Kisiq: Të ndërpriten menjëherë bisedimet për ndarje të Kosovës

Aktuale

Kisiq: Të ndërpriten menjëherë bisedimet për ndarje të Kosovës

Më: 29 mars 2019 Në ora: 00:48
Izabela Kisiq

Negociatat për rreth ndarjes së Kosovës duhet të ndërpriten menjëherë se ato e kanë përkeqësuar në mënyrë dramatike dhe shumë situatën e serbëve në Kosovë, ka thënë Izabela Kisiq nga Këshilli i Helsinkit duke e prezantuar raportin e kësaj organizate për pozitën e bashkësisë serbe në Kosovë.

“Ai që duhet të jetë kompromis, nuk është këmbimi i territoreve por e mira e përgjithshme e popullatës”, ka thënë ajo.

Kisiq ka thënë për N1 se serbët në jug dhe në veri të Kosovës janë kundër ndarjes dhe se ata tash janë në pozitë shumë më të keqe.

“Frika dhe pasiguria sot janë ndjenja dominuese tek ata dhe qëkur kanë filluar bisedat për ndarje të Kosovës dhe ata tash ata nuk mund ta planifikojnë të ardhmen në Kosovë, frikohen se nëse ndodh ndarja, do të ndodhë edhe shpërngulja e popullatës, se ata që do të mbeten në jug të Ibrit, do të margjinalizohen në tërësi”, ka sqaruar ajo.

Ky raport, për të cilin thuhet se Këshilli i Helsinkit ka punuar katër muaj duke biseduar me 40 persona, qytetarë të Kosovës me nacionalitet serb, ka hasur në injorimin e Beogradit zyrtar, për dallim nga Prishtina ku ka pasur interesim të madh për raport dhe rekomandimet e tij, ka thënë Kisiq.

“Në radhë të parë Ramush Haradinaj, i cili është pajtuar me rekomandimet dhe do të shohim se a do të punojë për këtë”, ka thënë ajo.

Pa marrë para sysh se ku do të zgjidhet problemi, duhet punuar që serbët të integrohen në shoqërinë kosovare.

“Ndarja e Kosovës do të thotë krijim i shteteve etnike në Ballkan dhe kjo është fatale jo vetëm për minoritetin serb në Kosovë, por edhe për të gjitha minoritetet në rajon e edhe për Serbinë. Kërkesat e minoriteteve brenda Serbisë që t’iu bashkohen shteteve amë në Serbi bëhen legjitime dhe ky pastaj bëhet problem i Evropës”, ka theksuar Kisiq.

“Askush s’i merr para sysh njerëzit, por vetëm territorin”, ka thënë ajo.

Ajo ka vlerësuar se Lista Serbe është “pion në duart e Beogradit”, instrument të cilin Beogradi e shfrytëzon për të ndikuar te bashkësia serbe në Kosovë ndërsa ajo nuk i përfaqëson fare interesat e bashkësisë serbe të Kosovës as në parlament dhe as në institucione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat