Tuberkulozi mbetet ende sëmundje vdekjeprurëse në Kosovë - Bota Sot
Tuberkulozi mbetet ende sëmundje vdekjeprurëse në Kosovë

Aktuale

Tuberkulozi mbetet ende sëmundje vdekjeprurëse në Kosovë

Më: 23 mars 2019 Në ora: 16:41
Foto ilustrim

Sëmundjet infektive apo ngjitëse në Kosovë, në vazhdimësi kanë qenë problem, si për popullatën, ashtu edhe për sistemin shëndetësor, që është ballafaquar me to. Ndër shumë sëmundje infektive, tuberkulozi mbetet një prej sëmundjeve që vazhdon të luftohet.

Ndonëse është arritur që të ulet numri i të infektuarve me këtë sëmundje në Kosovë, shifra aktuale që flet për 701 persona të prekur me tuberkuloz, konsiderohet mjaft e lartë.

Majlinda Gjocaj, pulmologe, njëherësh koordinatore e programit kombëtar të tuberkulozit në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se tuberkulozi mbetet ende një nga sëmundjet infektive më të rrezikshme në aspektin global.

Ajo thekson se tuberkulozi që prej vitit 2015, kryeson në listën botërore në kuadër të sëmundjeve infektive, duke ia kaluar edhe infeksionit të HIV-it (AIDS), sa i përket përqindjes së lartë të vdekjeve.

‘’Organizata Botërore e Shëndetësisë është hera e parë që në shtator të vitit 2018, organizoi atë që quhet seanca dëgjimore në Kombet e Bashkuara, që ishte vetëm për tuberkulozin. Kishte si qëllim ngritjen e vetëdijes së vendimmarrësve politikë, që ta vendosin si prioritet luftimin e kësaj sëmundjeje”. 

“Ka shumë sëmundje tjera infektive, të cilat janë shumë të rrezikshme, mirëpo shumica e tyre merren edhe me ‘dëshirë’ edhe pa dëshirën e individit. Tuberkulozi nuk merret me dëshirë, tuberkulozi merret pa dashjen e individit, ajri është një hapësirë, të cilën ne nuk mund ta ndajmë me askënd tjetër, ajri në hapësirat publike është për të gjithë. Si i tillë, tuberkulozi si bacil, si mikrob, qarkullon prej një individi te tjetri. Kjo është rrezikshmëria që paraqet në arenën globale’’, shpjegon Gjocaj.

Ndryshe, Kosova vazhdon të jetë vend endemik për sëmundje ngjitëse apo infektive. Këto sëmundje, shpesh manifestohen edhe në forma të rënda dhe përballja me to është mjaft sfiduese, derisa ka raste kur vdekshmëria është e pashmangshme.

Gjatë një viti, sipas të dhënave aktuale, infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë persona. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i të prekurve nga sëmundjet ngjitëse, është rreth 6 mijë raste për 100 mijë banorë.

Sëmundjet ngjitëse në Kosovë janë tuberkulozi, fruthi, hepatit, ethet hemorragjike, problemet respiratore, e disa të tjera që e përcjellin me vite Kosovën.

Infektologu Sali Ahmeti shpjegon në mënyrë profesionale për sëmundjet endemike dhe ngjitëse në Kosovë.

“Kosova ende llogaritet si vend endemik për shumë sëmundje ngjitëse me një incidencë të lartë, dhe jo rrallë vdekjeprurëse. Në mënyrë specifike dallojmë për nga numri i madh i sëmundjeve ngjitëse në raport me Evropën dhe në mënyrë të veçantë në rajon, duke cekur ethet hemorragjike virale, krime kongo dhe ato me sindromë veshkore, e që janë sëmundje endemike”.

“Ne ballafaqohemi me sëmundje klasike infektive, siç janë, bruceloza, tularemia e që është karakteristike e veçantë e vendit tonë, duke vazhduar me forma më të reja të sëmundjeve ngjitëse tropikale si malaria, leptospiroza etj. Gjithashtu, janë format epidemike, siç janë, fruthi, rubeola, infeksionet respiratore si virusi H1N1, e po ashtu tuberkulozi që është një sëmundje endemike me tendencë të shtimit të numrit të rasteve”, thotë Ahmeti.

Ndërsa, si sëmundje të reja ngjitëse në dhjetëvjetorin e fundit, ka pasur forma të malaries, nga e cila janë prekur persona që kanë ardhur nga vende të caktuara botërore dhe kanë sjellë sëmundjen, si dhe ka qenë sëmundja e njohur si virusi i Nilit perëndimor.

Majlinda Gjocaj, pulmologe, përmend faktin se Fondi Global, ndër vite ka ndihmuar në luftimin e tuberkulozit, duke dhënë rreth 5 milionë dollarë për çdo tre vjet. Gjithashtu, viteve të fundit edhe Ministria e Shëndetësisë ka blerë barna për të prekurit me tuberkuloz në mënyrë që pacientët të trajtohen falas./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...