Ky është numri i armëve ilegale në kosovë

Aktuale

Ky është numri i armëve ilegale në kosovë

Më: 23 mars 2019 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Nga muaji dhjetor i vitit të kaluar ka filluar aplikimi për legalizimin e armëve ilegale, të cilat i posedojnë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), i cili është edhe Koordinator Nacional për Armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka, ka thënë se interesi shtetëror është siguria e përgjithshme e qytetarëve të vendit.

Sipas tij, ky është një standard evropian që praktikohet për çështjen e legalizimit të armëve.

“Së pari është interes shtetëror çështja e sigurisë së përgjithshme të qytetarëve dhe në këtë komparacion ekziston edhe ligji për legalizimin e armëve që ka kaluar në parlamentin e Kosovës në vitin 2017. Ky është një standard edhe evropian që praktikohet për çështjen e legalizimit të armëve”, ka thënë ai.

Zeka tregoi se duke u bazuar në disa statistika, në Kosovë janë mbi 200 mijë armë ilegale.

“Vrasjet dhe aktet kriminale që ndodhin, zakonisht ndodhin prej armëve ilegale. Jemi munduar si MPB, që të krijojmë një mundësi që të gjithë ata qytetarë që disponojnë armë ilegale t’i legalizojnë dhe në një farë forme të krijohet dhe një databazë dhe të dihet armët se ku janë. Këtë standard e kanë bërë edhe shtetet e Ballkanit edhe ato të Evropës, etj”, tha Zeka.

Ai theksoi se prej 17 dhjetorit të vitit 2018, ka filluar të nxirret vendimi për legalizimin e armëve, kurse deri tash janë dërguar mbi 500 aplikacione.

Zeka shpreson që numri i aplikimeve për legalizim të armëve, të rritet deri në fund të këtij viti.

“Prej 17 dhjetorit 2018 ka filluar të nxirret vendimi për legalizimin e armëve, ku deri tash janë mbi 500 aplikacione dhe shpresojmë që numri do të rritet nga fundi, për shkak se është në natyrën tonë njerëzore që presim muajt e fundit…”.

Zeka gjithashtu iu ka bërë kërkesë edhe institucioneve të vendit, që të angazhohen direkt në këtë kampanjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat