Asociacioni, ‘nën hijen’ e marrëveshjes përfundimtare

Aktuale

Asociacioni, ‘nën hijen’ e marrëveshjes përfundimtare

Më: 28 mars 2019 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Paralajmërimi i mundësisë së një marrëveshjeje eventuale përfundimtare në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndonëse ky proces ka ngecur aktualisht, ka bërë që çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si pjesë kryesore e marrëveshjes ndërmjet dy palëve në Bruksel, të heshtet tash për tash, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që në kuadër të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte menduar si një zgjidhje që do të çonte drejt normalizimit e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Por, sipas tij, shpërfaqja e ideve për ndryshimin e kufirit Kosovë-Serbi, si zgjidhje e mundshme e kontestit mes dy vendeve, e ka lënë nën hije formimin e Asociacionit, si zgjidhje të mundshme. Kjo ide nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është quajtur si “korrigjim i kufirit”, ndërkaq nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si “përcaktim i kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.

“Është llogaritur ose po llogaritet, që në qoftë se bëhet kufiri i ri i Kosovës, atëherë obligimet ndërkombëtare që i ka marrë Kosova për Asociacionin, por edhe vetë Dokumenti i Ahtisaarit, bien poshtë dhe krijohet një realitet krejtësisht i ri. Faktikisht, Lista Serbe sot nuk po ankohet pse nuk po bëhet Asociacioni. Vuçiq po ankohet te bashkësia ndërkombëtare, por nuk e ka atë vënë kusht për vazhdimin e bisedimeve. Ndërsa, institucionet e Kosovës, asnjë parti politike, as Kuvendi e as Qeveria, nuk janë të interesuara që ta bëjnë Asociacionin”, thotë Tahiri.

Mendim të ngjashëm ka edhe njohësi serb i zhvillimeve politike, Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson që nuk mund të thuhet krejtësisht me siguri se palët kanë hequr dorë nga formimi i Asociacionit, por sipas tij, heshtja e të dy palëve lidhur me këtë çështje, flet për atë se formimi i Asociacioni nuk është në plan të parë.

“Është evidente që ata që më së shumti duhet të insistojnë për këtë çështje, po heshtin. Para së gjithash, ata janë përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës, por edhe Beogradi zyrtar, i cili është njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Brukselit. Është e dukshme që megjithatë është kaluar në një ‘Plan B’, se ekzistojnë marrëveshje të tjera dhe se Bashkësia e komunave serbe është shtyrë në plan të dytë, gjë që nuk është e drejtë ndaj serbëve të Kosovës. Heshtja e autoriteteve të Prishtinës, është e qartë. Ata as që kanë dashur ndonjëherë ta bëjnë këtë”, thekson Miletiq.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të formohet vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës. Por, të pyetur nga Radio Evropa e Lirë, nëse ka lëvizje në drejtim të konkretizimit të Asociacionit, zyrtarët e kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë refuzuar të flasin për këtë temë.

Në anën tjetër, zyrtarët e Listës Serbe, subjekt ky politik i cili përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, nuk kanë qenë të qasshëm.

Politologu Tahiri, megjithatë shpreh mendimin që në rast se bashkësia ndërkombëtare vendos që në dialogun Kosovë-Serbi të mos bisedohet fare për ndryshim kufijsh, por vetëm për çështje të normalizimit të marrëdhënieve, atëherë çështja e Asociacionit do të rikthehet në fokus, por me formë problematike për Kosovën.

“Atëherë kthehet autonomia për serbët, sepse Asociacioni i komunave është një lloj autonomie për serbët, pavarësisht nëse i thonë pushtet i dytë apo pushtet i tretë, si dhe kthehen zbatimet e marrëveshjeve dhe obligimeve që ka marrë Kosova në Bruksel. Ndërsa, me vendim të Gjykatës Kushtetuese - nëse me ato parime krijohet Asociacioni - Lista Serbe dhe serbët nuk janë të interesuar për atë lloj asociacioni. Ata janë të interesuar për Asociacionin, për të cilin është marrëveshja në Bruksel, që ka kompetenca ekzekutive”, thotë Tahiri.

Por, Miletiq shpreh mendimin se ende nuk dihet se si do të përfundojë jo vetëm çështja e Asociacionit, por edhe marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

“Mendoj që për këtë nuk di askush asgjë. Fatkeqësisht, po vazhdohet me ato zgjidhjet jo-transparente. Kam përshtypjen që një ditë do të ndodhë që ndonjë ose disa ndërmjetësues ndërkombëtarë do t’i thërrasin në tavolinë faktorët kryesorë nga Prishtina dhe Beogradi dhe do t'i detyrojnë të nënshkruajnë ndonjë letër, të cilën ka shumë mundësi që edhe ata vetë do ta shohin për herë të parë”, shprehet Miletiq.

Sidoqoftë, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe buron nga marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, në vitin 2013.

Ndërkaq që në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e këtij Asociacioni, duke specifikuar edhe mënyrën e formimit. Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese kishte thënë se Asociacioni duhet të formohet, por në 23 pika e ka gjetur marrëveshjen jo në harmoni me Kushtetutën e vendit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat