Si lindi UÇK-ja? Ja rrëfimi i Komandant Remit!

Aktuale

Si lindi UÇK-ja? Ja rrëfimi i Komandant Remit!

Nga: N.Sh Më: 25 mars 2019 Në ora: 08:58
Rrustem Mustafa - Remi

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook, ka treguar se si lindi UÇK-ja.

Ai ka postuar një pjesë nga libri i tij “Në Evropë apo në Europë", ku thotë se, dhurata më e çmuar në fund të shekullit XX ishte akronimi magjik i tri germave frymëzuese “UÇK”.

Ai tutje tregon edhe për lindjen apo formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi pas shumë bisedimeve, pas një përvoje gati 50-vjeçare të rezistencës së pandërprerë kundër shfarosjes, shpërnguljeve të pakthyeshme, kundër asimilimit dhe ndryshimit të identitetit. Kundërvënia ushtarake ishte gjuha e vetme që e kuptonte okupatori, e vetmja metodë dhe e fundit që i shkaktonte dëme armikut”, shkruan ish-komandant Remi.

Tutje, në shkrimi e tij, Mustafa thekson se, pas çlirimit të Kosovës UÇK-ja dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, ishte projekti më me vlerë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

“Procesi i formimit të UÇK-së s’do mend se u përcoll me shumë vështirësi, por veprimet e saj fituan mbështetjen e plotë të popullit, si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë.

Lëvizja popullore po konsolidohej edhe më shumë. Ata po rivendosnin e riaktivizonin lidhjet e vjetra, po krijonin lidhjet e reja dhe po e shndërronin ilegalen në armatë të tërë për çlirimin e vendit.

Analistët e huaj e shpallën UÇK-në si formacionin më të suksesshëm kryengritës në histori”, shkruan tutje ai.

Lexojeni më poshtë shkrimin e publikuar nga Rrustem Mustafa – Remi:

F0RMIMI i UÇK-së

-24 Marsi '99, Nata e Përkrahjes Ndërkombëtare për vendin tonë

-Politika serbe e vlerësoi si dobësi përcaktimet paqësore të politikës shqiptare.

-UÇK-ja e ndërpreu hovin e politikës përbuzëse serbe.

-Kundërvënia ushtarake ishte gjuha e vetme që e kuptonte okupatori serb.

Akronimi magjik, ato tri gërma frymëzuese: “UÇK”, - ishte dhurata më e çmueshme që në fund të shekullit XX lëvizja kombëtare i dha popullit të vet. Do të ishte kjo dhurata që këtij populli do t’ia shërojë plagët e vjetra dhe do t’ia japë kodin që do të hapë horizontin e perspektivave të pandalshme për të ardhmen.

- Epoka e UÇK-së.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi pas shumë bisedimeve, pas një përvoje gati 50-vjeçare të rezistencës së pandërprerë kundër shfarosjes, shpërnguljeve të pakthyeshme, kundër asimilimit dhe ndryshimit të identitetit. Kundërvënia ushtarake ishte gjuha e vetme që e kuptonte okupatori, e vetmja metodë dhe e fundit që i shkaktonte dëme armikut.

Këto aksione që e dëmtonin strukturën ushtarake të armikut e që në kokat e serbëve të harlisur mbillte dyshimin për epilogun përfundimtar të këtij konflikti, nuk ishte punë e lehtë: luftëtarët e UÇK-së ishin të vetëdijshëm për potencialet ushtarake të Jugosllavisë, të përvetësuara njëanshëm nga Serbia.

Ata dinin se edhe vetë janë në shënjestër të armikut, por pikërisht për këtë shkak, me guxim të rrallë hynin në aksione që e cënonin imazhin luftarak të serbëve. Në këto veprime sfiduese ushtarët e UÇK-së e rrezikonin jetën për të dëshmuar bindjen e tyre të thellë për lirí dhe për kapacitet moral, ushtarak, organizativ dhe profesional të shqiptarëve.

Tani, pas shumë analizave dhe përvojave në fushëbeteja, sidomos pas çlirimit të Kosovës, mund të përfundojmë se UÇK-ja dhe Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte projekti më me vlerë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

Ilegalja shqiptare me në krye Adem Demaçin, pas këtyre përpjekjeve kishte sjellë përfundime të sakta dhe diku jepte dritën e gjelbër për fillimin e aksioneve të armatosura gjithandej ku mund të goditeshin forcat armike bashkë me ata që do t’i shërbenin armikut.

Që nga viti 1993 shumë luftëtarë po jepnin prova të suksesshme në mbarë vendin dhe kështu e formësonin gueriljen e fortë dhe të pamposhtur, të cilësuar më vonë nga ekspertë të mëdhenj ndërkombëtarë si guerilja më e suksesshme e shekullit, e periudhës pas Luftës së Ftohtë, edhe pse u formua relativisht për një periudhë të shkurtër.

Procesi i formimit të UÇK-së s’do mend se u përcoll me shumë vështirësi, por veprimet e saj fituan mbështetjen e plotë të popullit, si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë.

Lëvizja popullore po konsolidohej edhe më shumë. Ata po rivendosnin e riaktivizonin lidhjet e vjetra, po krijonin lidhjet e reja dhe po e shndërronin ilegalen në armatë të tërë për çlirimin e vendit.

Analistët e huaj e shpallën UÇK-në si formacionin më të suksesshëm kryengritës në histori.

Nën përkujdesjen e këtyre atdhetarëve po organizohej mbledhja e fondit, pas demonstratave të vitit 1989. “Vendlindja thërret!” - ishte mjeti më i njohur për mbledhjen e fondeve.

Këta e organizuan grupin politik që do të merrte përgjegjësinë për kontakte politike-diplomatike të nevojshme për luftën. Krijuan grupe logjistike në Shqipëri dhe diasporë, grupe përgjegjëse për armatim, për teknikë luftarake dhe nevoja të tjera për çlirim.

Kështu, po operacionalizoheshin punët për gjithsecilin, saktë dhe me përgjegjësí të jashtëzakonshme. Këta të fundit po ua lehtësonin punën luftëtarëve që po luftonin drejtpërdrejt me forcat serbe, duke ua lejuar iniciativën e mjaftueshme për veprim në njësitë guerile në terren dhe duke i përkrahur ato pa rezervë me mundësi që shpeshherë ishin të pamundshme për kohën, e megjithatë ata e bënin këtë.

Pas dhënies së provave në terren dhe sukseseve të shumta, diku nga fillimi i viteve 1994 nën mbikëqyrjen e hollë të atdhetarëve të ilegales, po bëheshin kontaktet e para të njësive të zonave të ndryshme në vend. Aktiviteti ishte orientuar kryesisht në krijimin dhe në organizimin e strukturave ushtarake.

Këto kontakte duke qenë shumë konspirative dhe duke dhënë informata vetëm aq sa i nevojiteshin njësitit me kujdes të shtuar, u pamundësohej involvimi i të padëshiruarve brenda UÇK-së, për të cilën po interesohej armiku dhe po bënte gjithçka për t’u futur në strukturat e kësaj organizate, ndonëse pa sukses.

Këtë e pamundësoi kujdesi i hollë i njerëzve me përvojë që tanimë kishin përfituar përvoja të jashtëzakonshme në këtë drejtim.

UÇK-ja e ruajti veten nga infiltrimet e jashtme armiqësore në procesin e vendimmarrjes.

Zahir Pajaziti, ishte njëri nga ata heronj që e mposhtën frikën.

Viti 1995, shënon ngjarje të shumta të strukturimit dhe të shtrirjes territoriale të njësive guerile në tërë territorin e Kosovës, dhe arriti në një koordinim të lartë.

Në këtë kohë filluan takimet e para të shtabit operativ e po sinkronizoheshin në nivel të vendit aksionet e UÇK-së.

Po ndërmerreshin aksione të njëkohshme në mbarë vendin, duke ndodhur deri në 16 aksione brenda 1 ore në gjithë vendin, të urdhëruara nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së.

Shtabi i përgjithshëm kishte caktuar në bazë të përvojës dhe rezultateve në terren komandant të shtabit operativ, aksionistin, strategun e madh të kohës, Zahir Pajazitin.

Kur të tjerët ishin të shuar, kur zemra e tyre nuk i ngrohte asnjë ideal, të lodhur, të brengosur, të frikësuar, Zahir Pajaziti u shfaq në skenën historike jo vetëm shqiptare, por edhe më gjerë, me bindjet e tij se kryengritja ka shans dhe se ne kemi kapacitete kundërvënëse dhe se fitorja jonë është e pashmangshme.

Ai fliste, organizonte, vepronte dhe ne e dëgjonim, ndërronim dhe pak nga pak angazhoheshim në strukturat luftarake që krijonte ai me shokët.

Ai e sfidonte kohën, e luftonte mentalitetin tonë lokal, krijonte njësi në çdo pjesë të vendit dhe luftonte gjithmonë në ballë të frontit.

Kjo vërtetohet me rënien në krye të detyrës, në qendër të vendit, bashkë me bashkëluftëtarët nga pjesë të ndryshme të vendit.

Vlera e tij ishte besimi në ideale kombëtare dhe rrjedhimisht në fitoren tonë përfundimtare. Sot, falë këtij burri, Kosova dhe shqiptaret janë të lirë dhe kanë aleatë faktorët më të përparuar të botës.

Zahir Pajaziti pati fuqi dhe vizion që ta godasë armikun, që në dukje ishte i pamposhtur; ai në mënyrë të përgjegjshme ngadhënjeu edhe mbi defetistët e brendshëm.

Nuk bëri asnjë gabim taktik apo strategjik, por i dha luftës një dimension strategjik, atë të luftës për lirí të shqiptarëve, për ideale të përgjithshme njerëzore, duke i ikur lokalizmit që na kishte përcjellë nga koha kur komunikimi ishte i vështirë.

Pas shumë aksioneve spektakolare në nivel vendi, të cilat ndikuan në krijimin e imazhit pozitiv politik ndaj Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, policia serbe filloi arrestimet dhe ndjekjet e drejtueseve të UÇK-së.

Gjatë kësaj periudhe kohore, UÇK-ja pësoi shumë nga rënia heroike e Zahir Pajazitit në përleshje me armikun më 31 janar 1997 dhe e bashkëluftëtarëve të tij: Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Por, përkundër rënies së tyre, radhët e UÇK-së sa vinin e shtoheshin me vullnetarë e luftëtarë të rinj.

Vrasja e frikës dhe çlirimi prej psikozës së saj, që filloi ta konkretizonte Zahiri me shokë, tani po shënonte fillimin e një kapitulli të ri në rezistencën e shqiptarëve.

Këtë herë ata po shkonin një hap më tutje. Me luftën e UÇK-së, ata po trokisnin në portën e lirisë.

Marr nga libri: "Në Evropë apo në Europë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat