Ndotja e ambientit, kërkohet shtim i inspektorëve - Bota Sot
Ndotja e ambientit, kërkohet shtim i inspektorëve

Aktuale

Ndotja e ambientit, kërkohet shtim i inspektorëve

Më: 23 mars 2019 Në ora: 11:49
Foto Ilustrim

Përkundër fushatës tre mujore për pastrim të mjedisit që u zhvillua në fund të vitit të kaluar, Kosova ende vazhdon të ballafaqohet me një situatë të rëndë sa i përket ndotjes së ambientit.

Madje edhe vendimi për shqiptim të gjobave ndaj qytetarëve që i hedhin mbeturinat në vende jo adekuate si duket nuk po jep rezultatet të prekshme në këtë drejtim. Edhe pse thuhet se mbi 500 gjoba janë shqiptuar ndaj qytetarëve të pandërgjegjshëm ndaj mjedisit, ambientalistët dhe qytetarët vlerësojnë se ky vendim nuk po gjen zbatim , prandaj kërkohet shtim i inspektorëve në terren.

Fadil Vitia banor i lagjes Hani i Dilit thotë se gjendja e mjedisit në këtë lagje është mjaft e rëndë ,  dhe se askush nuk po ndërmerr  asgjë me qëllim të eliminimit të  mbeturinave në lagjen e tij.

Sipas tij edhe inspektorët dalin  rrallë në këtë anë.

Vitia: Veprim i mirë nëse i ndalojnë, por deri tash nuk është ndërmarrë asgjë

Video

 

“Është e mirë se a po e sheh çka po na bëjnë, nuk ke kah kalon prej bërllokut gjithkah...Veprim i mirë është nëse veprojnë edhe i ndalojnë nuk është ndërmarrë asgjë sepse edhe poshtë në Fushë të Pajtimit e ke shprasin me traktorë me kamionë...Rrallë rrallë. Më shumë natën hedhin mbeturina”, tha ky banor i Hanit të Dilit në Prishtinë.

Edhe Xhafer Cakolli beson që duhet të gjobiten ndotësit e ambientit, por që sipas tij vendimi për gjobat mandatorë  nuk po zbatohet.

Sipas këtij qytetari edhe kampanjat vetëdijësuese nuk po japin rezultate për rritje të vetëdijes së qytetarëve.

Cakolli: Duhet ndërmerren masa ndëshkuese për ata që e ndotin ambientin

Video

 

“Kam dëgjuar për gjobat por nuk kam dëgjuar asnjë rast që është zbatuar, ose inspektorati që ka marr ndonjë masë ndëshkuese, prandaj është mirë me marr masa ndëshkuese ndaj gjithë atyre që e ndotin ambientin”,  tha Cakolli.

Se gjendja e mjedisit në Kosovë nuk është e mirë e pranon edhe kryetari i Partisë së Gjelbër, Daut Maloku. Ai vlerëson se gjendja në mjedis nuk ka ndryshuar përkundër veprimeve të marra.

I pari i subjektit politik të profilizuar si subjekt ambientalist thekson se rrija e numrit të inspektorëve dhe implementimi i gjobave mandatore për qytetarët që hedhin mbeturina është zgjidhja e vetme për të pasur një ambient më të pastër.

Maloku: Kemi mbeturina gjithandej, përmes gjobave mund të ndikojmë të rritje të vetëdijesimit të qytetarëve

Video

“Neve mbeturina kemi gjithandej , gjobat mandatore ndoshta është instrumenti i vetëm që do kishte efekt nëse zbatohen, mirëpo ku janë inspektorët, ku janë gjobat...Tash për tash nuk po shohim fundja si qytetar edhe të tjerët nuk po shohim se diçka ka ndryshuar , apo po ndodh sidomos kur është fjala për gjoba ma merr mendja se është koha që përmes gjobave edhe të ndikojnë tek vetëdijesimi i atyre qytetarëve që nuk janë të vetëdijesuar ....Është pastruar mjaftë por nuk është ndikuar në hedhjen për shembull prej asaj kohe deri tani rreth ndërtesave çdo kund sheh mbeturina”,  tha Maloku.

Mendim të njëjtë me Malokun ndan edhe drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare “Green Art Center”, Mirlina Beu Muçaj e cila vendimin për gjobat mandatore e konsideron si të vonuar dhe me ngecje në implementim.

Tejet të nevojshme e sheh edhe ajo rritjen e  kapaciteteve të inspektorateve për të dënuar sidomos bizneset e pandërgjegjshme që janë ndër ndotësit më të mëdhenj.

Muçaj: Duhet të punohet më shumë për mjedis të pastër

“Duhet të punohet edhe më shumë në këtë spektër, duhet punohet më shumë ngushtë me inspeksionin, me institucionet lokale, gjithashtu edhe me qendroret, me policinë e Kosovës pasi edhe ata kanë mandat për shqiptim të gjobave mandatore për të siguruar parakushtet për një mjedis të pastër. Është një luftë me mbeturinat momentalisht megjithatë rregulli dhe ligji duhet të zbatohen në përpikëri dhe ka nevojë të punohet më shumë në këtë drejtim...Janë raste që mund të numërohen ndër gishta që janë shqiptuar gjobat në disa komuna me vullnetin e kryetarëve veç se ka nisur shumë mirë shqiptimi i gjobave mandatore, por ka nevojë më shumë të bëhet buj dhe informim publik në këtë lërmi me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve që hedhja e mbeturinave dënohet dhe duhet ta ruajnë mjedisin jetik”, shprehet ajo.

Por krahas kësaj i kënaqur me punën që po bëhet për mjedis të pastër po shprehet ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Duke e konsideruar si një masë vetëdijësuese, udhëheqësi i Mjedisit në Kosovë tha se janë duke u kujdesuar që gjobat të paguhen.

Matoshi: Kemi rreth 500 gjoba mandatore , po kujdesemi që mos të mbesin të papaguara

“Janë rreth 500 gjoba mandatore deri më tash të shqiptuara për ndotësit dhe po ashtu për këto 500 po kujdesemi që tani që mos të mbesin nëpër sirtar dhe mos të mbesin të papaguara, përmes procedurave përmbarimore duhet tu tërhiqen mjetet këtyre shkelësve të këtij udhëzimi administrativ, në mënyrë që mjetet e tyre të tërhiqen nga llogaritë sepse është masë vetëdijësuese edhe ndaj të tjerëve”, tha Matoshi.

Për herë të parë në Kosovë nga muaji nëntor i vitit të kaluar ka filluar aplikimi i gjobave mandatore për ata që hedhin mbeturina në vende jo-adekuate.

Udhëzimi Administrativ Nr. 6/2018 parasheh që personi i cili hedh cigare në rrugë ose në sipërfaqe publike, do të gjobitet 20 euro; hedhja e mbeturinave dhe ambalazheve të ndryshme, 30 euro; hedhja e mbeturinave komunale jashtë kontejnerit për mbeturina komunale 40 euro; personat që hedhin cigare apo mbeturina nga automjeti, 50 euro; personi i cili i hulumton, djeg, dëmton kontejnerët e mbeturinave komunale dhe u ndërron vendin e atyre, 50 euro; personi i cili hedhë çfarëdo lloj mbeturine nga ballkoni ose dritarja e objektit, hedhë mbeturina në pusetat për kanalizim, 70 euro; personi i cili hedhë mbeturina nga materialet ndërtimore jashtë vendeve ose kontejnerëve të caktuar, i cili hedhë mbeturina medicinale në sipërfaqe publike ose në natyrë ndëshkohet me 90 euro.

Me këtë udhëzim, ndëshkimi me vlerë më të lartë prej 100 euro do të jetë për hedhjen e mbeturinave në lumenj, përroska, liqene, sipërfaqe publike, natyrë, rrugë dhe djegia e mbeturinave në veçanti gomave, plastikës dhe vajrave si dhe djegia e mbeturinave në ara të punueshme apo natyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...