Osmani i përgjigjet Haradinajt për lojërat e fatit: Sa ia hedh fajin LDK’së, këqyre veten në pasqyrë

Aktuale

Osmani i përgjigjet Haradinajt për lojërat e fatit: Sa ia hedh fajin LDK’së, këqyre veten në pasqyrë

Më: 26 mars 2019 Në ora: 20:16
Naser Osmani dhe Ramush Haradinaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani i është kundërpërgjigjur deklaratës së sotme të kryeministrit Ramush Haradinaj se nuk e di arsyen pse ata që ishin para tij në pushtet, nuk i kishin mbyllur lojërat e fatit por ia kërkuan këtë Qeverisë së tij. Osmani, në një deklaratë dhënë, ka thënë se Ligji për Lojërat e Fatit është i mirë, por i njëjti është degraduar me ardhjen e Qeverisë Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se kanë marrë vednim për mbylljen e lojërave të fatit, përveç Lotarisë së Kosovës.

Teksa po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, Haradinaj tha se nuk e di pse ata që kanë qenë në pushtet nuk i kanë mbyllur lojërat e fatit, por ia kërkuan këtë Qeverisë së tij.

Në këtë, Haradinaj aludoi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, deputetët e së cilës iniciuan në Kuvend debat parlamentar dhe miratuan rezolutë për mbylljen e tyre.

Për këtë, media ka kontaktuar deputetin e LDK’së, Naser Osmanin, i cili ishte ndër deputetët më të zëshëm në seancën e jashtëzakonshme për mbylljen e këtyre lojërave të fatit.

Osmani ia ka rikujtuar Haradinajt se gjatë qeverisjes së LDK’së ishin ndërmarrë nisma për rregullimin e bizneseve të lojërave të fatit.

Ai thotë se gjatë asaj kohe ligji ishte zbatuar, falë veprimeve të Qeverisë.

“Ka qenë edhe një tentativë më 2014, kur unë kam qenë kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e LDK’së për zbatueshmërinë e ligjit dhe në atë kohë janë mbyllur rreth 457 lokale të lojërave të fatit dhe është vënë rregull në zbatimin e ligjit nga kompanitë që kanë aplikuar për leje për lojëra të fatit. Prej momentit të ardhjes së kësaj qeverie, ka filluar të rritet në mënyrë drastike numri i hapjes së lokaleve të këtyre lojërave, dhe kanë filluar të shkelen kriteret ligjore dhe ka ardhur deri te abuzimi që ndodhi. Përtej vrasjes nuk e di se çka tjetër duhet me ndodh që një kryeministër të marrë një hap e të marr një vendim, bazuar edhe në vullnetin e deputetëve”, ka thënë Osmani.

Tutje ai ka përmendur disa prej arsyeve që sipas tij kanë ndikuar në shtimin e këtyre bizneseve gjatë qeverisjes së Haradinajt.

“Nuk e di arsyen pse këto lojëra janë shtuar me ardhjen e Qeverisë Haradinaj. Mund të jetë edhe mbyllja e lojërave të tilla në Shqipëri dhe ato biznese kanë gjetur hapësirë në Kosovë. Tek e fundit Qeveria dhe kryeministri me programin e tij zhvillimor ka përmendur punësimin e të rinjve si shkas për politikat e tij ndaj stimulimit të këtyre bizneseve. Dhe kur një Qeveri mundohet që zhvillimin ekonomik ta shtyjë përmes lojërave të fatit dhe bastoreve, atëherë unë nuk kam koment”, ka shtuar Osmani.

Tutje ai ka thënë se Ligji për Lojërat e Fatit është ligj i mirë, po që fatkeqësisht nuk është zbatuar.

“Ligji për lojëra të fatit është ligj i mirë, por ai nuk është zbatuar, qoftë në mungesë të kapaciteteve të institucioneve tona me praktiku zbatueshmërinë e ligjit apo shkaku që propozimet për hartimet të politikave janë marrë nga personat që e kanë mbrojtur këtë veprimtari. Ligji ka qenë i mirë, mirëpo është abuzuar deri në pikë kritike që ka përfunduar deri me vrasje. Cilido që kish ndërmarrë nismë, kishte me qenë e mirë. E në fakt, nisma është ndërmarrë nga kryetari i Komunës së Suharekës, i cili është pikërisht nga radhët e partisë së kryeministrit. Është iniciativë qytetare, jo politike. Ne e kemi mbështetur, bazuar në përkrahjen e qytetarëve”, ka thënë Osmani tutje.

Ai ka thënë se Haradinaj sulmon LDK’në tash për rivalitete politike, por që në fakt ish dashtë të shikohej vetë në pasqyrë për këtë çështje.

“Ai na fajëson neve për rivalitete politike. Ai është në pozitë, ne jemi opozitë. Ai nuk mundet me kritiku as vete vetën edhe pse ish dashtë me u këqyr në pasqyre lidhur me këtë çështje, e jo me na kritiku neve. Po të mos kishte pasur arsyeshmëri veprimi ynë për mbylljen e tyre, atëherë pse u ngut kryeministri me marr bajrakun e me i mbyll. Ka mujt me ndryshu edhe ligjin. Por iu ka ngut me  mbyll, për shkak të degradimit shoqëror” i ka thënë tutje Osmani Periskopit.

Ndërkohë, në ditën e mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, deputeti i LDK’së, Naser Osmani kishte deklaruar në Kuvend se lojërat e fatit kanë rritur numrin e divorceve si dhe kanë ndikuar negativisht në prishjen e raporteve mes vëllezërve.

“Kjo është çështje që ka të bëjë me familjen. Pas hulumtimeve që kemi bërë, të marra nga Policia dhe Gjykata, del se lojërat e fatit janë shkaktari më i madh i divorcit në Kosovë. Janë problemi më i madh në ngatërresat në familje, edhe mes vëllezërve, borxhe të ndryshme, shantazhe për kthimin e atyre borxheve. Ajo çka duhet me theksu që tendenca e rritjes së lojërave të fatit në muajt e fundit, rrjedh nga vendimi i Shqipërisë për mbylljen e tyre, e tash ato kanë filluar të lulëzojnë edhe nëpër fshata kanë nis”, kishte thënë Osmani në fjalimin e tij në seancë.

Para disa ditësh, me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e cila do të ndalojë veprimtarinë e kazinove dhe lojërave të fatit në territorin e Kosovës.

Me 74 vota, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, rezoluta u miratua në një seancë të jashtëzakonshme.

Kjo iniciativë erdhi nga opozita, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pas dy vrasjeve që ndodhën në dy kazino, në dy qytete të ndryshme të Kosovës. Ku në të dyja rastet pësuan punëtorët e kazinove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat