Albin Kurti: Tri arsyet kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash

Aktuale

Albin Kurti: Tri arsyet kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash

Nga: A.ZH Më: 24 mars 2019 Në ora: 12:11
Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për bombardimet e NATO-s, duke thënë se janë tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash.

Ai ka thënë se perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë së Tretë, e cila sipas tij, ishte bërë tërësisht e Milosheviqit, përcjell Bota sot.

Kurti ka theksuar dita e parë dhe e fundit e këtij intervenimi 78 ditor ishin më të mirat, pasi u godit dhe u dorëzua Serbia.

Postimi i plotë i Kurtit:

20 vjet u mbushën sot nga bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe. E treta e vërteta: perëndimi ndërhyri ushtarakisht kundër Jugosllavisë së Tretë e cila ishte bërë tërësisht e Milosheviqit.

Janë tri arsye kryesore pse NATO hyri në luftë para dy dekadash:

Sepse presidenti i Jugosllavisë , Slobodan Milosheviq, nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Rambujesë (ndonëse ai ishte mjaft i favorshëm për Serbinë). Kjo ishte në kontrast me marrëveshjen e Daytonit e cila e kishte fuqizuar Milosheviqin brenda (si pushtet) e jashtë (si personalitet).

Që Kosova të mos bëhej Bosnje. Me Srebrenicën në mendje dhe Reçakun para syve, nuk mund të lejohej përsëritja e gjenocidit në Evropë duke qëndruar duarkryq aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit. Edhe kredibiliteti global i NATO-s dhe perëndimit ishin në pyetje.

Që Maqedonia të mos bëhej Kosovë. Vazhdimi i luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe nuk do të mund të mbahej për shumë gjatë i lokalizuar në Kosovë. Shqiptarët ishin nën sulm mizor dhe përfshirja e Maqedonisë në luftë e bënte kalimin nga rreziku lokal në paparashikueshmëri rajonale (më së paku).

Dita e parë dhe e fundit e këtij intervenimi 78 ditor ishin më të mirat. Sepse u godit Serbia dhe sepse u dorëzua ajo. Midis këtyre dy çasteve kemi mesatarisht nga 5 masakra në ditë kundër shqiptarëve anembanë Kosovës. Në këtë pranverë populli i Kosovës do të përkujtojë mijëra 20 vjetorë, të dhembjes e pikëllimit për humbjet e vuajtjet, të krenarisë e shpresës për vendosmërinë dhe ardhmërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat