Nysrete Kumnova për djalin e zhdukur: Nuk do të vdesim para se ta varrosim me duart tona

Aktuale

Nysrete Kumnova për djalin e zhdukur: Nuk do të vdesim para se ta varrosim me duart tona

Më: 31 mars 2019 Në ora: 13:11
Nysrete Kumnova

Nysrete Kumnova me anë të një shkrimi ka rrëfyer për tmerrin që po jeton tash e 20 vite, që nga koha kur kriminelët serbë i rrëmbyen djalin e saj, Albionin.

Kumnova ka thënë se janë të zhgënjyer nga faktori kombëtar dhe ndërkombëtar se nuk po angazhohen më shumë dhe më me vendosmëri.

“Drejtësia duhet të bie në vend dhe më në fund edhe varri i hapur i Albionit po e pret birin tim të prehet i qetë në dheun e Kosovës për të cilin e dha edhe jetën. Dhembja është e madhe dhe po shtohet edhe më shumë, kur për çdo mëngjes zgjohemi me shpresë se do të gjendet Albioni, ndërsa kur ngryset dita shuhen edhe shpresat dhe me shpirt të plagosur duhet mbajtur si shkëmb barrën e pritjes së pafund!”, ka shkruar mes tjerash ajo.

Shkrimi i saj i plotë:

Sot mbushen njëzetë vite pritje, ankth, shpresë e zhgënjim, që nga 31 marsi i vitit 1999, kur kriminelët serbë i rrëmbyen në shtëpinë tonë, birin tonë, Albion Kumnova (1977), dhëndrin Gëzim Deva (1970), tezakun e Albionit, Artan Efendia (1976), fqinjin, Lutfi Bunjaku (1952) dhe birin e tij Bekim Bunjaku (1983), pastaj bashkë me ta edhe fqinjën tjetër Shkëlzen Binishi (1966).

Unë dhe familja ime, jemi të zhgënjyer nga faktori kombëtar dhe ndërkombëtar se nuk po angazhohen më shumë dhe më me vendosmëri, për faktin se nga grupi kur u rrëmbyen meshkujt në familjen tonë, të gjithë trupat tjerë janë gjetur, identifikuar dhe varrosur dhe vetëm trupi I birit tonë, Albionit nuk arriti të gjendet e as të identifikohet.

Kjo është një arsye më shumë për të dyshuar se kriminelët serbë po e përdorin trupin e birit tim, Albionit, si metodë hakmarrëse ndaj meje dhe aktivitetit tim në Shoqatën “Thirrjet e Nënave”!

Drejtësia duhet të bie në vend dhe më në fund edhe varri I hapur i Albionit po e pret birin tim të prehet i qetë në dheun e Kosovës për të cilin e dha edhe jetën.

Dhembja është e madhe dhe po shtohet edhe më shumë, kur për çdo mëngjes zgjohemi me shpresë se do të gjendet Albioni, ndërsa kur ngryset dita shuhen edhe shpresat dhe me shpirt të plagosur duhet mbajtur si shkëmb barrën e pritjes së pafund!

Biri ynë Albion, nëna dhe babai nuk do të vdesin para se të varrosim me duart tona, ta ujisim dheun me lotët tonë dhe ta stolisim varrin me lulet më të bukura të pranverës, që të lulëzojë edhe pranvera jote, pasi pranverat tona u shuan këtu e njëzetë vite më parë! Albion, bir të kujtojmë me mall të pa shuar, Mama, Beja dhe motrat, Fllanza, Vjollca dhe Arjeta bashkë me familjet e tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat