Thaçi shkon në Gllogjan për të “goditur” Haradinajn: Mbështetjen e ndërkombëtarëve duhet ta ruajmë

Aktuale

Thaçi shkon në Gllogjan për të “goditur” Haradinajn: Mbështetjen e ndërkombëtarëve duhet ta ruajmë

Më: 24 mars 2019 Në ora: 12:46
Hashim Thaçi mori pjesë sot në manifestimin shtetëror “Epopeja e UÇK-së në Dukagjin”.

(E plotësuar) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në manifestimin shtetëror “Epopeja e UÇK-së në Dukagjin”.

Presidenti Thaçi tha se në  këtë  ditë pas fillimit të  fuqizimit të  rezistencës së  Ushtrisë  Çlirimtare të  Kosovës në  krye me komandantin legjendar Adem Jashari, dhe familjen Jashari dhe bashkëluftëtarë të tjerë, ndodhi ajo që  pritej të  ndodh edhe në  Gllogjan.

“Ndodhi ajo që  pritej të  ndodhte, sepse bërthamat e para të  Ushtrisë  Çlirimtare të  Kosovës tanimë  ishin fuqizuar, ishin zgjeruar dhe sulmet ishin të  pandërprera kundër forcave ushtarake dhe policore të  Serbisë”, ka thënë  presidenti Thaçi.

Kreu i vendit tha se Epopeja e Dukagjinit shënoi një kthesë historike në luftën për liri, çlirim dhe pavarësi.

“Madhështia dhe vlera më  e madhe e kësaj date i shtohet kur kemi parasysh se më  24 mars 1999, 20 vite më  parë,  filluan bombardimet e NATO-s. E, bombardimet e NATO-s dhe kjo aleancë  kosovaro-perëndimore nuk është  lidhur rastësisht, por pikërisht falë  rezistencës së  Ushtrisë  Çlirimtare të  Kosovës, rezistencës së  çdo qytetari të  Kosovës kudo që  ka qenë  në  Kosovë  e diasporë, që  ndihmuan luftën për liri”, ka theksuar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka shtuar se sot kujtojmë  me pietet e respekt Epopejën e Dukagjinit, kujtojmë  dhe vlerësojmë  lart mbështetjen ndërkombëtare të  cilën duhet ta ruajmë  si sytë  e ballit në  rrugëtimin tonë  për anëtarësim në  NATO, Bashkim Evropian dhe raporte speciale me Shtet e Bashkuara të  Amerikës.

Image

Duke vlerësuar rezistencën dhe heroizmin e dëshmorëve të  lirisë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës, dëshmorët: Agim Ali Selmanaj, Arben Bajram Ahmetaj, Artan Ahmet Mehmetaj, Burim Sadik Mustafaj, Enver Hasan Halilaj, Fatmir Smajl Nimanaj, Hasim Misin Halilaj, Luan Gani Nimanaj, Naim Metë  Nimanaj, Orhan Lan Halilaj, Sokol Muzli Sejfijaj, Shpend Zeqë Malaj.

Image

***

Në organizimin e “Epopesë së Dukagjinit” që po mbahet në vendlindjen e kryeministrit Ramush Haradinaj në Gllogjan të Deçanit, pjesëmarrës është edhe presidenti Hashim Thaçi. Në një fjalë rasti në këtë manifestim, presidenti Thaçi, tha se Epopeja e Dukagjinit shënon një kthesë në luftën për liri dhe pavarësi. Duke vlerësuar edhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe mbështetjen e shteteve ndërkombëtare  ku tha se “ përkrahjen e tyre duhet ta ruajmë si sytë e ballit në rrugëtimin tonë në rrugën euroatlantike”.

Ditën e sotme presidenti Hashim Thaçi, e ka cilësuar ditë e rëndësishme dhe historike për Kosovën dhe kombin shqipëtar.

“Në këtë ditë që pas fuqizimit të rezistencës në krye me Adem Jasharin dhe bashkëluftarët e tjerë ndodhi edhe ajo që pritej të ndodhte edhe në Gllogjan. Sulmet ishin të pandërprera kundër forcave të Serbisë, epopeja e Dukagjinit shënon një kthesë në luftën për liri dhe pavarësi. Madhështia i shtohet kësaj date se po këtë ditë më 24 mars 1999 ndërhynë edhe forcat e NATO-s”, tha presidenti.

Shtoi se përkrahjen e ndërkombëtarëve duhet ta ruajmë si sytë e ballit.

S”ot kujtojmë me respekt Epopenë e Dukagjinit, dhe vlerësojmë lartë mbështetjen e ndërkombëtarëve që duhet ta ruajmë si sytë e ballit për rrugëtimin tonë në rrugën euroatlantike”, tha Thaçi.

Fjalimin e përfundoi duke ndarë dekorimet “Heroi i Kosovës” për 12 luftëtarë të Dukagjinit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat