“The Guardian” shkruan për ndalimin e lojërave të fatit: I mbyllën pas vrasjeve në kazino

Aktuale

“The Guardian” shkruan për ndalimin e lojërave të fatit: I mbyllën pas vrasjeve në kazino

Më: 29 mars 2019 Në ora: 18:07
Foto ilustrim

Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, e ka publikuar një shkrim për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm. Ky vendim po vlerësohet si përpjekje për ta luftuar nivelin e krimit pas dy vrasjeve që ndodhën në kazino.

Lojërat e fatit, veçanërisht bastoret, janë bërë shumë të popullarizuara viteve të fundit në Kosovë, ku rreth një e treta e popullsisë janë të papunësuar.

Duke folur në kuvend, i cili e votoi ligjin në orët e vona të së enjtes, kryeministri Ramush Haradinaj tha se kjo masë ka për qëllim që ta forcojë sigurinë publike.

“Nuk do të lejojmë që këto vende të bëhen arena të krimit që ua marrin jetën njerëzve”, shkroi ai në rrjetin social “Facebook”.

Një polic është arrestuar si person i dyshuar për njërën nga vrasjet, të cilat ndodhën më herët gjatë këtij muaj në dy kazino të ndryshme brenda disa ditësh.

Para vendimit për ndalim të këtyre lojërave, policia i kishte mbyllur shumicën e 470 kazinove në Kosovë.

Qeveria e Kosovës fiton 20 milionë euro në vit nga taksat për lojërat e fatit.

Më herët gjatë kësaj jave, Haradinaj tha se vetëm lotaria e kontrolluar nga shteti do të lejohet të operojë. “Është një kaos i plotë, një keqpërdorim i plotë dhe është mirë që po e ndalim këtë”, tha ai në një konferencë për gazetarë.

Industria e lojërave të fatit është rritur shpejt në dhjetë vjetët e fundit. Shoqata e Lojërave të Fatit thotë se në këtë sektor janë të punësuar 4 mijë njerëz. Ruzhdi Kosumi, i cili është pronar i 14 kazinove, thotë se 40 punëtorët e tij do të mbesin pa punë.

“Vendimi për t’i mbyllur kazinot u mor pasi dy punëtorë u vranë. Kjo nuk ka kuptim. I kemi humbur njerëzit dhe tash po i humbim vendet e punës”, tha Kosumi.

Kosova, e cila e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, është një nga shtetet më të varfra në Evropë. Ajo përballet me mungesë të stabilitetit politik, krim dhe korrupsion, të cilat kanë ndikuar që investitorët të largohen.

Vendi fqinj i Kosovës, Shqipëria, i ka ndaluar lojërat e fatit në janar si pjesë e përpjekjeve për ta luftuar krimin e organizuar dhe problemet sociale, siç janë varësia dhe varfëria, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat