kuletës së shtetit, Bedri Hamza, madje sipas tij asnjë nga to nuk është legale.

Një gjë të tillë po e pohon edhe Hamit Mulaj, nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Mulaj: Ka kazino që veprojnë në mënyrë të paligjshme

“Keni të drejtë se në disa raste, ka pasur kazino, kur ato kanë vepruar në mënyrë të paligjshme dhe mu për atë,  ky aksion është i dedikuar për këto raste, së bashku me të gjitha institucionet tjera, Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se, këto operacione janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës, kundër këtyre lojërave, si shkak i vrasjes së dy personave që kanë ndodhur në kazino, njëri në Suharekë, e tjetri në Lipjan.

***

Policia ka thirrur konferencën e dytë të jashtëzakonshme për sot, e cila iu dedikua një operacioni policor i cili është realizuar në shkallë vendi ndaj lojërave të fatit. Gjatë ditës së sotme janë kontrolluar dhe bastisur gjithësej 135 lokacione të kësaj natyre ndërsa janë mbyllur 35 nga ATK, ndërsa Dogana ka konfiskuar 185 aparatë të lojërave të fatit.

Operacion policor në bashkëpunim me institucione të tjera ndaj lojërave të fatit është zhvilluar sot në Kosovë.

Drejtori i Divizionit kundër krimit të organizuar, Agron Nezaj, tha se operacioni i sotëm ka rezultuar me mbylljen e 35 lokaleve të lojërave të fatit. Ndërsa hetimet për këto biznese kanë filluar në fund të vitit 2018.

“Në fund të vitit 2018 policia ka bërë inicimin e hetimeve ndaj lojërave të fatit. Inicimi i hetimevë është bërë bazuar në veprat penale: Organizimi i skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm, shmangia nga tatimi si dhe kontrabandimi me mallra”, tha Nezaj.

Në operacionin e realizuar sot janë përfshirë të gjitha regjionet e Kosovës.

“Në total janë kontrolluar dhe bastisur 135 lokacione të ndryshme në 33 qytete të ndryshme të Kosovës. Nga ATK janë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit si dhe Dogana ka konfiskuar 185 aparate të lojërave të fatit”, përfundoi ai.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar një rezolutë që kërkon mbylljen e lojërave të fatit. Kjo është përkrahur nga deputetët e pozitës dhe opozitës.

Miratimi i rezolutës erdhi si shkak i vrasjes së dy punëtorëve të kazionove të cilët u vranë brenda katër ditësh. Njëri në Suharekë e tjetri në Lipjan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat