Dy dekada nga bombardimet e NATO-s - Bota Sot
Dy dekada nga bombardimet e NATO-s

Aktuale

Dy dekada nga bombardimet e NATO-s

Më: 23 mars 2019 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Të dielën mbushen plot dy dekada nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s në Kosovë kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Sulmet e filluara më 24 mars 1999 kishin zgjatur gjithsej 78 ditë. Synimi i bombardimeve të NATO-s ishte ndalimi i gjenocidit serb që po ushtrohej mbi popullatën civile të Kosovës, ku nga vrasja e maltretimi nuk po kursehej askush, përkundrazi pareshtur po vriteshin e po masakroheshin gra, burra, pleq e fëmijë.

Ishte viti 1999. Shqiptarët në Kosovë po vriteshin e po masakroheshin. Agresioni serb i ushtruar mbi popullatën e pafajshme tanimë kishte marrë përmasat e një tragjedie. Në rrethana të tilla askush nuk e besonte që 24 marsi i atij viti do të mbetej përjetë në kujtesën e shqiptarëve.

Një gjë të tillë nuk e kishte imagjinuar as 36-vjeçari Xhevat Dervishi, i cili në kohën kur forcat paqeruajtëse të NATO-s nisën bombardimet mbi caqet serbe në Kosovë ishte vetëm 17 vjeç. Por për Xhevatin, sikurse për gjithë shqiptarët, 24 marsi u bë dita e tij e paharruar. Luftës po i vinte fundi. Lotët e dhimbjes e të vuajtjes po ktheheshin në lot gëzimi e shprese.

Ardhja e përvjetorit të kësaj date 36-vjeçarit nga Kopiliqi i Epërm i Skenderajt pa dyshim që ia sjell të freskëta edhe kujtimet për babanë e tij, i cili u vra nga forcat paramilitare serbe pak ditë pasi bota i kishte kthyer sytë kah Kosova. “Edhe sot pas 20 vjetësh 24 marsi ma kujton babanë tim, i cili 18 ditë pas fillimit të bombardimeve ra në altarin e lirisë në përballje me forcat armike”, shprehet Xhevati teksa flet me emocion rreth 20-vjetorit të fillimit të intervenimit të NATO-s në Kosovë. Oshtimat e avionëve të NATO-s për Xhevatin ishin zërat e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“Zëri i avionëve të NATO-s ishte zëri i të rënëve dhe i luftës çlirimtare që kishte filluar vite më parë në Kosovë”, vazhdon ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...