Çka tha udhëheqësi i Policisë serbe me shifrën “Shara 101” natën kur NATO-ja bombardoi forcat serbe në Kosovë, tregon ish-komandanti i UÇK-së

Aktuale

Çka tha udhëheqësi i Policisë serbe me shifrën “Shara 101” natën kur NATO-ja bombardoi forcat serbe në Kosovë, tregon ish-komandanti i UÇK-së

Nga: N.Sh Më: 24 mars 2019 Në ora: 16:24
Zafir Berisha

Me rastin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-së në ish-Jugosllavi, të cilat çuan në çlirimin e Kosovës, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-s, Zafir Berisha, ka kujtuar këtë moment duke e quajtur si një fillim të fundit të okupimit serbo-sllavë në Kosovë.

Ai këtë e ka bërë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku ka thënë se kishte një ndjenjë e përzier gëzimi dhe ndjenjë force mes rezistencës, sepse e kishte kuptuar se ishte fillimi i fundit i regjimit fashist serb në Kosovë.

Zafir Berisha, i cili ishte edhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon për shifrën “shara 101”, një udhëheqës i Policisë serbe në Kosovë, i cili pas bombardimeve të NATO-s ishte në panik.

Ja postimi i plotë i deputetit Zafir Berisha:

RIKTHIM NË KOHË, 20 VITE MBRAPA!

(Fillimi i fundit të okupimit serbo-sllavë në Kosovë)

Më 24 mars të 1999 ndodhesha në lagjen Tusuz të Prizrenit, ngase përmes Besnikut kishim lën takim me “Hoxhën” dhe disa shokë të luftës, për të bashkërenduar aktivetet luftarake.

Derisa qëndronim në një shtëpi me Isën, Rustemin e Strugën, kurse shokët tjerë ishin në fsh Billushë-Kushtrim, rrethë orës 20.00, papritur u ndërpre programi i rregullt i televizionit shqiptar që po shihnim, kur gazetari paralajmëroi fillimin e sulmeve të Nato-s mbi caqet serbe. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme, sepse në momente tepër vendimtare për vendin, vinte në ndihmë edhe një aleancë e fuqishme politike – ushtarake.

Ishte një ndjenjë e përzier gëzimi dhe ndjenje force mes rezistencës sepse e kuptuam se ishte fillimi i fundit i regjimit fashist serb në Kosovë. Kur dolëm nga shtëpia ku ndodheshim në Tusuz, banorët e lagjes kishin dalë nëpër rrugë dhe s’e kishin idenë si të vepronin, sepse Prizreni ishte nën alarmet trishtuese të forcave serbe, të cilat në lagjen Bajram Curri, me të cilën na ndante vetëm lumi, në fabrikën e Farmakosit kishin filluar të fshihnin tanket, në një kohë që nga lëvizjet e tyre dridhej i tërë qyteti.

Ne i qetësuam banorët me të cilët komumikonim, dhe u sugjeruam që të mos leviznin për momentin nga lagja, sepse nuk dihej ende se çfarë po ndodhte, dhe qyteti ishte në errësirë të plotë. Bombat e para ranë në kazermat e ushtrisë jugosllave që ishte në dalje të Prizrenit, në drejtim të Suharekës. Dolëm mbi qytet dhe me radiolidhëset hymë në frekuencat e forcave serbe, ku nga bisedat në mes vete e kuptuam se ishin në panikë të madh...

Personi me shifrën “shara 101”, I cili me gjasë ishte ndonjë udhëheqës i policisë ishte në gjendje paniku, duke gjykuar nga zëri i tij, dhe gjatë gjithë kohës shante në gjuhën serbe dhe jepte urdhëra se si duhej vepruar.

Diku nga ora 22.00 disa lokale dhe banesa në Prizren u pushtuan nga flakët, dhe forcat serbe vazhduan valën e terrorit ndaj qytetarëve. Në gjithë këtë ndjenjë të përzier gëzimi e trishtimi, për ata që e shinim me sy dhe perjetonin ishte një moment ku dikush nga njësitet e UÇK-së, në frekuencat e policisë serbe kishte vënë një këngë për Skënderbeun, e cila po tmerronte policinë serbe… Lufta jonë tashmë në rrethana të reja, vazhdoi deri më 12 qershor 1999, ditë kur në mënyrë triumfuese UÇK-së hyri në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat