Zeka akuzon rëndë SBASHK-un, e quan sindikatë mafioze

Aktuale

Zeka akuzon rëndë SBASHK-un, e quan sindikatë mafioze

Më: 28 mars 2019 Në ora: 11:25
Milaim Zeka

(E plotësuar) - Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka e ka quajtur mafioze Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, pasi sipas tij, këta të fundit kanë bërë marrëveshje me shumë parti politike, e madje edhe me liderët shtetërorë.

Zeka, gjatë seancës të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të 42 deputetëve për orët e humbura gjatë grevës tri javore,  tha se SBASHK asnjëherë nuk është marrë me problemet e arsimit, përveç se kanë bërë marrëveshje e memorandume politike.

Zeka:  Sindikata mafioze e arsimit, ka bërë marrëveshje me shumë parti politike

“Me të njëjtin lezet e kënaqësi, po i dëgjojnë këto përralla edhe sindikata mafioze e arsimit të Republikës së Kosovës. Ajo nuk është sindikatë, ajo nuk përfaqëson mësuesit dhe profesorët....Me çfarë kërcënimi ka ardhur kryetari i sindikatave dhe ka raportuar në Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës, me çfarë budallallëku ka ardhur dhe ka thënë nuk bëhet nami nëse humb edhe një vit shkollor. Kjo sindikatë e turpit që kurrë nuk është marrë me problemet me të cilat duhet të merret një sindikatë, ka bërë vetëm marrëveshje politike me liderë të ndryshëm të partive politike, në fushata elektorale, që askund në botë nuk ndodh, sindikatat të bëjnë memorandume politike. Kanë bërë me Hashim Thaçin, kanë bërë me liderët tjerë politikë, nuk po guxoj me ia përmend emrin që kanë bërë marrëveshje politike edhe me kryetarin e Kuvendit, me zotin Kadri Veselin”, tha ai.

Sipas deputetit Zeka, seanca e tjetër e jashtëzakonshme për lojërat e fatit, e thirrur për sot, është e panevojshme derisa ka pasur edhe  një kërkesë për ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Zeka: Botoni një libër me titull “Përrallat e Parlamentit”

“Kryetar, po e shohim që je vazhdimisht nën presionin e seancës së dytë. E keni caktuar një seancë në orën 14:00, po ashtu të jashtëzakonshme pa kurrfarë nevoje dhe tash po na bëni presion këtu, pas vendimit që keni marrë për këtë seancë, a me fol a mos me fol. E dyta, do t’i sugjeroja ministrit të Arsimit t’i marrë transkriptet e krejt këtyre debateve dhe të botojë një libër me titull “Përrallat e Parlamentit”. Shumica absolute e këtij parlamenti, duke përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kur kemi qenë fëmijë, 99 për qind prej neve kurrë përralla nuk kemi dëgjuar. Edhe me lezet shumë të madh po i lexojmë përrallat e njëri-tjetrit, sot këtu në Kuvend”, ka përfunduar ai. 

***

Gjatë seancës së jashtëzakonshme, me kërkesë të 42 deputetëve, për orët e humbura gjatë grevës tri javore, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vlerësuar se MASHT dhe SBASHK, tanimë po punojnë më shumë me inate, dhe kanë kërkuar nga të dyja palët të përafrojnë qëndrimet e tyre.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, e ka quajtur  të palogjikshme marrëveshjen e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, çështje kjo për të cilin tha se nuk është për Kadri Veselin.

Kurteshi: Ka të bëjë më shumë me inate mes ministrisë e sindikatës

“Këtu ka të bëjë më shumë me inate, në mes të ministrit dhe të sindikatës se sa që është diskutuar problemi esencial, e ajo janë nxënësit. Sindikata edhe në takimin që kishim, pati kushtëzuar mbajtjen e mësimit me tërheqjen e vendimit të ministrit, që nuk ka qenë absolutisht, ndonjë kërkesë shumë e rëndësishme sa i përket mësimit. Kurse, ministria si duket ishte e prekur nga rasti se sindikata në vend se të bëjë marrëveshje me ministrin, kishte bërë marrëveshje me kryetarin e Kuvendit që është krejt e palogjikshme. Nuk ka qenë çështje e kryetarit të Kuvendit, por ka qenë çështje e Ministrisë edhe e Qeverisë, por ajo që është  me rëndësi në fund të fundit viktimë e mosmarrëveshjeve dhe inateve janë 400 mijë shkollarë”, tha ai.

Kurteshi ka kërkuar që të dyja palët të përafrojnë qëndrimet, në mënyrë që të  mos viktimizohen nxënësit.

Kurteshi: Kërkojmë që dy palët t’i përafrojnë qëndrimet

“Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kërkoj nga dy palët që t’i para-afrojnë qëndrimet që sindikata kur të vendosë për çështje t’i ketë parasysh, nxënësit dhe interesat e tyre dhe jo ministrin dhe Ministrinë, as komisionin, e as Kuvendin, por do të duhej të koncentrohej me logjikën e mësuesit që të mos lejojnë të viktimizohen nxënësit, të cilët deshëm apo nuk deshëm të pranojmë, nëse i humbin tri javë dhe nuk kompensohet mësimi, ata do të humbin shumë gjatë këtij viti shkollor”, tha ai.

Deputetja Teuta Haxhiu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është pajtuar me kërkesën e kryeparlamentarit Kadri Veselit që orët e humbura të kompensohen në fund të vitit shkollor.

Haxhiu: Nuk ka kushte për kompensimin e orëve në fund të vitit shkollor

“Unë nuk kuptoj pse qëndrimet nuk janë të njëjta si në komision. Në komision të gjithë njëzëri kemi qenë të gjejmë një zgjidhje. Për mua zgjidhja më e mirë është, jo që ministria ka qenë shumë e përpiktë në këtë rast, por zgjidhja më e mirë ka qenë mbajtja e orëve sipas ministrisë. Nëse ne tentojmë t’i mbajmë orët pas përfundimit të vitit shkollor, si një ish-mësimdhënëse për 27 vjet për mua është shumë e pakuptimtë. Nuk jemi në Gjermani, nuk jemi në Zvicër, nuk mundemi, nuk kemi kushte, në shkollat tona për të mbajtur mësim në temperaturat që janë deri në 40 gradë, nuk kemi kushte. Pra, paralelet tona nuk kanë as perde në klasë, e le më klimë. Unë nuk e di se sa mund të mbahen orët”, tha Haxhiu.

Driton Çaushi nga radhët e PSD-së ka tërhequr vërejtjen se në situatën e krijuar janë fëmijët ata që pësojnë më së shumti.

Çaushi: E kemi të qartë se është çështje inati

“Duhet të bëjmë një dallim të qartë mes të kësaj greve dhe pasojave të saj dhe cilësdo grevë të ndonjë sektori tjetër... Si parti socialdemokrate e respektojmë të drejtën për grevë, por pasojat janë shumë të rënda për nxënësit... Ne mbështesim kërkesën e kësaj rezolute. Ajo që mund të bëjmë, është të bëjmë një ftesë për SBASHK-un, dhe të jemi parimorë për atë që themi. E kemi të qartë se është çështje inati, dhe shpresoj që kjo seancë të krijojë një hapësirë dhe emergjencë për të trajtuar këtë çështje nga ana e SBASHK-ut duke parë që ministria ka qenë dhe është e gatshme për një marrëveshje”, tha Çaushi.

Deputeti Armend Zemaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se qysh sot Komisioni funksional duhet të trajtojë këtë çështje në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Zemaj: Komisioni funksional të trajtojë qysh sot këtë çështje

“Unë po mendoj se ju sot duhet të uleni me Komisionin Funksional, ta trajtoni këtë çështje, të pa përafruar dhe në përputhshmëri me të gjitha ligjet që janë të aplikueshme ën Republikën e Kosovës. Dhe, për fund, nuk është adresë këtu që të potencohen subjektet e ndryshme politike, as individë të ndryshëm se çfarë qëndrimi kanë për gjendjen aktuale”, ka thënë ai.

Deputetja Valentina Bunjaku nga LDK tha se mirëkupton kërkesat e SBASHK-ut, të mësimdhënësve dhe prindërve.

Bunjaku: MASHT-i të ulë gjakrat

“Kjo temë do të ishte dashur të diskutohet në mes të Ministrisë dhe SBASHK-ut dhe të vije deri te një zgjidhje përfundimtare. Humbja e orëve mësimore për nxënësit ka pasoja të mëdha. Bëjmë thirrje te ministri i Arsimit, që të ulen gjakrat dhe të diskutojnë bashkërisht që të vijnë deri te zgjidhja përfundimtare”, tha ajo.

Deputeti i AKR-së Islam Pacolli ka thënë se në vend se të diskutohet nëse duhet të kompensohen orët e humbura, debati duhet të fokusohet në atë se si të kompensohen ato.

Pacolli: Duhet të gjendet zgjidhja se si të kompensohen orët e humbura

“Unë besoj se asnjë prind në Republikën e Kosovës pajtohet me mosplotësimin e vitit shkollor të plotë. Tani nuk jemi në gjendje lufte, nuk jemi në kohën e paraluftës ku mësimdhënësit tonë me të gjitha vështirësitë që kanë pasur e kanë plotësuar arsimin. Prandaj, sot në liri, ku për çdo orë që mbahet ne paguajmë me taksat tona, duhet të diskutohet. Mendoj se është ide e gabuar, tani duhet të gjendet një zgjidhje se si do të plotësohet, e jo se a do të plotësohet”, tha ai. 

***

Çështja e qëndrimeve e kundërta të MAShT-it dhe SBAShK-ut, lidhur me kompensimin ose jo të orëve të humbura gjatë grevës 3 javore në arsim, ka çuar në seancë të jashtëzakonshme Kuvendin e Kosovës.

Në këtë seancë, po diskutohet për një zgjidhje të mundshme për këtë çështje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që sa më shpejt të zgjidhet kjo çështje. Ai ka propozuar që këto orë të zëvendësohen, në fund të vitit shkollor.

Teksa ka shtuar se Kuvendi mund të autorizojë Komisionin Parlamentar për Arsim, që të takohet me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, dhe të SBASHK-ut për të gjetur një zgjidhje rreth kompensimit të orëve të humbura.

Veseli: Orët mësimore të kompensohen në pjesën e fundit të vitit shkollor

“Kam një gatishmëri, e cila të bartet, jo në këtë pjesë, të jem më konkret, por komisioni për arsim nëse ju autorizon atëherë do të arrinte shumë shpejt këtë marrëveshje që orët e humbura të kompensohen në pjesën e fundit të vitit shkollor. Edhe ministria është e hapur, për këtë propozim, ja ku është edhe ministri, por edhe SBASHK, mendohet më shumë për nxënësit... Nuk është mirë me draumatizu situtatën e cila besoj mund të zgjidhet shumë shpejt, që komisioni i arsimit me shku me komisionin, për një kohë shumë të shkurt për një orë arrin marrëveshje edhe i largojmë nga ankthi të cilat shumë prindër për pushimet pranverore të cilat janë shumë shpejt”, tha ai.

Kurse, Shefi i grupit parlamentar të Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha se ideja është që të gjendet një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, ku MAShT ka vendosur që të zëvendësohen orët e humbura, kurse SBAShK ka refuzuar me ngulm një gjë të tillë.

Ai ka folur për rëndësinë e madhe që ka kompensimi i orëve për nxënësit, ku përmes një krahasimi ka hedhur poshtë refuzimin e SBAShK-ut, duke thënë se të gjithë arsimtarët e dinë se orët e mësimit nuk barazohen me orët e punës në një fabrikë. 

Sherifi: Orët e mësimit të mos trajtohen sikur orët në fabrikë të suxhukut

“Të mos pranojmë që orët e mësimit të trajtohen njëjtë sikur orët e humbura në një fabrikë të suxhukut, sikur orët e humbura gjatë grevës në një fabrikë të betonit, apo ku ta di unë çfarë aktivitete tjera punuese. Orët e mësimit janë njësi mësimore, nuk janë thjeshtë orë pune. Çdo orë mësimi është një orë mësimore, një orë përsëritjeje... Nëse refuzohet që të shpjegohen ato 15 njësi mësimore, duhet gjithsesi në testin e paraparë qoftë për semimaturantë, qoftë për maturantë, të hiqen këto 15 njësi mësimore, sepse nuk mund nxënësit që i ke privuar t’i pyesësh pastaj”, tha ai.

E, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se plotësimi i orëve të humbura si pasojë e grevës së punëtoreve të arsimit, po bëhet një sfidë më vete.

Sipas tij, Ligji për Grevën u jep të drejtë grevistëve për të mos vuajtur pasoja për veprimin grevist, por shtoi se është i sigurt se asnjë mësimdhënës nuk e konsideron pasojë ofrimin e dijes për fëmijët.

Nga seanca e Kuvendit, Bytyqi ka kërkuar nga SBASHK-u që të reflektojë, në mënyrë që të mos u mohohet fëmijëve ajo që u takon, e që është programi i plotë arsimor.

Byqtyqi: SBAShK-u të reflektojë

“E tërë kjo është një kosto të cilën do ta paguajmë të gjithë si shoqëri. Në asnjë mënyrë nuk besoj se një mësues mund ta dëmtojë nxënësin e tij duke e privuar atë nga një pjesë e programit mësimor. Ky privim rrezikon të thellohet në dëm të shkollarëve, sepse SBASHK-u tashmë po e sheh çështjen thjeshtë në dimensionin e dinjitetit vetanak karshi masës që përfaqëson. Tashmë, ne jemi në një rrethanë jo të mirë. Ambiciet tona për arritshmëri cilësie nuk mund të përmbushen duke mosrealizuar programet mësimore. Arsimi nuk është vendi ku kushdo nga palët do duhej të tregojë muskujt. Si drejtues i dikasterit të arsimit, unë nuk do mund të pajtohem asnjëherë për ta quajtur të mbyllur një vit shkollor me program mësimor të parealizuar... E thërras SBAShK-un që të reflektojë”, u shpreh ai.

Seanca e jashtëzakonshme për kompensimin e orëve mësimore po vazhdon, ku po zhvillohet një debat nga deputetët e pranishëm në këtë seancë.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme me kërkesën e 42 deputetëve të cilët kanë kërkuar debat parlamentar në lidhje me zëvendësimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat