Raport hetimor për policët që arrestuan Gjuriqin, rasti i kalon prokurorisë - Bota Sot
Raport hetimor për policët që arrestuan Gjuriqin, rasti i kalon prokurorisë

Aktuale

Raport hetimor për policët që arrestuan Gjuriqin, rasti i kalon prokurorisë

Më: 24 mars 2019 Në ora: 17:45
Marko Gjuriq

Gati një vit kanë kaluar që nga arrestimi në Mitrovicë të Veriut të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

26 marsi i vitit që lamë pas, do të sillte një valë të re të tensionesh mes Prishtinës dhe Beogradit.

Gjuriq, që hyri në territorin e vendit pa lejen e autoriteteve shtetërore, do të arrestohej e më pas depërtohej në Serbi nën përcjelljen e Policisë.

Në aksionin e arrestimit të tij morën pjesë pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës, të njohur me emrin “Rosu”.

Këta të fundit më pas do të ishin pjesë e hetimeve të nisura nga Inspektorati Policor i Kosovës, pikërisht në lidhje me arrestimin e Marko Gjuriq.

Por çfarë ka ndodhur një vit më pas?

Drejtësia në Kosovë po mirret ende me disa pjesëtarë të “Rosu” që arrestuan Marko Gjuriqin.

Nga Inspektorati Policor i Kosovës, është bërë e ditur se pas veprimeve hetimore, IPK-ja ka dërguar një raport me të gjeturat në Prokurorinë e Mitrovicës.

Që nga ky moment, rasti i është lënë në dorë pikërisht këtij institucioni të drejtësisë.

“…lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së, pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, me kërkesë tëProkurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës kanë dorezuar raportin informues lidhur me të gjeturat e hetimit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Për këtë çështje ka folur Prokuroria Themelore të Mitrovicës.

Në një përgjigje për lajmin nga kjo Prokurori e kanë konfirmuar se kanë pranuar një raport njoftues nga Inspektorati Policor, teksa kanë thënë se lënda është në përpunim.

“E konfirmojmë pranimin e raportin njoftues nga Inspektorati Policor i Kosovës në lidhje me këtë çështje”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

“Lënda është në punë, dhe në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna tjera”, thuhet tutje në përgjigje.

Kujtojmë se arrestimi në Kosovë i Marko Gjuriqit do të kishte rrjedhojë daljen e Listës Serbe nga Qeveria Haradinaj.

Në Serbi, aksioni i “Rosu” ishte parë si kërcënim dhe provokim i jashtëzakonshëm i Prishtinës, teksa presidenti serbë duke mos u mjaftuar me këtë kishte mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë.

Gjuriq, që në disa deklarata të mëhershme televizive deklaronte se në Kosovë kishte hyrë dhjetëra herë pa leje, pas arrestimit që i ndodhi, nuk e bëri më një gjë të tillë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...