Projektligji është bllokuar, qytetarët s’mund importojnë vetura më të vjetra se 10 vjet - Bota Sot
Projektligji është bllokuar, qytetarët s’mund importojnë vetura më të vjetra se 10 vjet

Aktuale

Projektligji është bllokuar, qytetarët s’mund importojnë vetura më të vjetra se 10 vjet

Më: 22 mars 2019 Në ora: 18:21
Foto ilustrim

Qytetarët duket se përfundimisht nuk do të mund të importojnë vetura më të vjetra se 10 vite. Ndonëse, me plotësimin e Ligjit për Automjete parashihej që të zvogëlohej kufiri i vjetërsisë nga 10 në 15 vite, Ligji nuk ka marrë mbështetjen e të zgjedhurve të popullit. Anëtarë të grupit punues për plotësimin e këtij Ligji, thonë se politika e ka bllokuar votimin e tij. Ndërkohë, fillimi i vitit 2019 ka shënuar importin më të madh të veturave të vjetra që prej hyrjes në fuqi të ligjit.

Kanë kaluar më shumë se një vit që prej kur në Kosovë u kufizua importi i veturave më të vjetra se dhjetë vite. Gjithë kjo u bë me arsyetimin se numri i madh i veturave të vjetra po shkaktonte probleme në komunikacion dhe ndotje të mjedisit.

Por, fillimi i vitit 2019 ka shënuar importin më të madh të veturave të vjetra që prej hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës vetëm gjatë tre muajve të parë të 2019’ës janë importuar 3 mijë e 374 vetura të përdorura dhe 582 vetura të reja.

Ndërkohë, që nga 2018’ta e deri tash, në vend kanë hyrë mbi 20 mijë vetura të vjetra dhe vetëm 4 mijë të reja. Derisa, për t’i blerë gjithë këto vetura të përdorura, kosovarët kanë shpenzuar më shumë se 70 milionë euro.

E pavarësisht vendimit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës për rritjen e moshës maksimale të makinave të importuara të përdorura deri në 15 vjet, një gjë e tillë duket se nuk do të ndodhë.

Gjithë kjo, pasi që Ligji nuk ka marrë mbështetjen e të zgjedhurve të popullit.

Kryetari i Grupit punues për plotësimin e Ligjit për Automjete, Muharrem Nitaj ka thënë se ky ligji është rikthyer në komision dhe nuk dihet se cili do të jetë fati i tij.

Nitaj thotë se politika e ka bllokuar votimin e këtij Ligji dhe se tani që është kthyer prapa nuk dihet se cili do të jetë fati i tij.

“Versioni i Grupit punues ku unë kam qene kryetar i tij, e ku është kërkuar qe te zvogëlohet kufiri i vjetërsisë nga 10 ne 15 vjet, për importin e automjeteve, por me kusht qe te respektohet standardi Euro 5, siç e kanë gjithë vendet normale, nuk është votuar në Kuvend. Politika e ka bllokuar votimin e këtij Ligji. Tani është kthyer mbrapsht dhe nuk e di se cili do te jete fati i tij”, ka thënë Nitaj.

Sipas Nitajt, nuk ka pasur asnjë arsye që të mos votohej ky Ligj. Ai ka paralajmëruar se nuk do të jetë më pjesë e korrigjimeve të mëtutjeshme të këtij ligji.

“Vlerësoj se nuk ka pasur asnjë arsye që te mos votohej ligji dhe mos votimi i tij ishte i paarsyeshëm dhe nuk besoj qe unë do te jem pjesë e korrigjimeve te mëtutjeshme. Ka pasur kërkesa që edhe njerëzit që kanë vetura me të vjetra, të detyrohen qe ato t’i përshtatin me standardin minimal euro 5. Unë nuk do te jem pjese e këtyre akrobacive”, tha Nitaj.

Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës thonë se Ligji është në pritje për shqyrtim në lexim të dytë.

“Është në pritje për shqyrtim në lexim të dytë”, thuhet në përgjigjen e Sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqit.

Ndryshe, për vendimin e Komisionit për zvogëlimin e kufirit të vjetërësisë, kishte reaguar edhe shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Natalia Apostolova.

Apostolova, përmes një postimi në Tëitter kishte thënë se është e zhgënjyer me vendimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës për rritjen e moshës maksimale të makinave të importuara të përdorura deri në 15 vjet.

Sipas saj, një veprim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është qartë kundër objektivave të BE-së.

“Vendimi i Komisionit është kundër Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe në kundërshtim me Rezolutën e Asamblesë mbi Ndotjen e Ajrit, e miratuar në shkurt të këtij viti si një nga prioritetet më të larta në nivel kombëtar në atë kohë”, ka shkruar tutje Apostolova.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në muajin korrik 2018 me 37 vota për, 11 kundër dhe 13 abstenime ka miratuar në parim ndryshimin e Ligjit për Automjetete që kërkohet heqja e kufizimeve për import të veturave më të vjetra se dhjetë vite.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...