10 vjet në NATO, Rama: Integrimi sa më parë i Kosovës, domosdoshmëri

Aktuale

10 vjet në NATO, Rama: Integrimi sa më parë i Kosovës, domosdoshmëri

Më: 29 mars 2019 Në ora: 12:31
Edi Rama

Në ceremoninë e mbajtur me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO të shoqëruar edhe me paradë ushtarake, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria po përgatitet për ndërtimin e bazës së NATO-s në Kuçovë.

Ai deklaroi se do të shndërrohet në një bazë të rilindur të NATO-s dhe se në sajë të kësaj aleance Ballkani zotëron sot një periudhë paqeje.

“Por të mos e harrojmë asnjëherë presidentin Kenedi i cili thoshte se paqja nuk është një e mirë e përditshme, por një proces i pandërprerë. Sot ne nuk jemi më armiq, por nuk duhet të harrojmë se ekstremizmi i dhunshëm i të ashtuquajturit shtet islamik, ISIS, nuk është mposhtur, doktrina e tij nuk mund të mposhtet vetëm me forcën e armëve”, u shpreh Rama.

Sipas tij integrimi i Malit të Zi më parë dhe Maqedonisë së Veriut më pas, ka krijuar një hapësirë të gjerë në Ballkan dhe ka forcuar stabilitetin e Ballkanit.

“Në mënyrë që paqja e brishtë të mos sfidohet kurrë në të ardhmen, është e domosdoshme që edhe Kosova të bëhet më herët se vonë pjesë e integruar e NATO-s. Shqipëria beson shumë fortë se integrimi i Kosovës në familjen euroatlantike me ushtrinë e saj është një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën dhe Ballkanin por për gjithë familjen euroatlantike. Përfshirja e Kosovës në NATO do të ishte një kapital i shtuar”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama tha se Forcat e Armatosura shqiptare janë më të mirë pajisura, më të mirëpaguara dhe stërvitura se më parë, garant i progresit të Shqipërisë në NATO, por nënvizoi se ato duhet të jenë në vijim edhe më të mirëpajisura, edhe më të mirëpaguara dhe mirëstërvitura dhe kësaj i shërben edhe angazhimi i Shqipërisë në kuadrin e angazhimit të vendeve të NATO-s, për të çuar në 2% të prodhimit të brendshëm të buxhetit të forcave të armatosura.

Po ashtu ai tha se buxheti i mbrojtjes për vitin 2019, shënon një rritje prej 10% në raport me vitin e kaluar, por se do të ketë rritje më tej.

Rama shtoi se FA jo vetëm janë prezente në të gjitha vatrat e nxehta ku është vendosur NATO, por janë gjithnjë e më shuam të pozicionuara në krah të njerëzve dhe të vendosura në shërbim të komunitetit.

Sipas tij, më e pakta që mund të bëjë qeveria është të vazhdojë në rrugën e refomimit të ushtrisë shqiptare.

Në videon më poshtë, mund të shihni pamje nga parada ushtarake te sheshi “Nënë Tereza”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat