Kosnett sfidon Haradinajn që të emërojë më shumë gra në kabinetit qeveritar

Aktuale

Kosnett sfidon Haradinajn që të emërojë më shumë gra në kabinetit qeveritar

Më: 26 mars 2019 Në ora: 12:07
Philip Kosnett

Në diskutimin e bërë në Javën e gruas, organizuar në kuadër të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett e ka sfiduar kryeministrin Ramush Haradinaj që brenda një periudhe kohore të shkurtër kohore të emërojë më shumë gra në kabinetin qeveritar dhe të merr shembull institucionin e policisë, ku sipas tij, ka pasur rritje të përfaqësimit të grave.

Duke folur për angazhimin e grave në institucionet  e Kosovës dhe shoqëri, diplomati amerikan theksoi se fuqizimi i grave dhe të drejtave të tyre duhet të vazhdojë me intensitet më të lartë, dhe se për të punuar për këtë, nuk është detyrë vetëm e grave, por e të gjithëve.

Ambasadori Kosnett, mes tjerash, tha se rreth 50 për qind e popullatës në Kosovë, duke iu referuar grave po pengohen në shoqërinë kosovare. Sipas tij, kur gratë  janë pjesë e proceseve vendimmarrëse rrisin produktivitetin e një vendi dhe për këtë ai ka përmendur sukseset e artistëve dhe sportistëve tanë.

Kosnett: Gratë në Kosovë janë duke bërë gjëra të mëdha

“Kur njerëzit e dëgjojnë fjalën integritet, mendojnë ndershmërinë, kjo është e vërtetë,  por edhe ekziston dhe një fjalë tjetër që ka të bëjë me bashkimin, paanshmërinë, plotësinë. Sot,  Kosova nuk është e plotë, sepse 50 për qind e popullatës së saj pengohet në shoqëri, politikë, ekonomi. Kur gratë janë në tavolinë, kur janë pjesë e proceseve vendimmarrëse, rezultatet janë të mira për gjithë vendin. Gratë në Kosovë janë duke bërë gjëra të mëdha, shumë gra çdo vit po hyn në universitete, presidentja Jahjaga, Era Istrefi janë disa shembuj të mirë. Pra, kryeministër unë të sfidoj të shohim pjesën tjetër të qeverisë të kapë performancën e policisë”, porositi Kosnett.

Kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh se në Kosovë gjithmonë i është kushtuar rëndësi avancimit të rolin të grave, ku sipas tij janë larguar shumë tabu,  mirëpo, siç thotë ai tabu ka mbetur bartja e trashëgimisë në pronë, ku ka probleme në implementim.

Përkundër kësaj, shefi i ekzekutivit të vendit, tha se ka qenë shumë e vështirë për të krijuar qeverinë me më shumë gra në kabinetin qeverisës.

Haradinaj: Ka qenë i vështirë krijimi i qeverisë me më shumë femra

“Bindja e përkrahjes së femrës kosovare në vendimmarrje përfaqësim në temat të rëndësishme të jetës sonë, mendoj që ka evoluar shumë. Është dhe te partitë politike dhe shpresoj që gjitha partitë politike do të ruajnë interesimin dhe kujdesin që femra të përfaqësoj. Ajo që po ashtu më bën përshtypje janë dhe largimi i tabuve, kur kanë ekzistuar shumë tabu. Mendoj që një tabu ende është prezente në jetën tonë, në veçanti në pjesën rurale është çështja e trashëgimisë edhe pse e rregulluar me ligj, ne e dimë që numri i femrave që kanë në posedim në pronë, në marrjen e trashëgimisë së prindërve nuk është sa i burrave. Ka qenë bukur e vështirë në atë kohë krijimi i qeverisë me më shumë femra, për fat sot kemi dy ministre femra, por ka qenë një proces mjaft i vështirë në kohën e themelimit të qeverisë”, tha ai.

Ndërsa, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Donikë Dobruna u shpreh e lumtur me angazhimin e saj dhe rolin që e ka pasur ky organizim në avancimin e saj në karrierën e saj.  Duke përmendur sundimin e ligjit në Kosovë, ajo tha se duhet të jetë më efikas dhe i pavarur.

Dobruna: Sistemi gjyqësor të jetë i pavarur

“Në mënyrë që sundimi i ligjit të jetë i qëndrueshëm, të zhvillojë dhe të krijojë një bazament në mënyrë që të krijojë një shoqëri demokratike. Sundimi i ligjit, përveç ligjshmërisë, sigurisë ligjore, parandalimit të keqpërdorimit të pushtetit, qasjes në drejtësi, nënkupton para se gjithash  barazi për të gjithë para ligjit dhe jo diskriminim. Këtë të fundit po mundohemi të arrijmë dhe me gjyqësorin. Shikuar nga profesioni im, në mënyrë që sistemi gjyqësor të jetë funksional dhe i besueshëm, ai duhet të jetë i pavarur”, u shpreh ajo.

Java e gruas është bërë tashmë tradicionale në Kosovë, ku pritet të zgjasë rreth një javë me diskutime të ndryshme për avancimin e rolit të gruas në shoqëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat