A u hapi presidenti rrugë zgjedhjeve të reja?

Aktuale

A u hapi presidenti rrugë zgjedhjeve të reja?

Më: 26 mars 2019 Në ora: 18:30
Qeveria Haradinaj

Pas një viti bllokim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur ta zhbllokojë këtë komision dhe t’i emërojë anëtarët e rinj.

Thaçi tashmë ua ka dërguar ftesat përfaqësuesve të Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së, dhe AAK-së që të dekretohen ditën e enjte. Presidenti ka lënë Nismën dhe PSD-në, pa përfaqësues në KQZ.

Analisti politik, Ramush Tahiri në një deklaratë të dhënë tha që presidenti po e kryen detyrën e tij me emërimin e anëtareve të rinjë të KQZ-së. Kurse tha që për zgjedhje ai nuk vendos.

“Presidenti po e kryen punën e tij, për të cilën është i paguar që ta kryejë sepse vonesat konsiderohen të paarsyeshme për dekretimin e anëtarëve të KQZ-së, për normalizimin e punës. Rreth 30 asamblistë komunal kanë mbetur pa marrë detyrën për shkak se KQZ nuk ka mundur t’ua miratojë mandatet, gjithashtu edhe dy deputet  kanë mbetur jashtë për shkak të KQZ-së. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, presidenti është dashtë t’i dekretojë ata. Ai me arsyetimin e dhënë ka thënë që janë kryer të gjitha dilemat ose çështjet procedurale dhe presidenti ka konsideruar se propozimet nga partitë nuk kanë qenë të qarta sepse janë koalicione para dhe pazgjedhure”, ka thënë Ramush Tahiri.

Analisti më tej tha, që tashmë KQZ mundet që t’i organizojë zgjedhjet e jashtëzakonshme, nëse rrëzohet Qeveria Haradinaj.

“KQZ mundet tash që t’i organizojë zgjedhjet, nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme por kjo nuk varet nga presidenti Hashim Thaçi. Por, varet nga partnerët e koalicionit dhe partitë opozitare. Vendi shkon në zgjedhje nëse rrëzohet Qeveria Haradinaj me 61 vota, ose nëse parlamenti e shpërndan veten me 81 vota. Zgjedhjet nuk kanë mundur të organizohen deri më tash për shkak se nuk ma pasur kush t’i organizojë ato”, u shpreh ai.

Ndryshe, KQZ ka afro 10 muaj që ka mbetur i bllokuar duke mos u bërë zëvendësimi i anëtarëve që kanë përfunduar mandatin me anëtarë të rinj. E për mbajtjen peng të këtij procesi është akuzuar Presidenti Thaçi, nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe anëtarë të shoqërisë civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat